Sport

Milani në zonën Champions, mposht në “frymën e fundit” Genoan

Autori: Gazeta inFokus 07:29 | 01 November 2018

Milani mori një tjetër fitore të vuajtur, pasi mposhti vetëm në minutat shtesë Genoan me rezultatin 2-1, në ndeshjen e prapambetur nga java e parë, e cila ishte shtyrë për shkak të tragjedisë së Gjenovës, me shembjen e urës Morandi.

Sfida filloi mjaft mirë për kuqezinjtë, që zhbllokuan rezultatin që në minutën e 4-t, me anë të fantazistit spanjoll Suso, i cili shënoi një gol mjaft të bukur, pas një gjuajtjeje me të majtën nga distanca, me topin që përfundoi në cepin e portës së Radu.

Ky gol krijoi idenë se gjithçka do të ishte e lehtë për Milanin, që i shkoi pranë edhe golit të dytë, por me kalimin e minutave, Genoa mori lojën nën kontroll dhe mbylli kuqezinjtë në gjysmëfushë, në fundin e pjesës së parë, duke i shkuar pranë barazimit.

-Advertisement-

Goli dukej rrotull për kuqeblutë nga Gjenova dhe erdhi në minutën e 56’, kur pas një gabimi nga ana e Bakayoko, topin e mori sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Kuame, i cili e dërgoi në rrjetë, falë devijimit vendimtar të kapitenit të Milanit, Romagnoli.

Ky gol zgjoi skuadrën e Gattusos, që fitoi terren dhe u hodh në kërkim të fitores, por thuajse të gjitha tentativat e kuqezinjve, hasën në reagime spektakolare të portierit rumun të Genoas, Radu, që sot tregoi pse ka lënë në stol një ekspert si Marchetti.

Megjithatë rumuni ishte i pafat në minutën e parë shtesë, pasi një top i grushtuar prej tij përfundoi në këmbët e kapitenit Romagnoli, që gjuajti menjëherë dhe e kaloi mbi kokën e portierit të Genoas, duke e dërguar në rrjetë.

Pikërisht goli i kapitenit, u dha kuqezinjve një tjetër 3-pikësh, ndonëse në frymën e fundit, ndërsa me këtë fitore, Milani ngjitet në vendin e katërt, me 18 pikë, po aq sa edhe Lazio e vendit të pestë, ndërsa Gattuso mund të shijojë pak qetësi tashmë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera