Sport

“Mezi pres të ndeshem me të”, Hazard “ndez” derbin: Dua ta mund Diego Kostën

Autori: Gazeta inFokus 13:35 | 27 September 2019

Ditët te Reali i Madridit kanë qenë të qeta pas fitores 2-0 ndaj Osasunës. Por ato me siguri do të bëhen më të nxehta pasi në fundjavë është programuar të luhet derbi me Atletikon. Për belgun Eden Hazard do të jetë i pari me fanellën e “galaktikëve”. Ai u shpreh se mezi pret përballjen me rivalët historikë të qytetit.

“Duam të fitojmë për t’i bërë të lumtur tifozët tanë”, ishin fjalët e para të lojtarit që erdhi nga Çelsi në merkaton e verës. “Ai që luan futboll, mund ta ndiejë atë çfarë përfaqësojnë këto takime. Pasioni i tifozëve të karikon shumë. Kam luajtur kundër me bardhekuqtë edhe më parë, por kurrë me fanellën e Realit, por me atë të Çelsit”. Në fushë ai do të ketë si kundërshtar një nga shokët e tij më të mirë me të cilin ka luajtur në Londër, Diego Kostën.

Hazard shpjegoi se ka një marrëdhënie të mirë me brazilianin që nga momenti që e njohu në skuadrën e Çelsit. “Mezi po pres të luaj me Diegon. Kemi luajtur së bashku në Angli, ai është shoku im”. Pas një dëmtimi, Eden Hazard nisi si titullar për herë të parë në Sançez Pizjuan pas debutimit në “Bernabeu” kundër Levantes. Në tri ndeshjet me Realin ai ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës.

-Advertisement-

Në derbi ai shpreson të lërë shenjë duke shënuar dhe pse jo për të fituar. “Rëndësi ka që skuadra të fitojë, se kush shënon, nuk ka shumë problem. Shpresoj të kem shanset e mia në këtë ndeshje të madhe ku i gjithë qyteti do t’i ketë sytë nga fusha e blertë”. Reali i Madridit ndodhet në vendin e parë të kampionatit me 14 pikë në 6 javë të luajtura. Ndërkohë, skuadra e Diego Simeones është vetëm një pikë pas në vendin e tretë. Sfida pa dyshim do të jetë një spektakël më vete ku me një fitore skuadrat do të fillonin shkëputjen nga Barcelona që renditet e 6-ta me vetëm 10 pikë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera