Lajme

Mbahet Konferenca Për Rininë 2023, prezantohet politika e re qendrore karshi kësaj kategorie

Autori: Gazeta inFokus 12:54 | 20 December 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Konferencën për Rininë 2023 të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Nga zyra e kryeministrit njoftojnë se konferenca në fjalë është ngjarja përmbyllëse e këtij viti, ku u prezantua politika e re qendrore karshi rinisë, dhe gjatë të cilës pati sesione interaktive, demonstrime dhe diskutime.

“Me Strategjinë Shtetërore për Rininë, kemi hartuar dokumentin kryesor orientues afatgjatë për qeverinë karshi rinisë, ku secila ministri e institucion ka përcaktuar rolin e vet. Përveç se është strategji që na orienton drejt zhvillimit, është edhe një mjet reforme për politikëbërje ndërsektoriale për rininë, për herë të parë në vendin tonë”, u shpreh kryeministri.

-Advertisement-

Pavarësisht vështirësive dhe defekteve në sistemin arsimor, kryeministri tha se jemi duke punuar në reforma, siç është arsimi dhe aftësimi profesional, arsimimi falas në nivelin e lartë publik dhe dhënia e bursave për notë mesatare të lartë, pesë mijë bursave tjera për studime brenda dhe jashtë vendit, si dhe bursave për vajzat në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe të matematikës.

Tutje, kryeministri përmendi se në fillim të vitit 2021 ishin 28,293 të rinj të punësuar, kurse në fund të korrikut sivjet 2023, numri i të punësuarve ishte 60,884, arritje kjo mundësuar edhe përmes platformës së punësimit SuperPuna, programit “Kosova Generation Unlimited”, dhe programit “Komunat për të rinjtë”. Ndërkaq Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren dhe Parkun e Teknologjisë Digjitale në Bernicë i cilësoi hapësira të veçanta për kreativitet dhe inovacion.

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare EYCA, do të sjellë benefite brenda dhe jashtë Kosovës për të gjithë të rinjtë tanë, pa dallim, nën moshën 30 vjeçare, tha kryeministri, teksa shtoi se me liberalizimin e vizave, dhe përparimin në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, jemi në prag të mobilitetit të shtuar dhe lidhjes më të afërt me Evropën, e nëpërmjet programeve në shkolla publike, po bëjmë shtrirjen e artit, sportit dhe vullnetarizmit për gjeneratat e reja në komunën e Prishtinës, Gjilanit, Skënderajt, Pejës, Mitrovicës, Prizrenit, Ferizajt dhe Kamenicës.

“Unë jam i bindur se nuk ka asgjë më të rëndësishme që mund të bëjmë si Qeveri se sa të përgatisim gjeneratën e ardhshme për zhvillim e për udhëheqje të vendit tonë”, përfundoi ai duke u bërë thirrje të rinjve të kujdesen e të punojnë bashkë, për t’i ndihmuar vetës, njëri-tjetrit dhe shtetit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera