Sport

Mascherano shpërthen me akuza: Ky s’është turne lagjesh, cirku më i bujshëm që kam parë!

Autori: Gazeta inFokus 14:03 | 25 July 2024

Kaos në “Saint Ettiene” pas Argjentinë – Marok, ndeshje përuruese e Lojërave Olimpike, e destinuar të hyjë në histori.

Christian Medina, mesfushori 22-vjeçar i bardhekaltërve, shënoi në minutën e 116-të, pasi ishin dhënë 16 minuta shtesë, golin e 2-2, para se tifozët e skuadrës afrikane të pushtonin fushën duke hedhur sende të forta dhe tymuese, aq sa të bënin që ndeshja të ndërpritej në konfuzion total, duke detyruar argjentinasit të futeshin në dhomat e zhveshjes për të evituar më të keqen.

Pas rikthimit në normalitet dhe me skuadrat në dhomat e zhveshjes u mor vesh se arbitri nuk kishte vërshëllyer fundin e ndeshjes, por vetëm pezullimin e saj për arsye sigurie. Veç të tjerash, kishte pasur sinjale nga VAR-i për dyshimet për një pozicion jashtë loje të Medinas, çka rezultoi i vërtetë.

-Advertisement-

Në këtë mënyrë, erdhi dhe befasia me skuadrat që u thërritën në fushë dy orë më pas, ndërsa spektatorët natyrisht kishin lënë stadiumin, dhe ndeshja që rinisi me rezultatin 2-1 për Marokun, duke qenë se goli i argjentinasit u anulua.

U luajtën 3 minuta, pastaj të gjithë u dërguan në dhomat e zhveshjes me fundin e takimit, me disfatën e ekipit të Javier Mascheranos, që nuk u kursye me akuza e tone të ashpra: “Ky ishte cirku më i bujshëm që kam parë në jetën time”, me trajnerin që më pas tregoi se çfarë i kishte ndodhur skuadrës një ditë më parë:

“Ndërsa stërviteshim, dikush kishte hyrë në dhomat tona të zhveshjes dhe na kishte vjedhur. E gjitha kjo në një Olimpiadë, mendoni pak. Thiago Almadas i kishin vjedhur orën. Nuk donim ta bënim publike, por sot gjërat shkuan shumë më tutje. Sot pushtuan fushën 7 herë, duke na goditur me sende të forta. Në thanë që ndeshje mbaroi 2-2. As Maroku nuk dëshironte të vazhdonte.

Qëndruam një orë e gjysmë në dhomat e zhveshjes, ku për asnjë moment nuk na thanë se çfarë mund të ndodhte. Pozicioni ynë ishte të mos luanim më, sepse na goditën me 1 milion gjëra, loja u ndal 7 herë. Nuk më ka ndodhur kurrë si lojtar në një ndeshje të këtij niveli që siguria të dështojë plot 7 herë.

Pjesa e dytë për mua është si të mos ishte luajtur. Njerëz që hyjnë në fushë, goditje me tymuese dhe shishe, e gjitha kjo është e pabesueshme. Nuk na thanë se VAR-i po merrte një vendim. Loja u pezullua për motive sigurie, por kjo nuk na u komunikua në asnjë moment. Faqja zyrtare e Lojërave Olimpike kishte vendosur 2-2 si rezultatin final. Nuk kujtoj kurrë që një ndeshje të ndërpritet për një orë e gjysmë pastaj të bësh 10 minuta nxehje për të luajtur 3 minuta. Ishte skandal, ky nuk është një turne lagjesh, është Olimpiada”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera