Lajme

“Lufta” për President, si mund të shkarkohet Hashim Thaçi?

Autori: Halil Berisha 12:42 | 15 December 2019

Ka disa muaj prej kur kanë filluar takimet LDK e Vetëvendosje.

Në fillim për të hyrë bashkë në zgjedhje, por që këto takime nuk ishin të suksesshme, shkruan gazeta inFokus.

E pas mbajtjes së zgjedhjeve filluan prapë takimet.

-Advertisement-

Këta, tashmë thanë që kanë harmonizuar programin e tyre qeverisës, gjë që u pa se nënshkrimi i marrëveshjes për koalicion tanimë ka mbetur të kryhet vetëm formalisht.

Por, në këtë pikë, edhe u bllokua situata.

Kjo, për një arsye kryesore, shkruan gazeta inFokus.

Ajo, se kush do të duhet të ta ketë postin e Presidentit të vendit, apo edhe nëse kjo do të duhej të diskutohej në këtë kohë.

E këtë post, për të cilin po “shtyhen” LDK e Isa Mustafës e Vetëvendosje e Albin Kurtit, prej vitit 2016 e mbajn ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

Madje, para, gjatë, por edhe pas fushatës, u përmend edhe një iniciativë, sidomos nga Vetëvendosje, për të shkarkuar Thaçin, kur të marrin udhëheqjen e qeverisë.

Por, si mund të shkarkohet Presidenti i Kosovës?

Në bazë të Statusit dhe Kompetencave Kushtetuese të Presidentit të Kosovës, nenit 91, Presidenti mund të shkarkohet nga Kuvendi, por duhet plotësuar disa kushte, shkruan gazeta inFokus.

“1. Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”.

Në këtë rast, procedurën për shkarkimin e tij, mund ta fillojnë 1/3 e deputetëve të Kuvendit, apo 40 prej tyre, shkruan gazeta inFokus.

“2. Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim. Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor  për  gjendjen  shëndetësore  të  Presidentit.  Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit”.

Megjithatë, derisa për të formuar Qeverinë, duhen 61 deputet, për të shkarkuar Presidentin, si duket nuk i mjaftojnë votat LDK-së e Vetëvendosjes edhe nëse bëjnë marrëveshjen e hyjnë në Qeveri.

Atyre, për të shkarkuar Thaçin, do t’u duhen 2/3 e votave, apo 81 deputet, shkruan gazeta inFokus.

“3. Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi,  në  pajtim  me  këtë  nen,  konstaton  që  Presidenti  nuk  është  i  aftë  të  ushtrojë përgjegjësitë  e  tij/saj  për  shkak  të  sëmundjes  së  rëndë  ose  nëse  Gjykata  Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij”.

Ndryshe, nëse Presidentin nuk mund ta shkarkojnë, atëherë mandati i tij, që në këtë rast e ka Hashim Thaçi është 5-vjeçar.

Thaçi detyrën e Presidentit e mori më 7 Prill të vitit 2016, që i bije se deri me këtë datë të vitit 2021, posti i shefit të shtetit është i zënë./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera