Ekonomi

Lufta e humbur e “Iute Credi” dhe “Monegos” bazuar në ligjin e BQK-së (Dokument)

Autori: Gazeta inFokus 15:27 | 16 January 2020

Kërcënimi i përfaqësuesve të “Iute Credi” dhe “Monegos” se do ta dërgojnë Kosovën në arbitrazh nëse nuk iu kthehen licencat është i kotë.

Dy kompanitë, që u gjet se operonin jashtë planit të biznesit dhe dyshohet se rrezikuan sigurinë e vendit për shkak të financimit të dyshimtë, sipas ligjit të Bankës Qendrore të Kosovës i kanë gjasat minimale për t’u kthyer në tregun e Kosovës.

Madje edhe nëse gjykata gjen se BQK-ja nuk kishte të drejtë, ligji thotë se nuk mund të pezullohet vendimi për tërheqjen e licencave.

-Advertisement-

“Gjykata apo paneli i arbitrazhit do të jetë i autorizuar, në rastet e duhura, të caktojë dëmshpërblime monetare për palën e dëmtuar, por nuk do të ndalojë, të pezullojë, të suspendojë apo të shfuqizojë veprimet e marra nga Banka Qendrore”, thuhet në nenin 77 të Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës.

Përveç kësaj edhe zyrtarët e BQK-së janë të mbrojtur dhe nuk do të mbahen përgjegjës për vendimet që kanë marrë lidhur me këtë rast.

Së paku kështu e thotë ligji, i cili përmend se “një anëtar i organeve vendimmarrëse apo personelit të Bankës Qendrore, apo një agjent i Bankës Qendrore, duke përfshirë një person i cili dikur ka qenë në një pozitë të tillë, nuk do të jetë përgjegjës për dëme apo përgjegjës për vepra a lëshime që kanë ndodhur bazuar në dhe në proces të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive në emër të Bankës Qendrore përveç nëse provohet që këto vepra a lëshime përbejnë sjellje të paligjshme me dashje apo neglizhencë serioze”.

Por, pavarësisht kësaj, përfaqësuesit ligjor të të dyja institucioneve financiare që humbën licencën për shkak se rrezikuan sigurinë kombëtarë kanë kërcënuar se nëse nuk i kthehet licenca do ta dërgojnë këtë vendim në arbitrazh.

Rauno Kin Kard, zyrtar ligjor në “Iute Credit Kosova”, në një konferencë për media ka thënë se vendimi i BQK-së, për tërheqjen e licencave i përkeqëson edhe marrëdhëniet e Kosovës me Estoninë.

“Kur u mor vendimi me 6 dhjetor ky vendim na ka tronditur të gjithëve, dhe pasi që ky vendim ka qenë i padrejtë dhe i paligjshëm do të përdorim çfarëdo mjeti ligjorë për ta kundërshtuar këto dhe në gjykatën e Arbitrazhit në Uashington”, ka thënë Kard.

Njëjtë kanë kërcënuar me arbitrash edhe në kompaninë “Monego”.

“Nëse nuk ec në këtë mënyrë siç e kemi paraparë, ne e kemi opsionin edhe të arbitrazhit dhe nuk kisha pas dëshirë që Kosova edhe njëherë të pësoj debakël në arbitrazh për shkak se jemi të bindur se ky rast është i fituar”, ka thënë Arianit Koci, përfaqësues ligjor i kompanisë Monego.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera