Lajme

Liburn Aliu diskuton për hapjen e tunelit Prizren – Tetovë, harron atë Pejë – Podgoricë

Autori: Islam Morina 23:33 | 20 November 2021

Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka takuar homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Naser Nuredini, me të cilin kanë vizatuar dy fshatrat e Malësisë së Tetovës, Veshallën dhe Bozofcën.

Temë diskutimi dhe asryeja e kësaj vizite në këto dy fshatra të brezit kufitar me Kosovën, ishte diskutimi për hapjen e një tuneli përmes këtyre dy fshatrave për të bashkuar Tetovën me Prizrenin, shkruan Gazeta inFokus.

Një iniciativë e ngjashme ishte marrë edhe nga ish ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, në pjesën perëndimore të Kosovës, konkretisht në bjeshkët e Pejës me Malin e Zi, ku parashihej që një tunel i tillë do të shkurtonte dukshëm distancën dhe kohën e kosovarëve për të arritur në Mal të Zi, si dhe do të ndikonte në zhvillimin e turizmit në të dy anët e kufirit.

-Advertisement-

Mirëpo edhe pse për këtë projekt kishte edhe studim fizibiliteti nga të dyja anët e kufirit, pas ndërrimit të pushteteve u la në harresë dhe nuk u mor asnjë hap më tej.

Pikërisht edhe projekti që do të lidhë Tetovën me Prizrenin nga ministri Liburn Aliu po thuhet se do të nxisë turizmin dhe lehtësojë jetën e banorëve në të dy anët e kufirit, andaj përveç këtij projekti mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ministri Aliu duhet trajtuar edhe atë mes Kosovës dhe Malit të Zi, sepse do të lehtësonte dukshëm qarkullimin e lirë mes dy vendeve.

Njoftimi i plotë:

“Sot, Ministri Liburn Aliu, shoqëruar nga shefja e kabinetit znj. Rineta Jashari, si dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nga Maqedonia e Veriut, z. Naser Nuredini, vizituan fshatin Veshallë dhe fshatin Bozofcë të komunës së Tetovës, të dyja këto, fshatra të vendosura në Malin Sharr, në Maqedoninë e Veriut.

Në fokus të vizitës ishin diskutime për krijimin e tunelit rrugor që do të depërtojë në këto dy fshatra, e do të bashkojë Prizrenin e Tetovën.
Rëndësia strategjike e punimeve të Rrugës Tetovë – Prizren, lidhet më përmirësimin e cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve në të dy anët e kufirit, me theks të veçantë për rritjen e mëtutjeshme të turizmit, si parakusht për nxitjen e aktiviteteve të ndryshme sportive e kulturore, krijimin e lidhjeve më të sigurta dhe më të qëndrueshme mjedisore të transportit për njerëzit dhe bizneset në mes të dyja vendeve, e në veçanti për lidhjen e parqeve nacionale, qendrave turistike dhe korridoreve rrugore.

Për më shumë, u diskutua për sinkronizimin e planifikimit hapësinor, si dhe krijimin e infrastrukturës rrugore për zhvillimin e turizmit alternativ, dhe të dy palët theksuan fuqimisht domosdoshmërinë e punës së përbashkët si fqinjë të mirë, për të avancuar më tej në krijimin e raporteve të shkëlqyera mes të dyja vendeve”, shkruan në njoftim./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera