Lajme

Kuvendi i Maqedonisë së V. shkarkoi dy ministra shqiptarë

Autori: Gazeta inFokus 09:51 | 10 February 2024

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i ka shkarkuar të premten në mesnatë dy ministra të Qeverisë teknike nga radhët e Aleancës për Shiptarët (ASH) pasi kishin mbështetur propozimin e kësaj partie që në zgjedhjet e majit t’i bashkoheshin bllokut opozitar shqiptar – Lidhja Evropiane për Ndryshim.

Shkarkimi i ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe i ministrit të Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, ka rezultuar me tensione e polemika të shumta mes partive në pushtet dhe opozitë.

Në arsyetimin e kërkesës për shkarkimin e tyre, kryeministri teknik, Talat Xhaferi ka thënë se “nuk ka vërejtje për punën dhe profesionalizmin e ministrave Mexhiti dhe Aliu, por pas bashkimit të tyre me Arben Taravarin, duhet të largohen, pasi në Qeveri nuk mund të jenë dy subjekte opozitare”.

-Advertisement-

Qeveria teknike, që ka mandat 100 ditë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, e ka në përbërjen e saj edhe opozitën maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja.

Ministri i shkarkuar, Fatmir Mexhiti akuzoi partitë në pushtet se “shkarkimi i tij është iniciuar për interesa politike” dhe se pas kësaj, sipas tij, qëndron partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Shkarkimi i ministrave vjen dhjetë ditë pas formimit të Qeverisë teknike, më 28 janar.

Në vend të tyre, të hënën, më 12 shkurt, pritet të emërohen Ilir Demiri si ministër i Shëndetësisë dhe Naim Bajrami si ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike.

Seanca ishte thirrur nga kryeministri Talat Xhaferi, pasi një komisioni partiak i Aleancës për Shqiptarët (ASH), që është pjesë e Qeverisë teknike, propozoi shkarkimin e dy ministrave të saj.

Vendimi është marrë pasi dy ministrat dolën publikisht në mbështetje të kryetarit të ASH-së, Arben Taravari për të kaluar në opozitë.

Por, kjo kishte nxitur reagim te një pjesë e partisë që udhëhiqet nga ish-kryetari i saj, Ziadin Sela, kryetar aktual i Kuvendit të kësaj partie.

Ai për të shtunën, më 10 shkurt, ka thirrur Kuvendin për të konstatuar përgjegjësinë, por edhe fillimin e procedurës për shkarkim të Taravarit nga partia.

Por, Taravari ka thënë se Sela nuk e ka mbështetjen e kuvendarëve, pasi shumë prej tyre i kanë dhënë mbështetje qëndrimit të tij për të bërë koalicion me opozitën.

Përçarja në ASH është reflektuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Seanca ka nisur me tre orë vonesë pasi partitë në pushtet nuk arrinin të siguronin numrin e nevojshëm të deputetëve për nisjen e saj, që u dëshmua edhe me votimin, i cili rezultoi me shumicë të thjeshtë prej 62 deputetësh./REL

Vizitoni kanalin tonë në Youtube:

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera