Lajme

Kush është njeriu i Vladimir Putinit në Ballkan?

Autori: Gazeta inFokus 09:54 | 22 June 2017

Një portofol jozyrtar në Ballkan për Patrushevin do të sillte një model të ri.

Teksa politika e jashtme zyrtarisht është në duart e Sergei Lavrovit, vendimmarrja aktuale po drejtohet gjithnjë e më shumë nga një grup zyrtarësh të Inteligjencës dhe të Mbrojtjes, me lidhje të ngushta me Putin.

“Rusia po bëhet gjithnjë e më shumë një ‘adhokraci’, ku individë të ndryshëm marrin përgjegjësi që mund ose mund të mos u përshtaten mandatit të tyre formal”, thotë Mark Galeotti, një ekspert në çështjet e shërbimeve sekrete ruse dhe një kërkues në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Pragë, transmeton “Zeri.info”.

-Advertisement-

Përfshirja e ish-spiunit tregon një linjë më të ashpër të Rusisë në rajon.

“Patrushev është një nga ata njerëz që mendon se Rusia është në një luftë ekzistenciale për mbijetesën e saj”, shton Galeotti. Është një vizion manichean i Luftës së Ftohtë për botën (Manicheanismi është një besim i vjetër fetar që ndan çdo gjë në të mirë ose të djallëzuar). Dhe një vizon në të cilin çdo dyshim për Perëndimin është një dyshim i mirë për Rusinë”.

Patrushev hyri në KGB më 1974-n dhe besohet se Putin ishte njeriu i parë që takoi, gjithashtu një oficer i shërbimeve sekrete, në vitet 1990. Pas 10 vjetësh në krye të FSB-së, shërbimi pasues i KGB-së, në vitin 2008 ai lëvizi në Këshillin e Sigurisë, një trupë me ndikim, e ngritur nga Putin në përbërje të së cilës janë zyrtarë të lartë.

Në pjesën më të madhe të karrierës të kaluar në hije, Patrushev ka pak rekorde publike të përfshirjes në politikën e jashtme. Por dihet se ai ka qenë një prej një grupi të vogël këshilltarësh të Putinit, të përfshirë në aneksimin e Ukrainës në vitin 2014.

Shërbimet e sigurisë ruse po ushtrojnë gjithnjë e më shumë ndikim në politikën e jashtme, sipas Andrey Kortunovit, drejtor i Këshillit për Çështjet Ndërkombëtare të Rusisë, një institut që këshillon Kremlinin.

Në një deklaratë publike Patrushev ka pohuar se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të copëtojnë shtetin rus “për të pasur qasje në burgimet e pasura që ata mendojnë se Rusia i kontrollon padrejtësisht”, përcjell “Zeri.info”.

Ai ka kritikuar gjithashtu atë që e sheh si një sjellje gjithnjë e më agresive të NATO-s, me pretendimin se politika e jashtme e Bashkimit Evropian diktohet nga Uashingtoni dhe duke paralajmëruar rritjen e nazizmit në Evropë.

Pozicioni i ri jozyrtar i Patrushevit, që udhëheq strategjinë ballkanike të Rusisë, vjen në një kohë marrëdhëniesh të dobëta mes Rusisë dhe Perëndimit.

Rusia është veçanërisht e zemëruar për pranimin e Malit të Zi në NATO këtë muaj, vendit të vogël të Adriatikut që akuzoi oficerët e Inteligjencës ruse për organizimin e një grushti shteti të mbetur në tentativë vitin e kaluar me qëllimin për të prishur përpjekjen e tij për t’u bashkuar me Aleancën Veriatlantike.

Pas akuzave për përfshirjen e Rusisë në komplotin e grushtit të shtetit, Patrushev nxitoi në Serbi për të takuar zyrtarë të lartë qeveritarë dhe të sigurisë. Disa raportime të medies sugjeronin se Beogradi kishte ekstraduar disa shtetas rusë të akuzuar për udhëheqjen e komplotit

Zyrtarët në Moskë këmbëngulën se nuk kishte asgjë të pazakonshme në këtë udhëtim, por roli i Patrushevit është rritur që atëherë.

Muajin e kaluar Patrushev takoi ministrin e Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç gjatë vizitës së tij në Moskë për bisedime mbi çështjet nga krimi i organizuar te krimet kibernetike.

“Gjatë vitit të kaluar është bërë e qartë se Patrushevit i është dhënë Ballkani”, thotë Galeotti. “

Kjo tregon se sa i rëndësishëm është Ballkani apo sa i rëndësishëm do të bëhet”

Patrushev nuk ka lidhje të njohura profesionale me Ballkanin, por ka emëruar Leonid Reshetnikovin, një ekspert kontrovers i Ballkanit dhe një ish-oficer i Inteligjencës në Këshillin e Sigurimit. Tetorin e kaluar, në prag të përpjekjes së grushtit të shtetit të Malit të Zi, Reshetnikov tha se ishte “koha që Rusia të kthehej në Ballkan”.

Rritja e profilit të Patrushevit në Ballkan përkoi me rritjen e aktivitetit rus në rajon.

Dy shtetas rusë, Eduard Sismakov dhe Vladimir Popov, u akuzuan në mungesë këtë muaj nga një gjykatë malazeze për përpjekjen për të përmbysur kushtetutën e vendit gjatë tentativës së vitit të kaluar për grusht shteti.

Prokurorët malazezë besojnë se ata janë oficerë të Inteligjencës ruse. Sismakovi u raportua nga mediet ruse se kishte punuar si atashe ushtarak në Ambasadën e Rusisë në Poloni para se të dëbohej në vitin 2014 për akuza spiunuese, transmeton “Zeri.info”.

Dokumentet e zbuluara këtë vit gjithashtu sugjerojnë një përpjekje të bashkërenduar nga spiunët dhe diplomatët rusë në Maqedoni, fqinji jugor i Serbisë, për të rritur mbështetje për grupet pro ruse.

Rusia mund të marrë masa “shumë serioze” në përgjigje të çdo zgjerimi të mëtejshëm të NATO-s në Gadishullin e Ballkanit, sipas Yelena Guskova, një profesoreshë në Institutin e Studimeve Sllave në Moskë.

“Duke gjykuar nga Mali i Zi, shumë hapa të ndryshëm mund të ndërmerren”, thotë ajo, duke iu referuar vendimit të Kremlinit për të shkurtuar lidhjet ekonomike dhe duke u bërë thirrje pushuesve rusë të mos e vizitojnë vendin që varet nga të ardhurat turistike.

Patrushev paralajmëroi më parë këtë vit se NATO-ja po kërkon gjithashtu të bindë Bosnjë Hercegovinën, si dhe Maqedoninë, për t’u bashkuar me bllokun e sigurisë.

Rusia ka të ngjarë të përqendrojë përpjekjet e saj mbi shtrirjen e aleancave ekzistuese në Ballkan, sipas ekspertëve.

Kjo nënkupton në veçanti, Serbinë, me të cilën Rusia ka lidhje historikisht të forta. Të dy vendet kanë origjinën e përbashkët sllave dhe janë kryesisht krishterë ortodoksë.

“Rusia do t’u përmbahet vendeve në Gadishullin e Ballkanit që konfirmojnë angazhimin e tyre për të mos u bashkuar me NATO-n”, tha Kortunov. / “Politico”. /ZËRI/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera