Lajme

Kurti u informua nga Biserko e Çanak “se po flitet që Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës në Sanxhak”

Autori: Gazeta inFokus 15:35 | 02 September 2024

“Po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak”

Kjo është një nga fjalitë e përzgjedhura në komunikatën e Qeverisë Kosovës për takimin që pati kryeministri, Albin Kurti me Sonja Biserkon, themeluesen dhe presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe Nenad Çanak, politikan serb, si dhe Mark Baskin, profesor dhe drejtor i Qendrës për Dialog Humanitar.

Në takimin e mbajtur të dielën, sipas njoftimit qeveritar, Kurti është njoftuar nga Biserko, Çanak dhe Baskin, se Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta.

-Advertisement-

Ata kanë bërë thirrje ndaj Kurtit që të parandalojë një gjë të tillë

“Gjatë takimit, Biserko, Çanak dhe Baskin e njoftuan kryeministrin se po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta. Ata apeluan te Kryeministri Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë.” – thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Ndërkaq, për këtë deklaratë ka folur përsëri Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Ajo për Radio Evropa e Lirë ka kërkuar që të verfikohen se sa të sakta janë këto informata.

“Si dikush që është marrë me çështjen e refugjatëve që nga vitet 1990 e këndej, ju kujtoj se gjithmonë ka pasur thashetheme, të cilat më vonë kanë rezultuar me eksod apo zhvendosje të popullsisë”, tha Biserko në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

“Ne i kemi thënë Qeverisë së Kosovës që duhet t’iu kushtojë vëmendje këtyre informacioneve dhe të bëjë gjithçka të mundur që popullata serbe të mbahet në veri të Kosovës”, tha Biserko.

Në anën tjetër, për këtë deklaratë, ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se është një “cirk” dhe se nuk do ti kishte shkuar mendja të mendonte diçka të tillë.

“Nuk do të më kishte shkuar në mendje të mendoja diçka të tillë”

“Serbët nga Kosova do të qëndrojnë në Kosovë, përkundër dëshirës së Albin Kurtit, Nenad Çanakut dhe Sonja Biserkos dhe shumë të tjerëve që serbët nga Kosova të zhduken.” – ka thënë Vuçiq para gazetarëve në Serbi.

Çka u tha tjetër në takimin e Kurtit me aktivistët serbë?

Në këtë takim, kryeministri Kurti është diskutuar për situatën dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kurti i ka njoftuar ata për të drejtat që kanë komunitetet joshumicë në Kosovë.

“Më tej, kryeministri i njoftoi mysafirët e tij për të drejtat që gëzojnë komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, si dhe për përpjekjet që Qeveria po bën për rritjen e mundësive për këto komunitete në shumë fusha si arsimi, punësimi dhe siguria e tyre.”

“Kryeministri Kurti i falënderoi ata për angazhimin në ndërtimin e urave të paqes e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë brenda rajonit, parime këto evropiane të cilat përqafohen e mishërohen edhe në Republikën tonë.” – përfundon njoftimi i qeverisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera