Kurti përkujton heroin Ilir Konushevci: Ishte ushtari ideal i lirisë
Autori: Gazeta inFokus 18:09 | 09 May 2022
Kryeministri i Kosovës Albin Kuti ka përkujtuar sot heroin e kombit Ilir Konushevci në 24-vjetorin e rënies së tij heroike.
Ai në një shkrim të gjatë në Facebook ka shkruar se pas rënies së Zahir Pajazitit, Ilir Konushevci ishte figura kyçe e UÇK-së për Zonën Operative të Llapit.
“Megjithëse dorasit e Ilirit u zbuluan që më 1998, asnjë instancë e drejtësisë nuk i hetoi dhe nuk i sqaroi deri në fund rrethanat e vrasjes së tij. Vrasja e Ilir Konushevcit duhet shtruar me të gjithë emrat dhe motivet e saj, para drejtësisë dhe para historisë”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Për një ushtri luftëtarësh të lirisë si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e themeluar dhe e ngritur krejtësisht nga fillimi prej vullnetarësh, një nga sfidat më të vështira qe furnizimi me armë dhe municion. Historia e logjistikës së UÇK-së, ka për kryepersonazh një nga luftëtarët me kontributin më të madh dhe më të çmuar për çlirimin e Kosovës, Ilir Konushevcin – Mërgimin. Sot është përvjetori i 24-të i vrasjes së Ilir Konushevcit, më 9 maj 1998.
I lindur më 20 qershor 1969 në fshatin Llugë të Llapit, Ilir Konushevci i takon grupeve të para të armatosura që zgjodhën rrugën e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore. Më 13 maj 1992, Iliri së bashku me shokë themeluan grupin ilegal “Shqiponjat” që një vit më pas, bashkëpunoi edhe me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Nga qershori i vitit 1996, Iliri u bë i afërm me grupin e Zahir Pajazitit e Hakif Zejnullahut, të cilët bashkë me Edmond Hoxhën ranë më 31 janar 1997, si dhe ishte i pandarë me Adrian Krasniqin deri në rënien e tij më 16 tetor 1997. Ilir Konushevci u kthye në drejtuesin e grupit kryesor të logjistikës së UÇK-së. Me dhjetëra herë, me shokë e kaloi kufirin që ndante Shqipërinë dhe Kosovën, duke furnizuar me armë dhe municione pothuajse të gjitha njësitet e UÇK-së. Grupi logjistik i Mërgimit, ishte kanali me prurjet më të mëdha furnizuese të UÇK-së, i cili ka lënë pas një dokumentacion historik shumë të vëllimshëm dhe të pasur me shënime dhe të dhëna për logjistikën e UÇK-së.
Natën e 8 majit 1998, Ilir Konushevci bashkë me doktor Hazir Malajn, shtëpia e të cilit ishte menduar për një bazë të re, u nisën nga Tirana për në fshatin Tpla të Tropojës, në përcjellje të një kamioni me armë që do të dërgoheshin drejt Kosovës. Rrugës nga Qafëmali drejt Bajram Currit, pas mesnatës, afër fshatit Miliskajë, ata ranë në një pritë të organizuar, ku Iliri fillimisht u plagos, kurse një nga atentatorët u plagos rëndë dhe vdiq. Iliri Konushevci dhe doktor Hazir Malaj u vranë në orët e para të 9 majit 1998, në Poravë. Në gjendjen gati anarkike në Shqipërinë kaotike të pas trazirave të vitit 1997, ku jo të gjithë e përkrahnin luftën e UÇK-së dhe ku vepronin edhe elemente të strukturave serbe, Ilir Konushevci u vra teksa po çonte dërgesën e fundit me armë drejt Kosovës, meqë kishte vendosur që tutje të qëndronte në Kosovë. Pas vrasjes së Zahir Pajazitit, Ilir Konushevci ishte figura kyçe e UÇK-së për Zonën Operative të Llapit. Megjithëse dorasit e Ilirit u zbuluan që më 1998, asnjë instancë e drejtësisë nuk i hetoi dhe nuk i sqaroi deri në fund rrethanat e vrasjes së tij. Vrasja e Ilir Konushevcit duhet shtruar me të gjithë emrat dhe motivet e saj, para drejtësisë dhe para historisë.
Përtej nga ajo çfarë lexohet në një letër të tij, ku ai thjesht është nënshkruar me “Ju përshëndes nga zemra, ushtari i UÇK-së Mërgimi”, Ilir Konushevci ishte ushtari ideal i lirisë, i denjë për pararendësin e tij Zahir Pajaziti të cilin e pasoi në detyra. Në kujtim të gjithë veprimtarisë dhe jetës së atij që ishte koka dhe zemra e logjistikës së luftës për çlirimin e Kosovës, sot nderojmë Ilir Konushevcin, Mërgimin e UÇK-së.
Të tjera
-
Ngjarjet e datës 27 prill
Organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Komisioni Qeveritar për Perso...
-
Ministria e Jashtme gjermane tregon për takimin me Kurtin
Zyra gjermane për Punët e Jashtme ka komentuar takimin që ka pasur ministrja ...
-
Osmani nesër me nderime te Memoriali për të Pagjeturit dhe për homazhe në Mejë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nesër do të bëjë nderime te Memoriali për...
-
Gjiganti zviceran “Lika Group” synon ta zbukurojë Prishtinën
Klanin mund ta kenë inspirim, që në Kosovë të fillojnë një ndërtim. Kompan...
-
Tërmeti me magnitudë 5.8 ballë godet Tajvanin
Një tërmet me magnitudë 5.8 ballë ka goditur Tajvanin. Tërmeti u regjistrua m...
-
Blinken: Kemi parë prova të përpjekjes së Kinës për të ndikuar në zgjedhjet e SHBA
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA ka parë prova të përp...
-
Kurti: Kur vendet autoritare po kërcënojnë me largim, Kosova me meritë kërkon anëtarësimin në KiE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka fol...
-
Ndërron jetë Bojan Tonçiq, gazetari serb që kundërshtoi Millosheviqin për luftën e Kosovës
Në moshën 57 vjeçare ka ndërruar jetë gazetari serb Bojan Tonçiq. Tonçiq d...
-
Abdixhiku në Hamburg këtë fundjavë, paralajmëron dy tubime
Kryetari I LDK-së, Lumir Abdixiku ka njoftuar për agjendën që do ta ketë gjat...
-
Sandulloviq-Hillit: “Duhet t’ju vijë turp nga vetja”
Politikani serb, Nikolla Sandulloviq, e ka postuar një fotografi në platformë...
-
Mbahet ceremonia e lidhjes me internet të shkollës së 100-të në Republikën e Kosovës
Ministria e Ekonomisë, përmes Projektit të Kosovës për Ekonomi Digjitale (KOD...
-
Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit
Pretendimi i ngritur nga Vudi [Vedat] Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari...