Lajme

Kurti pas takimit të parë me Shiroka-Pulën: Na presin shumë sfida shtetërore, pranuam të bashkërendohemi maksimalisht

Autori: Gazeta inFokus 12:36 | 08 October 2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi tashmë ka institucione plotësisht funksionale, pas më shumë se një viti e gjysmë, duke theksuar se nuk ka kohë për të humbur përballë sfidave shtetërore.

Këto deklarata Kurti i bëri pas takimit të parë zyrtar me presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, të cilin e cilësoi si një takim të përzemërt dhe me zotim të përbashkët për bashkëpunim institucional.

“Ishte një takim i parë me presidenten e re të Republikës, profesoreshën Justina Shiroka-Pula. Mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha e të përditshme për interesin shtetëror e publik, për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim”, deklaroi Kurti.

-Advertisement-

Kryeministri tha se e ka falënderuar presidenten për pranimin e kandidaturës për këtë post, duke theksuar se tashmë i presin angazhime të shumta.

“Unë e falënderova shumë zonjën presidente, e cila na ka nderuar me pranimin e saj për kandidaturën të martën, dhe tash na presin shumë punë dhe shumë angazhime, të cilat natyrisht që me vullnet të mirë dhe me gjithë dijen dhe përgjegjësinë që kemi, do t’i shpijmë përpara sa më shpejt që mundemi”, u shpreh ai.

Kurti theksoi se funksionalizimi i plotë i institucioneve duhet të pasohet me angazhim të përbashkët për çështjet me rëndësi për vendin.

“Republika e Kosovës më në fund, pas më shumë se një viti e gjysmë, ka institucione plotësisht funksionale dhe tash natyrisht që nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, tha kryeministri.

Ai shtoi se gjatë takimit ka gjetur gatishmëri të plotë nga presidentja e re për bashkërendim institucional.

“Unë hasa jo vetëm në mirëkuptimin, por edhe në ndjeshmërinë, interesin dhe në vullnetin e presidentes së re që të bashkërendohemi maksimalisht për të gjitha gjërat, në çdo aspekt”, përfundoi Kurti./Gazeta Infokus 

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy