Lajme

Kurti kujton vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën: U kanë lënë trashëgimi historisë moderne të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 14:20 | 17 January 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 41 vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvllës dhe Kadri Zekës, shkruan Gazeta inFokus.

Kurti përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka shprehur krenarinë për dy dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, duke vlerësuar lartë kontributin e tyre.

”Deklaroj se mua J.G., vëllanë tim B.G. dhe shokun i vrau policia e fshehtë jugosllave… për të vetmen arsye se ne luftojmë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës… dhe që Kosova të jetë Republikë… Kaq kisha.” – Me këto fjalë i ka përshkruar çastet e fundit të jetës së Jusuf Gërvallës, shkrimtari Ismail Kadare, në tregimin e tij “Baladë për Jusuf Gërvallën”.  Por ky nuk është vetëm një dialog letrar, sepse ky tregim rrëfen një ngjarje të vërtetë historike. Si sot, plot 41 vite më parë, më 17 janar 1982, shërbimi sekret i Jugosllavisë vrau në Untergrupenbach pranë Heilbronnit në Gjermani, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën. Arsyeja e këtij atentati kriminal të autoriteteve të Serbisë, ishte aktiviteti i tyre për më shumë liri, për liri të plotë për shqiptarët, për çlirimin e Kosovës, për Republikën e Kosovës!

-Advertisement-

Profili i Jusuf Gërvallës është ai i një personaliteti kompleks, i një gazetari dhe aktivisti, i një poeti dhe këngëtari, si dhe i një patrioti që formimin e tij intelektual e përktheu në aktivitet politik, thellësisht politik. Ashtu siç edhe ai i Kadri Zekës, gazetarit dhe poetit, që artikuloi edhe në teza politike aktivitetin e tij dhe të shokëve të tjerë, në organizatat politike ilegale të kohës.

Jusufi na ka lënë shumë këngë bashkë me vëllain e tij Bardhoshin që ende dëgjohen dhe këndohen, siç na ka lënë dhe një trashëgimi letrare origjinale që vazhdon të lexohet dhe studiohet. Por mbi të gjitha, ai i ka lënë trashëgimi historisë moderne të Kosovës dosjen e tij, që nuk është vetëm dosja e vetë Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut, por është edhe dosja e një kohe kur Serbia shtypte dhe diskriminonte shqiptarët mbi baza etnike, burgoste, përndiqte dhe vriste ata që kishin guxim qytetar dhe vullnet politik për të kundërshtuar politikat e saj dhe për t’u ngritur kundër gjendjes së shqiptarëve në Jugosllavi.”, ka shkruar Kurti./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera