Lajme

Kur mund të merret vendimi për Ligjin e Pagave? Flasin nga Gjykata Kushtetuese

Autori: Gazeta inFokus 19:34 | 12 April 2023

Gjykata Kushtetuese është duke e proceduar lëndën për Ligjin e Pagave.

Kjo, pasi që i njëjti është dërguar në këtë institucion të premten e kaluar nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Kështu, kanë thënë në një përgjigje për Front Online nga Gjykata Kushtetuese.

-Advertisement-

Derisa kanë shtuar se nuk ka ndonjë afat kohor për të marrë vendim rreth kësaj çështjeje.

“Kjo kërkesë është parashtruar të premten e kaluar, më 7 prill 2023, dhe aktualisht është duke u proceduar. Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast”, ka thënë drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim, Veton Dula.

Sipas tij, Kushtetuesja sikurse edhe kërkesat e tjera edhe këtë është duke e trajtuar me seriozitetin më të lartë.

“Si çdo kërkesë tjetër të parashtruar nga institucionet, Gjykata është duke e trajtuar edhe këtë rast me seriozitetin dhe përkushtimin më të lartë, dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët dhe opinioni”, është shprehur Dula për Front Online.

A do t’i marrin pagat punonjësit e sektorit publik me ligjin e ri derisa ai është në Kushtetuese?

E, deri sa ky ligj është në Kushtetuese dhe nuk ka ndonjë vendim rreth tij nga kjo e fundit, mbi 80 mijë punonjës të sektorit publik do t’i marrin pagat sipas ligjit aktual i cili është në fuqi.

Këtë e ka bërë të ditur për Front Online, Eranda Zekaj, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

“Meqenëse Avokati i Popullit me dorëzimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese nuk ka propozuar Masë të Përkohshme për pezullimin e ligjit, punëtorët e sektorit publik do t’i marrin pagat sipas ligjit aktual në fuqi. Mirëpo, vlen të theksohet fakti se Gjykata Kushtetuese sipas detyrës zyrtare mund të vendos masë të përkohshme me qëllim të pezullimit të dispozitave të kontestuar nga Avokati i Popullit, nëse marrja e këtyre masave është në interes publik, edhe kur ky i fundit nuk paraqet kërkesë për një çështje të tillë”, është shprehur Zekaj, për Front Online.

Ajo ka treguar edhe se cilat kanë qenë shkeljet që janë gjetur nga ta, e të cilat kanë bërë që të dërgojnë ankesë te Institucioni i Avokatit të Popullit(IAP).

“Fillimisht, ky ligj nuk ka një zgjidhje adekuate në raport me nëpunësit e sektorit publik të cilët ndikohen negativisht (në aspektin e përcaktimit të rregullave adekuate për mbrojtjen e nëpunësve nga ulja e pagave, që aplikohen për të kaluarën). E ndjekur nga dispozita që bien në kundërshtim me Aktgjykimi nr. KO219/19 dhe në kundërshtim me opinionet e Komisionit të Venecias, të cilat kanë krijuar tashmë praktikë dhe standard ndërkombëtar, në raport me pagat në sistemin gjyqësor dhe prokurorial”.

“Gjersa, në disa raste të tjera kemi gjetur se ligji në fjalë përmban dispozita të cilat paraqesin trajtim të pabarabartë të nëpunësve të sektorit publik, aspekt ky që paraqet shkelje të nenit 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Duke pas për bazë këto probleme Zekaj, thotë se i njëjti rrezikon anulimin e disa neneve, por se edhe mund të shfuqizohet në tërësi.

“Ligji me këto probleme rrezikon anulimin e disa neneve të tij, mirëpo nëse këto nene cenojnë tërësinë e ligjit, ky ligj mund të ketë fatin e njëjtë sikurse Ligji paraprak, i cili ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ndër të tjera Zekaj.

Zekaj, ka sqaruar edhe procedurat që ndiqen tash nga Gjykata Kushtetuese dhe afatet.

“Me dorëzimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit, Sekretaria e GjK-së dorëzon një kopje palës kundërshtare dhe palëve të tjera në procedurë, me ç’rast pala kundërshtare ka dyzet e pesë (45) ditë nga pranimi i kërkesës për të dorëzuar përgjigjen e saj, të arsyetuar dhe me provat e nevojshme. Në rastin kur kjo përgjigje nuk është e qartë apo e kompletuar, gjyqtari raportues cakton një afat prej 15 ditësh për palën për të plotësuar përgjigjen. Më pastaj, dokumentacioni shqyrtohet nga gjyqtari raportues, i cili brenda 30 ditëve do të raportojë lidhur me faktet, lejueshmërinë dhe themelësinë e kërkesës”, ka sqaruar ajo.

Sipas saj pas kësaj procedure, kolegji shqyrtues duhet të vendosë nëse kërkesa i plotëson kushtet formale për procedim të mëtutjeshëm.

E, në rastin kur kolegji shqyrtues vendosë mbi pranueshmërinë e kërkesës, lënda i dërgohet trupit gjykues.

Dhe, si përfundim, Trupi gjykues shqyrton në tërësi lejueshmërinë dhe themelësinë e kërkesës dhe merr vendimin.

Gashi: Besojmë se Kushtetuesja do ta vlerësoj drejt Ligjin e Pagave

Ky ligj ishte kundërshtuar nga pothuajse të gjitha sindikatat në vend.

Të njëjtat tash janë në pritje të vendimit të Kushtetueses dhe po thonë që vendimin e kësaj të fundit do ta pranojnë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës Publike, Ali Gashi thotë për Front Online se besojnë në verdiktin e Kushtetueses cili do qoftë ai.

“Një ligj i cili nuk iu ka nënshtrua transparencës dhe hapjes në kuptimin e mirëfilltë të fjalës ka ardhë ekskluzivisht nga Qeveria dhe si i tillë ka krijuar shumë telashe, shumë probleme dhe rrjedhimisht tani ai ligj gjendet në Gjykatën Kushtetuese dhe ne besojmë tek verdikti i Kushtetueses dhe besojmë fuqishëm që Gjykata Kushtetuese do ta vlerësojë drejt ashtu siç është në mandatin dhe kompetencën e saj dhe sido që të jetë vendimi i saj do të jetë i pranueshëm”, është shprehur Gashi.

Ai thotë se nuk mund të flet rreth vendimit të Kushtetueses, pasi është kjo e cila ka kompetencën e plotë se si të vendos rreth këtij ligji.

“Nuk kemi ndonjë deklaratë për arsye se është në kompetencën dhe në diskrecionin ekskluziv të Gjykatës Kushtetuese por unë besoj që Kushtetuesja si organi më i lartë kushtetues në Kosovë din dhe ka kapacitet ta trajtojë drejt, dhe unë besoj që ky ligj do të dalë nga Gjykata Kushtetuese i rregulluar dhe kërkoj nga Qeveria që pastaj sipas aktgjykimit të Kushtetueses të veprojë dhe ta rikuperojë ligjin ashtu si do të del nga kjo gjykatë”, ka thënë Gashi.

Kryesindikalisti i Policisë: Me një rekomandim të Kushtetueses mund të përmirësohet Ligji i Pagave

Kurse, nga Sindikata e Policisë thonë se me një rekomandim të Kushtetueses, Ligji i Pagave mund të përmirësohet.

“Ky ligj me një rekomandim të Gjykatës Kushtetuese mund të përmirësohet pa u hudh krejt ligji i Pagave. Por të shohim pasi që Gjykata do të bazohet edhe në kërkesat dhe ankesat tjera që janë adresuar”, ka thënë për Front Online kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

Sipas tij, për sindikatën e Policisë më mirë është që të jeteper nëj rekomandim në kërkesat e tyre që i aknë adresuar.

“Verdiktin se dim ne, por ka shumë kërkesa dhe kërkesat që i kemi dërgua ne si sindikatë e Policisë në bazë të kërkesave tona më mirë është që Gjykata të jep një rekomandim që të përmirësohet në ato kërkesat tona që janë para se me vendos për me i hudh, mirëpo vendimin e Gjykatës Kushtetuese po mendoj që nuk ka mundësi askush me ndikua”, është shprehur Zeqiri.

Ndryshe, Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallë të pavlefshëm.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

“Shkeljet kushtetuese të evidentuara në Ligjin e kontestuar janë të një peshe aq serioze, sa që të njëjtat ndikojnë në bërthamën e funksionimit të qeverisjes në Republikën e Kosovës – duke shkaktuar çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe Institucioneve të Pavarura”, thuhej ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera