Lajme

Kryetari i Mitrovicës së Veriut s’përjashton barrikadat, pas nisjes së gjobave

Autori: Gazeta inFokus 11:58 | 01 November 2022

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, ka thënë se Policia e Kosovës në vendkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak ka filluar të japë qortime, por thotë se kjo s’do të ndryshojë qëndrimin e serbëve në veri të Kosovës lidhur me konvertimin e targave.

Ai, në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, tha se nuk do të ketë incidente deri kur të shqiptohet gjoba e parë, ku faza e gjobave, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, nis më 21 nëntor.

“Serbët në veri të Kosovës realisht nuk janë kërcënim për askënd, ne duam të jetojmë një jetë të denjë. Nuk do të ketë incidente apo probleme nga ana jonë, derisa të shqiptohet gjoba e parë, e cila mund të ndodhë sipas njoftimit të Prishtinës për 21 ditë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë në terren”, ka theksuar Radojeviq, transmeton Klankosova.tv.

-Advertisement-

Ai thotë se serbët janë të vendosur që të mos bëjnë asnjë ndryshim sa i përket targave.

“Pyetja është se si do të zbatohej ai vendim në terren, sa i përket shkrimit të dënimeve. Unë kam besim absolut te njerëzit në Drejtorinë Rajonale Veri dhe mendoj se do të marrin vendimin e duhur në interes të njerëz”.

Madje, kryetari i Mitrovicës së Veriut nuk e përjashton mundësinë e barrikadave kur të nisë shqiptimi i gjobave, duke thënë se me targat “KM” s’mund të udhëtohet në Kosovë për shkak të ‘tekave’ të Albin Kurtit.

“Nuk mund ta imagjinoj një situatë ku Policia e Kosovës t’i shkruajë gjoba autoambulancës apo autobusit që transporton fëmijët tanë dhe ne të qëndrojmë mënjanë dhe kjo vetëm, sepse ai ka targa KM me të cilat mund të udhëtojë kudo në botë përveç Kosovës për shkak të tekave të një njeriu nga Prishtina”.

I pari i Mitrovicës së Veriut tha se shpreson që “në këto tri javë, bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion shtesë në Prishtinë dhe të ulë tensionet”.

“Ne nuk mund t’i bëjmë Prishtinës më shumë presion sesa kemi bërë deri më tani. Fakti është se kemi komunikim me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Me zbatimin e këtij vendimi vetëm sa i kontribuon përkeqësimit të situatës së sigurisë”, thotë Radojeviq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera