Lajme

Kritikohet Kurti: Në veri incidente të njëpasnjëshme, kryeministri në Austri në një takim të partive rajonale, simotra me VV-në

Autori: Gazeta inFokus 09:43 | 08 December 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot po qëndron  për vizitë në Austri.

Kurti pritet të marrë marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor, me temën “Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor TANI! Për një shoqëri sociale, demokratike, paqësore”, njoftoi dje Zyra e Kryeministrisë.

Vizita e Kurtit në Austri për të marrë pjesë në një takim të partive rajonale, simotra me VV-në, në kohën kur në veri janë duke ndodhur incidente të njëpasnjëshme e shpërthime në përpjekje për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, është kritikuar nga nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

-Advertisement-

“Kryeministri ka udhëtuar në Vienë sot, për një takim të partive rajonale, simotra me VV-në. Kaq.
#Prioritetet #SiguriaKombëtare”, ka shkruar Çitaku shkurt.

Kritika ka pasur edhe Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi,  i cili ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vendosur të ikë nga Kosova në kohë kritike.

“Sot, një kryeministër i papërgjegjshëm do të qëndrojë në Austri, në ngjarje të kota me majtistë dhe të parëndësishme për shtetin e Kosovës. Sot, ky kryeministër, ka hequr dorë nga kontrolli i veriut. Nuk ka asgjë më urgjente dhe më me interes për Republikën e Kosovës se të merresh me sovranitetin dhe integritetin territorial. Por, jo! Albin Kurti, në kohë kritike ka vendosur të ikë nga Kosova”, ka shkruar ai.

Ky Samit tashmë ka nisur dhe Kurti po merr pjesë në të, ku pritet të ketë edhe një fjalim.

Kjo është vizita e dytë e Kurtit brenda më pak se një muaji në Austri.

Kujtojmë se kërcënimet, incidente me granata dore, e shpërthime të tjera karakterizuan veriun e Kosovës edhe gjatë ditës së djeshme, si tentativë për ta parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, njëmbëdhjetë ditë para 18 dhjetorit.

Dy sulme me shok-bomba ndodhën në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Kosovës edhe mbrëmë.

Shpërthimet kanë ndodhur më saktësisht afër objektit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tek Lagjja e Boshnjakëve.

Nga Policia e Kosovës konfirmuan se këto sulme s’ka të lënduar e as dëme materiale.

Sulmeve të djeshme, i paraprinë ato të një dite më parë, ku incidente të njëpasnjëshme ndodhën Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.

Sulmet ndodhën në ditën kur zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor shkuan në veri për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Incidentet në veri, i konsideroi alarmante edhe ShBA-ja. Sipas ambasadorit Hovenier, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuar për faktin se aktualisht, mungojnë kushtet e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

Si nga Presidenca, ashtu edhe nga Qeveria, deklaruan se është kërkuar vlerësimi i organeve të sigurisë për të vazhduar me hapa të mëtejmë, derisa mundësinë për shtyrjen e afatit e lanë të hapur të dyja.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Meridian Express hap marketin e ri në qytetin e Mitrovicës Veriore!
-Advertisement-

Të tjera