Lajme

Krasniqi i reagon PDK-së: Kur zgjidhen kryetarët, biejnë poshtë uniformat partiake

Autori: Gazeta inFokus 09:59 | 22 May 2023

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka hedhur poshtë deklarimet e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët ditën e diel deklaruan se ky dikaster po ushtron presion dhe nënçmim ndaj dy kryetarëve të zgjedhur në Zubin Potok dhe Zveçan, për marrjen e detyrës.

Ministri Krasniqi në një deklaratë ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e zgjedhur dhe se nuk kanë asnjë problem nga ana e Ministrisë.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e zgjedhur. Në momentin që zgjidhen kryetarët aty biejnë poshtë këto uniformat partiake, edhe fillojnë me u trajtu në vija institucionale. Me katër kryetarët jemi taku vazhdimisht edhe jemi duke e koordinuar gjithë procesin”, është shprehur ai.

-Advertisement-

Krasniqi shtoi tutje se, janë në pritje të ftesës për mbajtjen e seancës dhe se do të vazhdojmë me përgjegjësit e tyre si Ministri e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

Krasniqi ritheksoi se nuk kanë asnjë problem si Ministri me Partinë Demokratike të Kosovës, por nëse dikush dëshiron të politizojë çdo segment, atëherë ai nuk ka çfarë të diskutojë.

“Ne jemi në koordinim me kryetarët dhe jo me partitë, janë disa procese që munden të bëhen publike dhe disa deri të koordinohen, por çdo gjë është brenda afateve ligjore. Prej pikëpamjeve të mia jo nuk ka probleme, nëse dikush dëshiron me politizu secilën segment nuk kam çfarë diskutoj më shumë”, ka deklaruar ai për Telegrafin.

Vlen të përmendet se ditën e diel, sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi, akuzoi Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal për presion ndaj kandidatëve.

Gjoshi kishte deklaruar se komunat kanë thirrur seancat solemne për dhënien e betimit, por, sipas tij, ministri i Pushtetit Lokal dhe zyrtarë të kësaj ministrie, kanë ushtruar vazhdimisht presion për ndërrimin të datës dhe lokacionit për mbajtjen e seancave.

“Të dy komunat kanë thirrur seancat solemne për dhënien e betimit, por, Ministri i Pushtetit Lokal dhe zyrtarë të kësaj ministrie, kanë ushtruar vazhdimisht presion për ndërrimin të datës dhe lokacionit për mbajtjen e seancave.

Këto veprime të këtyre zyrtarëve nuk janë të bazuara në asnjë arsye legjitime, të cilën, ne do ta respektonim pa asnjë problem. Madje, as shkresë zyrtare në lidhje me këto kërkesa nuk kemi pasur. Prandaj, i gjithë ky teatër, është një tendencë për nënvlerësuar dhe dekurajuar Kryetarët tanë, të zgjedhur në këto dy komuna”, ka thënë ai.

Ndryshe, në zgjedhjet e 23 prillit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq, ndërsa në Zveçan dhe Zubin Potok të parët kanë dalë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut ka marrë tashmë detyrën, ndërkaq për tre kryetarët tjerë ende nuk është bërë caktimi i seancës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera