Lajme

Kosova përfituese e miliona eurove për lëshimin për shfrytëzim të burgut të Gjilanit

Autori: Gazeta inFokus 16:26 | 27 June 2023

Komisioni për Legjislacion miratoi sot ratifikimin e traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Para deputetëve, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi kryesori i këtij traktati është thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Danimarkës, ani pse nga kjo ujdi pesëvjeçare Kosova përfiton 15 milionë euro si tarifë vjetore për lëshimin për shfrytëzim të burgut, ndërkaq merr edhe 30 milionë euro për energjinë e gjelbër dhe sundimin e ligjit.

“Kosova çfarë do të bëjë është se institucionin korrektues në Gjilan do të lëshojë në shfrytëzim ose me qira për Mbretërinë e Danimarkës. Për këtë qëllim çka përfiton Kosova, ose arsyeja që unë e kam vazhduar këtë marrëveshje është vetëm për shkak të rëndësisë që Kosova të ketë pranë vetës vende partnere dhe t’iu gjendet atyre kur ata kanë nevojë… Prandaj këtë nuk e kam bërë për përfitime të Kosovës, mirëpo marrëveshja është për pesë vite dhe janë dy marrëveshje që janë negociuar. Marrëveshja e parë ndërmjet dy ministrive të Drejtësisë që shteti danez obligohet t’i paguaj Kosovës tarifë vjetore prej 15 milionë euro në vit. Ndërsa sa i përket çështjes së marrëveshjes që është nënshkruar mes ministrive të Financave, për energjinë e gjelbër dhe sundimin e ligjit, Kosova përfiton 30 milionë euro”, tha ajo.

-Advertisement-

Megjithëse shprehu përkrahje në parim për këtë traktat, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ngriti shqetësime se mund të mos respektohen të drejtat e njeriut në këtë qendër korrektuese.

“Të dënuarit që vijnë asnjëri nuk është danez. A ju shkelen të drejtat atyre, pasi në këtë rast përgjegjësinë e ka Danimarka, jo ne”, theksoi ai.

Por, ministrja Haxhiu tha se Danimarka ka marrë përsipër respektimin e të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria.

Ajo shtoi qendra korrektuese në Gjilan do të menaxhohet në tërësi nga Danimarka, ndërkaq theksoi se s’do të ketë të burgosur për terrorizëm dhe krime lufte.

“Qeveria e Danimarkës si palë nënshkruese ka marrë përsipër që në bazë të obligimeve ndaj konventave ndërkombëtare të marrë mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria. Nuk është obligim i Kosovës, pasi burgu i Gjilanit do të menaxhohet nga Mbretëria e Danimarkës. Rregullat dhe legjislacioni për trajtimin e tyre do të vlejnë sipas rregullimit ligjor në Danimarkë dhe Kosova se ka asnjë obligim në këtë drejtim”, theksoi Haxhiu.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha se kjo marrëveshje më shumë është në avancimin e raporteve Kosovë-Danimarkë, pasi s’ka asnjë arsyetim tjetër për t’i lëshuar hapësirat e saj për të burgosur të vendeve të tjera.

“Si LDK këtë e kemi pa më shumë në kontekst të avancimit të raporteve me shtetin danez. Asnjë shpjegim tjetër nuk po mundem të gjejë, përpos në funksion të asaj që e kemi një shtet mik dhe na ka kërkuar me ia bërë këtë nder. Përndryshe nuk ka asnjë arsyetim tjetër për të thënë që Kosova është e gatshme të lëshojë hapësirat e saja për të burgosur për vendet e tjera”, tha Selmanaj.

Komisioni në mbledhjen e sotme miratoi edhe Projektligjin për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera