Ekonomi

Koronavirusi ua hëngri 1.2 milionë euro pensionistëve kosovarë

Autori: Halil Berisha 13:05 | 14 May 2020

Koronavirusi ka filluar ti haj paratë e pensionistëve kosovarë. Kështu tregojnë të dhënat e fundit nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti).

Sipas zyrtarëve të këtij institucioni prej fillimit të vitit, deri më 8 maj, pensionet e kosovarëve janë tkurrur për 1.2 milionë euro.

Këtë e kanë konfirmuar për gazetën inFokus edhe në Fond.

-Advertisement-

“… institucioni e kishte mbyllur vitin 2019 me mjete nën menaxhim  €1,966,956,583 ndërsa aktualisht, më 8 maj (deri kur të dhënat janë në dispozicion, i kemi nën menaxhim €1,965,736,247”, ka thënë në një përgjigje për inFokus, Jeton Demi, zëdhënës i Trustit.

Në këtë institucion thonë se kanë marrë masa për të evituar humbjet.

“Sa i përket lëvizjeve afatshkurtra, siç është kjo që po ndodh në gjysmën e parë të këtij viti, ju informojmë se institucioni ka marrë masa duke reduktuar ndjeshëm ekspozimin e investimeve ndaj instrumenteve me risk më të lartë, si dhe ka vazhduar të shtojë investimet brenda vendit, që tashmë zënë rreth 30% të totalit të investimeve të FKPK-së, ose 573 milionë euro”, ka bërë të ditur Demi.

Megjithatë, me deklarimet e zyrtarëve të trustit se performanca në kohë afatgjate ngelet pozitive dhe e kënaqshme, nuk pajtohen njohësit e ekonomisë.

Medain Hashani, profesor i ekonomisë, nuk është aspak optimist për të ardhmen e parave të pensioneve që menaxhon Trusati, shkruan gazeta inFokus.

Në një përgjigje për gazetën inFokus, Hashani po thotë që duke përcjellë veprimet që po bën menaxhmenti në Kosovë pritet që këtë vit Fondi i Kursimeve Pensionale të goditet edhe më shumë se në krizën e vitit 2008.

“Nëse e analizojmë vitin 2020 nga data 31.12.2019 deri me datën 08.05.2020 pasi qe deri me këtë datë ka informata, kemi rënje të mjeteve për 1 milion e 220 mije euro. Pra në vitin 2020 kemi humbje të mjeteve nga 31.12.2019 deri me datën 08.05.2020 në shumën prej  1 milion e 220 mijë euro”, ka thënë Hashani.

Sipas tij, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar mjetet e Trustit kanë qenë 1 miliard e 966 milion e 736 mijë ndërsa me datën 08 maj të këtij viti janë 1 miliard e 965 milion e 736 mijë euro.

Kjo humbje ai thotë se do të jetë edhe më e madhe.

“Sa i përket kësaj, nëse vetëm i analizojmë investimet e pasigurta që janë duke i bërë krahasoni vendimet e datës 27.03 dhe datës 27.04.2020 të mbledhjeve të Bordit, druaj se do të kemi humbje edhe me të madhe këtë vit se në vitin 2008”, Vlerëson Hashani.

Megjithatë, në TRUST thonë që në këtë kohë nuk kanë ndonjë parashikim se si do të jetë gjendja në fund të vitit.

“Për vitin aktual nuk mund të kemi ende parashikime, proces ky krejtësisht i pamundur në kushtet aktuale”.

Por, profesori i ekonomisë e sheh si papërgjegjësi të menaxhmentit të TRUST-it rrezikun që po u kanoset mjeteve që kanë në menaxhim ky institucion.

“Nëse e analizojmë tani në vitin 2020 mbledhjen e kanë mbajtur me datën 27.03.2020. Kjo tregon papërgjegjësinë që e kanë ky Bord, duke i ditur trendet negative në Ekonominë Globale, nuk e kanë parë të rrugës të mbajnë mbledhje më herët”, është shprehur ai.

Madje pikërisht në këtë kohë, kur ekonomia në gjithë botën ka trend negativ, Bordi i Trustit ka marrë vendim të investoj 60 milionë euro në tregun ndërkombëtarë.

Megjithatë, “duke i pare rreziqet qe i kane ne investime me datën 27.04.2020 ne mbledhjen e mbajtur Bordi ka marrur vendim qe ti eliminoj investimet ne Ishare ne shumen prej 101 milionëve. Andaj kjo le shume për te dyshuar diçka”, tregon Hashani.

Madje, dyshon që këto mund të bëhen qëllimshëm për përfitime, shkruan gazeta inFokus.

“Organizimi i punës ne Fondin e Kursimeve Pensionale te Kosovës, është pothuajse jo i mire. Kjo ndërlidhet me faktin se orientimi i investimeve është i gabuar. Pasi qe nëse i marrim për bazë humbjet e trustit pensional nga fillimi deri ne fund te vitit 2019 janë, ne vitin 2008 rreth 92 milion, pastaj në vitin 2018 rreth 85 milion. Andaj Trusti gjatë periudhës 2002-2019 për dy vite të menaxhimit të parave të kursimeve pensionale i ka humbur 177 milionë euro”.

E një nga idetë që e jep Hashani që sipas tij do të ishte më e duhur se investimet e rrezikimi i parave jashtë është edhe afatizimi i këtyre parave brenda Kosovës.

“Andaj investimi i mjeteve te fondit ne Kosove vetëm me i afatizuar këto mjete me 1 % interes fitimi ne vit do te ishte 20 milion euro ne vit, nëse do te investohej ne bonot e thesarit te cilat i ka bere Ministria e Financave ne Kosove fitimi do te ishte edhe me i larte”.

Orientimi i investimeve Hashani thotë se duhet të behet kryesisht në Kosovë dhe të analizohet më detajisht puna e Bordit te Fondit te Kursimeve Pensionale dhe Menaxhmentit të lartë./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera