Opinione

Konventa e Kongresit të Berlinit (1878)

Autori: Gazeta inFokus 09:56 | 31 July 2017

Shkruan: Jahja Lluka

Me rastin e 104 vjetorit te Kongresit te Berlinit dhe copëtimit të trojeve shqiptare, publikojmë edhe njëherë Konventën e Kongresit të Berlinit. Shqiptarët u përfaqësuan në këtë Kongres nga dy intelektualët më të shquar, Abdyl Frashëri e Jani Vreto. Por, delegacioni shqiptar doli bosh nga aty.

Në emër të Zotit të Plotëfuqishëm,

-Advertisement-

Shkëlqesia e Tij, Mbreti Gjerman i Prusisë, Shkëlqesia e Tij, Perandori i Austrisë, Mbreti i Bohmen-it dhe Mbreti Apostolik i Hungarisë, Presidenti i Republikës Franceze, Mbretëresha e Britanisë së Madhe dhe Irlandës, Perandoresha e Indisë, Mbreti i Italisë, Mbreti i Osmanëve, të ndikuar nga dëshira për të kthyer rregullin dhe sigurinë në Evropë, sipas udhëzimeve të Marrëveshjes së Parisit, të datës 30 Mars 1856, dhe për të mbyllur çështjet e hapura, të cilat kanë ngelur të tilla, si shkak i zhvillimeve të fundit në orient dhe përgjatë luftës së fundit, edhe pse disa të rregulluara me Marrëveshjen e Shën Stefanit, është parë e arsyeshme të mblidhen të gjitha Fuqitë e Mëdha dhe palët e prekura, që të nënshkruhet kjo marrëveshje për të dhënë lehtësime në zgjidhjen e këtyre kontesteve.

Artikulli 1.

Bullgaria shpallet një mbretëri autonome tribut-paguese ndaj Shkëlqesisë së Tij Sulltanit të Madhërishëm, ajo do ketë një udhëheqje të krishterë dhe një milici kombëtare.

Artikulli 2.

Mbretëria e Bullgarisë do të përfshijë këto territore/toka:

Kufiri në Veri do të shtrihet deri në shtratin e djathtë të Danubit, deri në kufirin e mëhershëm të Serbisë, deri tek pikat e para-caktuara nga Komisioni, në Lindje deri tek Silistria dhe nga aty në Jug deri tek Deti i Zi në Mangalia, e cila do t’i bashkohet territorit të Rumanisë. Deti i Zi përbën kufirin Lindor të Bullgarisë. Në Jug kufiri ngritet nga bashkimi i lumit tek fshatrat Hodzakioj, Selam-Kioj, Aivadsik, Kulibe, Sudzuluk nëpër rrugën malore lart, drejt Belibes dhe Kemhalik në veri nga Hadzimahale pranë Deli Kamczik, 2. 5 km përmbi Cengei, deri sa të arrihet Kamm, ndërmjet Tekenelikut dhe Aidosbredzas tek pikat nëpërmjet Karnabad Balkan, Prisevica Balkan, Kazan Balkan, në verë, deri në Kotel dhe pastaj deri në Demir Kapu. Vija kalon përmes rrugës kryesore të Ballkanit, e cila vazhdohet deri në Majën e Kosice-s.

Aty e ndalon Kamm-in e Balkanit, vazhdon në Jug deri në fshatrat Pirtop dhe Dizanci, ku e para i takon Bullgarisë, ndërsa kjo e dyta Rumelisë Lindore, deri në lumin Tuzlu Dere, poshtë lumit deri në bashkimin me lumin Topolnica, ashtu që këta dy lumenj vazhdojnë bashkimin me lumin Smovskio Dere tek fshatrat Petricevë, ku kalojnë pranë Rumelisë Lindore, territor dylimetërsh, që i takon kësaj të fundit. Pastaj ngritet lart nga lumi Smovskio Dere dhe Kamenica, në Jug-Perëndim tek Maja e Voinjakut bëhet kthimi nga pika 875, për të arritur tek kufiri austriak.

Vija kufitare kalon në vijë të drejtë shtratin e sipërm të lumit Ichtiman Dere dhe ndërmjet Bodina dhe Karaula, për të kaluar tek shtrati i lumit Isker dhe Marica, pastaj duke ndarë Camurli dhe Hadzilar-in ne atë vijë ndërmjet Majave të Velina Mogila dhe Shalës 531, Zmailica vrh, Sumnatica dhe e arrinë kufirin administrativ të Sandjak-ut, nga Sofia ndërmjet Sivri Tas dhe Cadir Tepes. Nga Cadir Tepe kufiri vazhdon në drejtim të Jug-Perëndimit, në vijën e lumit, ndërmjet shtratit të Mesta Karasu, në njërën anë dhe Struma Karasu, në anen tjetër, përmbi Kamm-it të bjeshkëve të Rhodope-s, të emërtuara Demir Kapu, Iskoftepe, Kadimesar Balkan dhe Aji Geduk, deri në Kapetnik Balkan, dhe kështu bashkohet me vijën administrative kufitare të Sanxhakut dhe Sofjes. Nga Kapetnik Balkani poshtë vazhdon kufiri ndërmjet lumenjve Thalern i Rilskas dhe Bistricës dhe vazhdon bjeshkëve të Vodenikës, për të vazhduar në lugun e Strumas, në bashkimin e këtyre dy lumenjve të fundit me Rilskan. Fshati Barakli, në Turqi, mbetet në territorin bullgar.

Kufiri vazhdon në drejtimin jugor, nga fshatrat Jelesnica, lart, për të arritur në vijën më të shpejtë tek ‘zinxhiri’ i Maleve të Golemit dhe Majën e Gitkës dhe pastaj për të vazhduar kufirin e vjetër administrativ të Sanxhakut të Sofjes, mirëpo shtratin e lumit Suha ia lë territorit turk. Nga Maja e Gitkës, kufiri perëndimor vazhdon nga bjeshket Crni Vërh, ndërmjet bjeshkëve të Karvena Jabukës, duke kaluar kufirin administrativ të Sanxhakut të Sofjes, ku pjesët e sipërme të shtratit të lumit Egrisu dhe Lepnika vazhdojnë me vijën e njëjtë në Kamin e Babinës dhe mbarojnë tek bjeshkët e Crni Vërhut. Nga bjeshkët e Crni Vërhut, vazhdon kufiri nëpërmjet vijës lumore ndërmjet Strumës dhe Moravës, deri tek Maja e Streserit, Vilogolos dhe maleve Mesid, dhe arrin në Gacina, Crna Trava, Darkovsda dhe Dranica Plana, pastaj vazhdon nga Descani Kladanec, në vijën lumore të Sukoëa-s dhe Moravës, drejt në Stol dhe bie poshtë për 1000 metra, në Veriperëndim të fshatit Sagusa, rrugës së Sofjes, për në Pirot. Prapë vazhdon në vijë të drejtë, nga malet e Vidliçit, dhe nga aty në Majën Radocina, në vijë të Kodza Balkan lart, me ç’rast fshatin Doikinci ia lë Serbisë dhe fshatin Senakos Bullgarisë.

Nga Maja e Radocinës vazhdon kufiri në Perëndim, drejt Kammit të Balkanit, nëpër Ciprovec Balkan dhe Stara Planina, deri në kufirin e vjetër lindor të mbretërisë së Serbisë, tek Kulla Smiljova Cuka, dhe nga aty afër vijës së vjetër kufitare të Danubit, për të arritur tek Rakovica. Ky kufi do të vendoset menjëherë nga një Komision Europian dhe do të hyjë në fuqi menjëherë, duke u nënshkruar nga fuqitë e mëdha pjesëmarrëse. Këtu është vendosur që:

1. Komisioni i lartëcekur do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që lartmadhërinë e tij Sulltanin e Madhërishëm ta lejojë t’i mbrojë kufijtë e Rumelisë-Lindore si dhe

2. Në perimetër prej 10 km përreth Samakovës nuk lejohet të ngriten mure mbrojtëse.

Artikulli 3.

Mbreti i Bullgarisë do të zgjedhet në zgjedhje të lira nga populli i vet, dhe do të mbështetet nga Porta e Madhe, ne lidhje me fuqitë e tij. Asnjë familjar i udhëheqësve të lartë europianë nuk ka të drejtë të zgjedhet Mbret i Bullgarisë. Nëse ‘lirohet’ përsëri pozita mbretërore, atëherë mbreti i ardhshëm do të zgjidhet sipas procedurës së njëjtë, me të njëjtat rregulla.

Artikulli 4.

Sipas takimit së mbajtur në Tirnovo, ndërmjet udhëheqësve bullgarë, është vendosur që udhëheqësit e vendit të rregullojnë çështjen e oborrit mbretëror. Në ato vende ku bashkëjetojnë bullgarët me turq, rumunë, grekë ose popuj të tjerë, ateherë interesat dhe të drejtat e atyre popujve do të përfaqësohen nga të zgjedhurit e tyre, të cilët do të jenë përgjegjës për ata pastaj.

Artikulli 5.

Rregullat e mëposhtme do të paracaktojnë të drejtën publike ne Bullgari:

Dallimet fetare dhe bindjet fetare nuk kanë të drejtë asnjëherë të bëhen shkas për ndonjë diskriminim të mundshëm të besimeve të ndryshme. Dallimet fetare nuk kanë të drejtë t‘ia mohojnë askujt të drejtën e pjesëmarrjes në jetën publike, qytetare dhe qasjen në punët publike dhe private të Bullgarisë. Të gjithë do të kenë të drejtën e shprehjes së kulturave dhe feve të tyre personale, si bullgarët ashtu edhe të huajt. Asnjë nga dallimet fetare nuk ka të drejte të bëhet shkas për fyerjen apo diskriminimin e udhëheqësve fetarë të tyre.

Artikulli 6.

Administrimi i Përkohshëm i Bullgarisë, deri në rregullimin e plotë të brendshëm të saj, do të bëhet nga një mbret rus. Një komisioner otoman, i caktuar nga sulltani si dhe komisionerët tjerë të caktuar nga nënshkruesit e këtij vendimi, do të jenë të obliguar të mbikqyrin dhe asistojnë punën e mbretit rus gjatë udhëheqjes së tij të përkohëshme të Bullgarisë. Në rast të mospajtimit ndërmjet këtyre palëve, atëherë vota e shumicës do të përcaktojë se si të veprohet tutje, në ndonjë vendim apo mospajtim të mundshëm. Në rast të mospajtimit te komisionerit rus dhe atij otoman, komisionerqt e palëve të tjera nënshkruese të kësaj konvente do të jenë të obliguar të gjejnë një zgjidhje në një takim të tyre në Konstatinopojë.

Artikulli 7.

Administrimi i Përkohshëm nuk guxon të zgjasë më shumë se nëntë muaj nga momenti i nënshkrimit të kësaj konvente dhe hyrjes së saj në fuqi. Nga momenti i vënies të kushtetutës dhe rregullave të brendshme të Bullgarisë, do të bëhen menjëherë zgjedhjet për të zgjedhur mbretin bullgar. Sapo të marrë postin mbreti i zgjedhur, mbreteria do të kalojë në autonominë e saj të plotë.

Artikulli 8.

Kontratat mbi tregtinë dhe tregtinë apo udhëtimin detar, si dhe të gjitha marrëveshjet tjera, të cilat janë lidhur ndërmjet fuqive të mëdha dhe Portës së Lartë (sulltanit), do t‘i kalohen Bullgarisë dhe do të mbesin të plotëfuqishme. Ato nuk kanë të drejtë të ndryshohen pa vendimin e fuqive të mëdha.

Asnjë pikë kufitare nuk guxon të mbyllet për kalimin e mallrave nga mbretëritë tjera si dhe tregtimi i tyre do të bëhet në baraspeshe të plotë me të gjitha mbretëritë tjera, pa asnjë dallim. Imunitetet dhe privilegjet e paracaktuara për nëpunësit dhe shërbyesit tjerë do të vlejnë ashtu siç janë caktuar më parë, deri në ndonjë revokim nga palet pjesëmarrëse të kësaj konvente.

Artikulli 9.

Shuma e pagesës së kontributeve nga Bullgaria ndaj Portës së Lartë do të bëhet nëpërmjet bankës së paracaktuar pas mbarimit të vitit të parë të hyrjes në fuqi të kësaj konvente.

Ky kontribut do të përcaktohet sipas vlerës mesatare të vendit/rajonit që ka mbretëria.

Pasi që Bullgaria duhet të përmbushë një pjesë të borxhit të Perandorisë Osmane, ajo do të konsiderohet apo merret në konsideratë gjatë përcaktimit të shumës së kontributit që duhet të paguajë Bullgaria ndaj Portës së Lartë.

Artikulli 10.

Bullgaria, nga dita e nënshkrimit të kësaj konvente, do të marrë përsipër obligimet/borxhet e Portës së Lartë ndaj Rustschuk-Varnaer Kompanisë së Hekurudhave për të paguar obligimet e mëhershme ndaj tyre si dhe do të lidhin marrëveshje ndërmjet kompanisë në fjalë, Portës së Lartë dhe udhëheqjes së Bullgarisë. Mbretëria e Bullgarisë, po ashtu do të marrë përsipër pjesën e vet të obligimeve ndaj Austro-Hungarisë dhe kompanisë në fjalë, për shpenzimet e krijuara për shtrirjen e vijës hekurudhore në pjesën evropiane të Turqisë. Marrëveshjet për t‘i rregulluar këto obligime do të lidhen ndërmjet Austro-Hungarisë, Portës së Lartë, Serbisë dhe Mbretërisë së Bullgarisë, pas nënshkrimit të kësaj konvente.

Artikulli 11.

Ushtria osmane nuk ka të drejtë qëndrimi më tutje në Bullgari, të gjitha kalatë dhe objektet tjera ushtarake duhet të lirohen nën shpenzimet e Bullgarisë, brenda një viti, ose më herët. Porta e Lartë mbanë të drejtën për të menaxhuar me materialet dhe mjetet ushtarake që ka në Bullgari dhe të cilat kanë mbetur pas 31 janarit në Bullgari, në kalatë e Schumlas dhe Varnas.

Artikulli 12.

Pronarët e patundshmërive, mund të posedojnë apo mbajnë pronën e tyre në mbretëri, nëse atë e mirëmbajnë dhe menaxhojnë personat përgjegjës apo palët e treta. Një komision turko-bullgar është i obliguar që brenda periudhën dyvjeçare të rregullojë të gjitha çështjet e ndërlidhura me pronat apo të mirat shtetrore dhe përdorimit të tyre, si dhe janë të obliguar për pagesa ndaj Portës së Lartë, nëse ka interesa private. Familjarët e oborrit mbretëror të Bullgarisë, të cilët udhëtojnë në vende të tjera të Perandorisë Osmane, iu nënshtrohen ligjeve dhe rregullave osmane.

Artikulli 13.

Në Jug të Ballkanit do të krijohet një provincë, e cila do të mbajë emrin e Rumelisë Lindore dhe e cila do t‘i nënshtrohet drejtpërdrejt autoritetit të plotë të Lartmadhërisë së tij Sulltanit të Madhërishëm, mirëpo me një autonomi administrative. Ajo do të ketë një guvernator të krishter.

Artikulli 14.

Rumelia Lindore në Veri dhe në Veriperëndim, do të kufizohet me Bullgarinë dhe do të kalojë në këto vija: nga Deti i Zi e tutje vija kufitare ngritet përgjate kufizimit të lumenjve, afër fshatrave Hodzakioj, Selam Kioj, Aivadsik, Kulibe, Sudzuluk në rrugën malore lart nëpërmjet lugut të Deli Kamçikut, në jug, pranë Belibesë dhe Kemhalikut dhe në veri deri në Deli Kamcik, 2,5 kilometra përmbi Cengein. Pastaj arrin tek Kammi, ndërmjet Tekenlikut dhe Aidos-Bredzas tek pikat aty, dhe të njëjtën vijë e përcjellë nëpërmjet Karnabad Ballkanit, në veri nga Koteli deri tek Demir Kapua. Vazhdon nëpërmjet ‘zinxhirit kryesor’ të Ballkanit dhe përfundon në Majën e Kosicas. Në këo pika e kalon kufirin perëndimor të Rumelisë Lindore, kundrejt Kammit të Ballkanit, shkon në drejtim jugor ndërmjet fshatrave Pirtop dhe Duzanci, nga të cilat e para i takon Bullgarisë dhe e dyta Rumelisë Lindore, deri në kryqëzimin e lumenjve Tuzlu Dere me Topalnica.

Pastaj vazhdon këtë vijë kufitare me Smovskio Deren dhe Kamenicën, për t’u drejtuar Majës së Voinjakut dhe për të arritur te pika 875 e kufirit austriak. Vija kufitare ndan në vijë të drejtë shtratin e lumit Ichtigam Dere dhe vazhdon ndërmjet Bogdina dhe Karaula, për të arritur shtratin e Isker-it dhe Maricas, pastaj drejt Camurlit dhe Hadzilarit, e ndjekë atë vijë deri tek Maja Velina Mogila, dhe Shales 531, Zmailica Vrh, Sumnatica dhe e arrin kufirin administrativ të Sanxhakut të Sofjes, ndërmjet Sivri Tas dhe Cadir Tepes. Kufiri i Rumalisë Lindore ndahet nga ai i Bullgarisë në Majën e Cadir Tepes, dhe pastaj vazhdon poshtë ndërmjet shtratit të lumit Marica dhe lumenjve Mesta dhe Karasu, dhe merr drejtimin jugor drejt Kammit dhe drejt bjeshkëve të Despoto Dagh, pastaj drejt Kruschoëa.

Nga Maja e Kruschoëas kufiri vazhdon drejt vijës së paraparë me Marrëveshjen e Shën Stefanos drejt ‘zinxhirit ballkanik’ (Kara Ballkan) dhe bjeshkëve Kulaghy-Dagh, Eschek-Tschepellu, Karakolas dhe Ischiklar, nga aty vazhdon drejt juglindjes për në lumin Arda nëpërmjet rrugëve malore deri sa të arrihen fshatrat Adacali dhe pikat kufitare aty. Fshati i fundit në fjalë mbetet territor turk. Nga ato pika vazhdohet në Bestepe Dagh dhe pastaj poshtë deri tek Maritza pesë kilometra përfundi pikave të Urës së Mustafa Paschas pastaj vazhdohet në drejtim të veriut ndërmjet lumenjve Demirhali Dere dhe lumenjve të vegjël Maritza deri në Kudeler Bair.

Nga aty në lindje drejt Sakar Bair dhe nga aty vazhdon në lugun e Tundzas drejt Bujuk Derben, afër Soudzakut, në veri. Nga Bujuk Derbend mbyllet pastaj vija kufitare në lumenjtë Tundza në veri dhe Maritza, në jug, deri në Majën e Kaibilarit. Kjo e fundit mbetet brenda kufirit të Rumelisë Lindore. Në Lindje nga Almali, ndërmjet shtratit të lumenjve të ndryshëm deri tek derdhja në Detin e Zi, pranë fshatrave Belevrin dhe Alatli, vazhdon nga veriu tek Karanliku dhe pastaj Vosna dhe Zuvaku, përgjatë lumenjve Duka dhe Karagac-Su, dhe pastaj arrin në derdhjen e tyre në Detin e zi.

Artikulli 15.

Lartmadheria e tij Sulltani i Madhërishëm, ka të drejtën që mbrojtjen e tokave dhe ujërave të veta ta bëjë duke ngritur fortesa të murosura si dhe vendosje të trupave ushtarake aty. Rendi dhe ligji në Rumeline Lindore do të mbahet nga një xhandarmëri e brendshme dhe milicia vendore. Bashkimi i këtyre dy forcave mbrojtese do të bëhet ndërmjet oficerëve të emëruar nga vetë sulltani, sipas tipareve vendore dhe numrit të banorëve dhe religjionit përkatës të rajoneve. Sulltani merr përsipër që të mos stacionojë Bschibozuksa apo Tscherkessa në pikat mbrojtëse kufitare. Trupat për këtë qëllim nuk kanë të drejtë të strehohen tek popullsia vendëse. Në rast të kalimit nëpërmjet Rumelisë Lindore, trupat e Sulltanit nuk kanë të drejtë të strehohen aty.

Artikulli 16.

Guvernatori Gjeneral ka të drejtën t‘i thërrasë trupat osmane në rast se rrezikohet stabiliteti i brendshëm apo i jashtem i krahinës autonome. Në këtë rast Porta e Lartë është e obliguar t‘i njoftojë fuqitë e mëdha (nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje) mbi një vendim të tillë, përmes komisionerit të tyre në Konstatinopojë.

Artikulli 17.

Guvernatori gjeneneral i Rumelisë Lindore është i emëruar për një periudhë pesë-vjeçare nga Porta e Lartë, në pajtim me Fuqitë e Mëdha.

Artikulli 18.

Menjeherë pas hyrjes në fuqi të kësaj kontrate, do të krijohet një Komision Europian për të mbikqyrë procesin e mbarëvajtjes së Portës së Lartë me organizimin e brendshëm të Rumelisë Lindore. Ky Komision duhet brenda afatit prej tre muajve të vendosë autoritetin dhe fuqinë e guvernatorit gjeneral, udhëheqësit të administratës, financave dhe drejtësisë, në përputhje me rregullimin e brendshëm të Rumelisë Lindore.

Komisioni për këtë qëllim duhet të përdorë ligjet e ndryshme të vilajeteve, të cilat janë të vendosura gjatë Konferencës së Tetë të Konstatinopojës. Tërësia e ligjeve për Rumelinë Lindore do të botohet dhe do të krijojë një pikënisje të krahinës, dhe ato ligje duhet të aprovohen nga Porta e Lartë si dhe t‘iu kumtohen pastaj fuqive të mëdha.

Artikulli 19.

Komisioni Evropianm në pajtueshmëri me Portën e Lartë duhet të administrojë me financat e Krahinës Autonome deri në vënien e tërësishme të udhëheqjes se re të krahinës.

Artikulli 20.

Të gjitha marrëveshjet, traktatet apo kontratat të cilat janë nënshkruar apo pritet të nënshkruhen ndërmjet fuqive të mëdha dhe Portës së Lartë do të jenë valide dhe do të aplikohen edhe në Rumelinë Lindore.

Të gjitha imunitetet dhe privilegjet për qytetarët, të caktuara më parë nga Porta e Lartë dhe fuqitë e mëdha, do të vlejnë edhe në Rumelinë Lindore.

Porta e Lartë obligohet që të marrë përsipër mbikëqyrjen e harmonisë fetare brenda Rumelisë Lindore.

Artikulli 21.

Të gjitha obligimet dhe të drejtat mbi rrjetin e hekurudhave në Rumelinë Lindore do t‘i mbesin Portës së Lartë.

Artikulli 22.

Prezenca ushtarake ruse në Bullgari dhe Rumelinë Lindore do të përbëhet nga ushtria këmbësore dhe nga kalorësit, të cilet nuk bën të tejkalojnë shifrën prej 50. 000 ushtarësh në total. Shpenzimet për ushtarët në vendin e tyre janë të vetë vendeve të cilat janë të ‘pushtuara’. Ushtria nuk do të mbajë komunikimin me Rusinë vetëm përmes Rumanisë, mirëpo edhe përmes Detit të Zi, në portet e Varnas dhe Burgas, me ç’rast ushtria ka të drejtë të ndërtimit të depove të tyre përgjatë kohës së qëndrimit të tyre në shtetin respektiv. Prania e lartëcekur ushtarake e trupave ruse në Bullgari dhe Rumeli Lindore nuk do të tejkalojë periudhën 9-mujore, nga data e nënshkrimit të kësaj konvente. Mbretëria ruse obligohet që të japë një periudhë shtesë 3-mujore të qëndrimit të ushtarëve të tyre përmes kalimit nga Rumania, që të lejohet largimi komplet i ushtarëve rusë nga vendet e lartëcekura.

Artikulli 23.

Porta e Lartë (osmane) obligohet që në ishullin Kreta të kthej rregullin e vitit 1868 dhe ta vë në funksion atë me ndryshimet e nevojshme në të. Porta e Lartë do të krijojë komisione të caktuara, të cilat do të sigurojnë përfaqësimin e elementit vendor në ishull dhe të implementohen rregullat e reja të shtuara në secilën pjesë të ishullit. Të dalat nga ky aktivitet pune nga komisionerët, duhet t‘i prezentohen Portës së Lartë, e kjo e fundit pastaj do t‘i rishikojë dhe do ta konsultojë edhe një herë komisionin e caktuar evropian për Rumelinë Lindore, para se t‘i fusë ato në fuqi.

Artikulli 24.

Në rast se Porta e Lartë dhe Greqia nuk mund të gjejne mirëkuptim për implementimin e 13 protokolleve të dala nga Kongresi i Berlinit mbi kufijtë e Rumelisë Lindore, atëherë Gjermania, Austro-Hungaria, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Rusia do të ofrojnë ndihmën/asistencën e nevojshme për gjetjen e një zgjidhjeje adekuate.

Artikulli 25.

Krahinat e Bosnjë-Hercegovinës do të pushtohen nga Austro-Hungaria. Meqë Austro-Hungaria nuk ka interes të udhëheqë me Sanxhakun e Novi-Pazarit, pasi që kjo pjesë shtrihet ndërmjet Sërbise dhe Malit të Zi, me të do të administrojë Perandoria Osmane. Për të siguruar të drejtat e secilit vend në këtë territor Austro-Hungaria do të ketë të drejtën të vendosë pika ushtarake dhe tregtare përgjatë kësaj vije dhe Vilajetit të Bosnjës, që të sigurojë tregtinë dhe lëvizjen e lirë. Në këtë drejtim Austro-Hungaria dhe Turqia mbajnë të drejtën individuale për sigurimin e vijave tregtare.

Artikulli 26.

Pavarësia e Malit të Zi do të njihet nga Porta e Lartë dhe nga të gjitha vendet tjera të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e këtij vendi.

Artikulli 27.

Fuqitë e Mëdha janë dakorduar mbi këto parime: Në Mal të Zi, nuk ka të drejtë asnjëherë që dallimet e shprehura fetare dhe besimet e ndryshme të jenë shkas për diskriminin e të tjerëve dhe përjashtimin e tyre nga shoqëria apo distancimin nga ta. Të gjithë do të kenë të drejta të barabarta për qasje në skenën publike, financiare dhe juridike të vendit.

Liria e shprehjes dhe kulturës i garantohet secilit popull që jeton në këtë vend si dhe të huajve të tjerë që mund të vijnë në këtë vend. |Gjithashtu, nuk lejohet mohimi i adhurimit të udhëheqësve të ndryshëm fetarë apo religjiozë nga hierarkia udhëheqëse e këtij vendi.

Artikulli 28.

Kufijtë e rinj tq Malit tq Zi, do të jenë këta: Vija kufitare tek Ilinobrdo, në veri të Klobukut, vazhdon poshtë për tek Trebinjcica nga Grançareva, e cila i mbetet Hercegovinës dhe pastaj vazhdon lumit lart, deri nq një kilometër poshtë Cepelicës dhe pikave të saj, dhe nga aty arrinë tek vija më e shkurtër në shtratin e Trebinjçicës. Pastaj vazhdon kundrejt Pilatovës, fshatit që i mbetet Malit të Zi, në drejtim të veriut, duke mbajtur një distancë prej 6 km të rruges Bilek-Korito-Gaçko, e deri te bjeshkët e Sominës dhe Çurilës, pastaj vazhdon në lindje nga Vratkoviçi, fshat që i mbetet Hercegovinës, deri në bjeshkët e Orlines. Nga kjo pikë, vazhdohet me kufirin në Ravnë, e cila i mbetet Malit të Zi, në drejtim të verilindjes, ku kalon Majën e Lebersnikut dhe Vollujakës, dhe pastaj në vijën më të shkurtër vazhdon tek Piva e kalon atë dhe arrin në Crkvicë dhe Nedvinë, pastaj tek Tara. Nga kjo pikë, vazhdohet nga Tara, lart, deri te Mojkovaçi, e nga aty deri te para-bjeshkët e Siskojezerës (Liqenit të Siskos), nga këtu mbyllet pika e vjetër kufitare deri tek fshati Sekular. Nga ky vend vazhdon pika e re në drejtim të Maleve të Mokrës, dhe fshati Mokra i mbetet Malit të Zi. Kështu arrin pikën 2166 të Austro-Hungarisë, me ç’rast arrin ‘zinxhirin kryesor’ dhe vijën ndarëse ujore ndërmjet Limit dhe Drinit dhe, në anën tjetër, tek Cievna (Zem). Kështu mbyllet kufiri ndërmjet fiseve Kuçi e Drekaloviç, në njërën anë dhe Kuçka-Krajna, në anën tjetër, si dhe fiseve Klementi (Kelmendi) dhe Gruda, në tjetrën anë, deri në Podgoricë. Nga aty vazhdon drejt tek Plavnica, te fiset Klementi (Kelmendi), Gruda dhe Hoti, të cilat mbesin në Shqipëri.

Nga ajo pikë, vazhdohet përmes pikës prerëse në liqenin e ishujve Gorica-Topal, deri tek pjesa e ndarjes lumore ndërmjet Meguredit dhe Kalimedit, me ç’rast Mrkoviqi i mbetet Malit të Zi dhe kështu arrinë në Detin Adriatik, te Kruçi. Në jugperëndim, vija kufitare vazhdon te fshatrat Susana dhe Zubci, deri në majën më të lartë të juglindjes, në vijën kufitare të Malit të Zi, në Malet e Vërsutës.

Artikulli 29.

Antivari (Tivari) dhe pjesa bregdetare i bashkohet Malit të Zi nën këto kushte: tokat e pushtuara në jug të këtij vendi, deri në kufirin e caktuar të Bojanës dhe Dulçinjës (përfshirë këtë të fundit) do t‘i kthehen Turqisë. Fshati Spicë, deri në kufirin verior, do t’i mbetet Dalmacisë.

Mali i Zi do të ketë të drejtën e plotë të lëvizjes së anijeve në lumin Bojanë (Buna), mirëpo, nuk lejohet ngritja e kalave përgjatë këtij lumi, përveç atyre të nevojshme për mbrojtjen e vendit lokal të Scutarit (Shkodrës), të cilat nuk guxojnë të tejkalojnë vijën prej 6 km nga ky vend. Mali i Zi nuk ka të drejtë të ketë luftë-anije dhe as flamur lufte për anije. Porti i Antivari-it (Tivarit) dhe të gjitha ujerët e Malit të Zi do të jenë të mbyllura për të gjitha luftë-anijet e shteteve të tjera.

Të gjitha kalatë e vendosura përgjatë pikës ndërmjet liqenit dhe detit do të rrënohen dhe aty nuk bën të ndërtohen të reja. Policia detare dhe shëndetsore përgjatë bregdetit të do mbahet nga Austro-Hungaria dhe do të ketë vetëm armatim të lehtë. Mali i Zi obligohet të pranojë rregullat bregdetare të Dalmacisë, të cilat janë në fuqi. Në anën tjetër Austro-Hungaria obligohet që t‘ia ofrojë mbrojtjen konsulore flamurit tregtar të Malit të Zi. Mali i Zi obligohet që të merret vesh me Austro-Hungarinë që përgjatë vijës së re kufitare të ndërtojë rrugë dhe hekurudha dhe t‘i mirëmbajë ato. Do të sigurojë liri të plotë të qarkullimit përgjatë atyre rrugëve.

Artikulli 30.

Personat të cilët posedojnë ose dëshirojnë të posedojnë prona të paluajtshme në Mal të Zi mund t‘i kenë ato duke e siguruar menaxhimin e tyre përmes palëve të treta brenda vendit.

Askush nuk ka të drejtë të shpronësohet nga prona e vet, përveç në rast të ndonjë vendimi juridik apo nevojës ligjore.

Një komision turko-malazez duhet të themelohet dhe të rregullojë të gjitha çështjet e hapura brenda një afati prej 3 vitesh, mbi përdorimin e të mirave të përbashkëta/publike dhe çështjeve të tjera shtetrore, si dhe të mbulojë obligimet e Portës së Lartë, të krijuara për Malin e Zi.

Artikulli 31.

Mbretëria e Malit të Zi, do të diskutojë me Portën e Lartë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Perandorinë Osmane në Konstatinopojë dhe vendet tjera me interes të përbashkët.

Malazezët, të cilët udhëtojnë për në Perandorinë Osmane, do t‘iu binden ligjeve dhe rregullave të Portës së Lartë dhe rregullave ndërkombëtare për qendrime në vende të tjera.

Artikulli 32.

Trupat ushtarake malazeze janë të obliguara që brenda afatit 20-ditor nga dita e nënshkrimit të kësaj konvente të lirojnë çdo vend të pushtuar, i cili nuk hyn brenda kufijve të rinj të caktuar nga kjo marrëveshje.

Trupat osmane, gjithashtu, duhet t‘ua lirojnë trupave malazeze territoret e caktuara me kufijtë e rinj të Malit të Zi brenda afatit të lartëcekur, mirëpo do t‘iu ipet afat shtesë prej dy javësh për të larguar materialet e luftës dhe vendet e ‘forta’ apo të palëvizshme, që t‘u lirohet vendi trupave malazeze.

Artikulli 33.

Pasi që Mali i Zi obligohet t‘i përmbushë borxhet/obligimet e Portës së Lartë për territoret e reja të marra, përfaqësuesit e fuqive të mëdha do të takohen në Konstatinopojë, për të diskutuar dhe arritur zbritjen e kësaj shume në një shumë më të vogël për t’iu paguar Perandorisë Osmane.

Artikulli 34.

Fuqitë e mëdha do ta njohin Mbretërinë e Serbisë, sipas pikave dhe kritereve të bashkëngjitura në vazhdim të kësaj konvente.

Artikulli 35.

Në Serbi nuk ka të drejtë askush të diskriminojë apo anashkalojë tjetrin në bazë të besimeve të tij apo bindjeve të veta fetare/religjioze. Askush nuk ka të drejtë, në bazë të besimeve fetare, të diskriminohet apo përjashtohet nga jeta shoqërore dhe politike, nga qasja në jetën publike, financiare dhe juridike të vendit. Liria e shprehjes dhe kulturës do t‘i garantohet secilit qytetar, pavarësisht hierarkisë udhëhëqëse dhe secili e ka të drejtën t‘i bindet udhëheqsit të fesë së tij, apo Zotit të vet.

Artikulli 36.

Serbia do t‘i ketë kufijtë e rinj, sikur se më poshtë:

Kufiri i ri shtrihet përgjatë kufirit të vjetër në rrugën malore të Drinit, deri në bashkimin e tij me Savën, përgjatë Mali Zvornikut dhe Skhar te cilat i mbesin Mbretërisë Serbe dhe vazhdon deri në Kopaonik, përgjatë kufirit të vjetër serb, deri në Majën e Kanilugut.

Nga aty vazhdon kufiri perëndimor i Sanxhakut të Nishit përmbi bjeshkët e Kopaonikut, ndërmjet Maricës dhe maleve të Merdares, të cilat përbëjnë vijën ndarëse lumore të Ibrit dhe Sitnicës, në njërën anë dhe të Toplicës, në anën tjetër, me ç’rast Prepolaci i mbetet Turqisë. Pastaj vazhdohet në jug, me ndarjen lumore të Brvenicës dhe Medvegjës, përgjatë shtratit të lumit Medvegja, që do të mbetet në Serbi dhe vazhdon nga malet e Gollakut (që e përbëjnë ndarjen lumore të Moravës dhe Kriva Rejekës, në njërën ane dhe Poljanicës e Veternicës, në Moravë, në anën tjeter), deri në Majën e Poljanicës.

Aty vazhdohet drejt bjeshkëve të Karpinës, e deri në bashkimin e lumenjve Koinska me Moravën, ku e kalon këtë të fundit dhe vazhdon deri në ndarjen lumore në afësi të Neradovces, në Moravë, dhe lart tek malet e Ilijës, përmbi Tërgovistë. Nga kjo pikë vazhdon përgjatë Ilijës, deri në bjeshkën e Kljuçit, dhe vazhdohet tek pikat 1516 dhe 1547 (në hartë), deri në Babina-Gorë dhe përfundon tek Cërni-Vrh.

Nga bjeshkët e Crni Vrh poshtë, deri te kufiri me Bullgarinë. Kjo do të thotë, përgjatë ndarjes lumore të Strumës dhe Moravës, ndërmjet Majës së Streserit, Vilogolës dhe Mesidit, deri tek Gacina, Crna Trava, Darkovska dhe malet e Drainicës dhe përmbi Descani Kladanec, deri sa të arrihet vija e lumit Morava dhe Sukova, drejt e në Stol, aty bie për rreth 1000 metra poshtë në veriperëndim të fshatrave Segusa dhe rrugës për në Sofje e Pirot. Ajo vazhdon në vij të drejtë në malet e Vidliçit, lart, deri në bjeshkët e Radoçinës, ne ‘zinxhirin’ e Kodza Balkanit, ku fshati Doikinci i mbetet Serbisë dhe ai Senakos i mbetet Bullgarisë.

Nga Maja e Radocinës vazhdon kufiri në jugperëndim për në ‘krehërin e Ballkanit’ ndërmjet Ciprovec Balkanit dhe Stara Planinës, deri në kufirin e vjetër lindor të Mbretërisë së Serbisë, tek Kulla Smiljova Cuka, dhe nga aty tek kufiri i vjetër, në Danub, përmes të cilit arrihet Rakovica.

Artikulli 37.

Deri në një marrëveshje tjetër pas nënshkrimit të kësaj konvente, nuk guxon të ndryshohet asnjë marrëveshje tregtare e lidhur ndërmjet Serbisë dhe shteteve/vendeve të tjera dhe asnjë kusht tjetër. Asnjë taksë doganore nuk guxon të merret nga Serbia gjatë kalimit të mallrave ndërmjet mbretërisë së tyre. Të gjitha imunitetet dhe privilegjet e paracaktuara për të tjerët, mbesin në fuqi dhe nuk guxojnë të ndryshohen para se të arrihet ndonjë marrëveshje ndërmjet mbretërisë dhe fuqive të mëdha.

Artikulli 38.

Mbretëria e Serbisë do të marrë përsipër obligimet/borxhet e Portës së Lartë (osmane) ndaj Austro-Hungarisë, ashtu edhe ndaj Kompanisë së Hekurudhave, e cila ka kryer shtrirjen e rrjetit hekurudhor të Turqisë evropiane. Të gjitha kushtet dhe procedurat e nevojshme do të rregullohen përmes një marrëveshjeje tjetër pas nënshkrimit të kësaj konvente. Ajo marrëveshje do të nënshkruhet dhe aprovohet, pastaj, nga Porta e Lartë, Austro-Hungaria, Serbia dhe Bullgaria.

Artikulli 39.

Personat të cilët kanë prona të paluajtshme apo dëshirojnë të kenë pronë të paluajtshme në Serbi, mund ta kenë atë duke e lënë të menaxhohet apo duke administruar me të, përmes një kompanie të tretë në vend. Një komision turko-serb do të formohet dhe brenda afatit 3-vjetor duhet të rregullojë të gjitha çështjet në lidhje me përdorimin e të mirave publike dhe shfrytëzimin e pronës publike si dhe për te gjitha faturat e nevojshme për t’u paguar ndaj Portës së Lartë.

Artikulli 40.

Deri në lidhjen e një marrëveshjeje ndërmjet Turqisë dhe Serbisë, të ‘nënshtruarit’ serbë do t‘i gëzojnë të drejtat dhe obligimet e tyre për vizitat në Perandorinë Osmane, sipas rregullave ndërkombëtare evropiane.

Artikulli 41.

Trupat ushtarake serbe kanë një afat prej dy javësh nga momenti i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje që të lirojnë territoret të cilat nuk gjenden në kufijtë e rinj të Serbisë.

Po ashtu, trupat ushtarake osmane janë të obliguara që brenda afatit të njëjtë të lirojnë të gjitha territoret që gjenden brenda kufijve të rinj të Serbisë, mirëpo e kanë edhe afatin prej dy javeve shtesë për të larguar të gjitha materialet ushtarake dhe mjetet e lëvizsshme dhe të palëvizsshme ushtarake nga territoret e Serbisë.

Artikulli 42.

Meqenëse Serbia do t‘i mbesë borxh Perandorisë Osmane për territoret e reja, përfaqësuesit e fuqive të mëdha do të mblidhen në Konstatinopojë për të diskutuar me përfaqësuesit e Portës së Lartë për një shumë më të favorshme apo më të ulët për Mbretërinë e Serbisë, që t’i paguajë Perandorisë Osmane.

Artikulli 43.

Fuqitë e mëdha, nënshkruese të kësaj konvente, e njohin pavarësinë e Rumanisë, të cilës i ‘lidhen’ edhe kushtet e cekura më tutje në këtë konventë.

Artikulli 44.

Në Rumani dallimet fetare dhe besimet e ndryshme nuk kanë të drejtë t‘i bëhen pengesë askujt dhe asnjë qytetar i cili ka bindje të tjera fetare nuk guxon të diskriminohet nga shoqëria, apo jeta civile si dhe pjesëmarrja në jetën publike, financiare dhe juridike të vendit.

Gjithashtu, të gjithë kanë të drejën e njëjtë që të admirojnë cilindo udhëheqës fetar, të cilin e parapëlqejnë ata vetë.

E drejta në lirinë e shprehjes dhe atë kulturore do t‘i garantohet secilit dhe askush nuk ka të drejtë të diskriminohet nga puna apo çështjet tjera publike në bazë të besimit të vet fetar. Të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë tregti të lirë në Rumani, do ta kenë këtë të drejtë, pa dallime fetare apo pa bindjet e tyre personale.

Artikulli 45.

Mbretëria e Rumanisë do t‘ia kalojë Mbretërisë së Rusisë, Lartmadhërisë se Tij, Mbretit Rus, tokën e “marrë“ sipas Marrevëshjes së Parisit, 1856, nga Rusia, përsëri territorin e Bessarabisë, tokë e cila kufizohet në perëndim përmes rrugës malore të Pruthit, në jug përmes rrugës malore të Kilia-Armesit dhe të bashkimit të Stambollit të Vjetër.

Artikulli 46.

Ishujt të cilët përbëjnë Danub-Deltën si dhe ‘Ishulli i Gjarpinjve’ në Sanxhakun e Tultschës, që përbën distriktet e Cazasit të Kiliasë, Sulina Mahmudies, Isaktschas, Tultschas, Matschinit, Babadaghit, Hirshovës, Kustendijes, Medjudies, do t‘i bashkohen Rumanisë.

Mbretëria, po ashtu, do të marrë në jug të vendit tokat e Dobrutschasm deri në vijën dalëse të Lindjes, në Silistri dhe që përfundon në Detin e Zi, në Jug të Mangalias.

Ky kufi do të vendoset menjëherë, përmes komisionit të krijuar evropian për implementimin e tij.

Artikulli 47.

Çështja e ndarjes së energjetikës dhe ujërave do t‘i mbetet komisionit të caktuar evropian për t’u implementuar.

Artikulli 48.

Rumania nuk ka të drejtë të ngris taksa doganore për mallrat të cilat kalojnë nëpërmjet territorit të saj.

Artikulli 49.

Rumania ka të drejtë të themelojë marrëveshje të ndryshme për të përmbushur nevojat e diplomatëve dhe konsujve të vetë, në lidhje me mbrojtjen e tyre në mbretëritë e ndryshme, në të cilat janë të stacionuar. Të drejtat e tyre do të mbesin në fuqi dhe nuk do të ndryshohen përderisa nuk kërkohet ndryshe nga vetë Mbretëria Rumune dhe fuqitë tjera.

Artikulli 50.

Deri në lidhjen e ndonjë marrëveshjeje të re, të gjithë ata qytetarë rumunë, të cilët udhëtojnë për në Perandorinë Osmane dhe të gjithë osmanlinjtë të cilët udhëtojnë për në Mbretërinë Rumune, do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e barabarta me të gjithë udhëtarët tjerë të cilët udhëtojnë në këto dy vende.

Artikulli 51.

Sa u përket ndërmarrjeve të cilat veprojnë në tokat rumune, të marra nga Perandoria Osmane, për ato do të jetë përgjegjëse e plotë vetëm Mbretëria Rumune, nga momenti i marrjes së atyre tokave.

Artikulli 52.

Për të garantuar sigurinë maksimale të qarkullimit të anijeve përgjatë Danubit, fuqitë e mëdha do të sigurohen që të gjitha kalatë dhe fortesat e ndryshme përgjatë këtij lumi deri në kryqëzimin e tij të tjerë, të largohen dhe të vëhen jashtë funksionit dhe të reja, nuk guxojnë të ndërtohen në këtë vijë. Asnjë anije luftarake nuk ka të drejtë të lundrojë gjatë Danubit, përtej “Portës së Hekurt“, me përjashtim të policisë detare dhe doganës, të cilët kanë të drejtë vetëm në armatim të lehtë. Vetëm luftë-anijet e fuqive të mëdha kanë të drejtë të plotë të qarkullimit mbi këtë lumë.

Artikulli 53.

Komisioni Evropian i Danubit, në të cilin do të përfaqësohet edhe Rumania, do të ketë të drejtë qarkullimi në të gjithë territorin rumun dhe lumin Danub, dhe do të ketë të drejtën që të lidhë marrëveshje, kontrata apo dokumente të tjera të nevojshme për të implementuar misionin e vet, nga ky moment e tutje.

Artikulli 54.

Një vit para përfundimit të mandatit të Komisionit Evropian të Danubit, të gjitha fuqitë e mëdha dhe nënshkruesit e kësaj konvente, do të konsultohen për vazhdimin apo mosvazhdimin e funksioneve dhe fuqive të këtij komisioni.

Artikulli 55.

Të gjitha rregullimet për lëvizjen e anijeve, për lëvizjen e policisë detare si dhe të gjitha lundrimet tjera mbikëqyrëse prej ‘Portës së Hekurt’, deri tek Galatzi, do të mbikëqyren nga Komisioni Evropian i autorizuar nga të gjitha vendet që kanë dalje në këtë lumë, si dhe ky komision do vendosë për qarkullimet nga Galatzi e tutje, për çdo lloj anije tjetër.

Artikulli 56.

Komisioni Evropian i Danubit do të konsultojë juridiksionin e vendit për të menaxhuar dhe mbikëqyrur kullën e ndriçimit në “Ishullin e Gjarpinjve“.

Artikulli 57.

Kryerja e punimeve të cilat lehtësojnë qarkullimin përgjatë “Portës së Hekurt’ dhe rrymave ujore, do t‘i besohet Austro-Hungarisë. Të gjitha shtetet, të cilat kanë territore apo dalje në lumin Danub, do t‘i ofrojnë lehtësime këtij vendi, për kryerjen e punimeve të nevojshme. Sipas Nenit VI të Marrëveshjes së Londrës, të datës 13 Mars 1871, në lidhje me të drejtën provizionale për ngritjen e së drejtës mbi kompensimin e përkohëshëm për kryerjen e punimeve të tilla, do t‘i takojnë komplet Austro-Hungarisë.

Artikulli 58.

Porta e Lartë do t‘ia lë Mbretërisë Ruse të gjitha territoret në Azi, rreth Ardahanit, Karsit dhe Batumit, duke përfshirë edhe portin në këtë të fundit, si dhe të gjitha territoret përgjatë kufirit të vjetër turko-rus. Kufiri i ri do të shtrihet nga Deti i Zi, në vijën e përshkruar me Marrëveshjen e Shën Stefanit, në një vijë të cakutar tek pikat në veriperëndim të Khordas dhe në jug deri tk Artini, i zgjatur pastaj deri te lumi Tchoruk, e kalon këtë lumë dhe vazhdon në lindje, deri tek Aschmicheni, në vijë të drejtë, pastaj deri në lindje, ku përfundon vija kufitare, sipas Marrëveshjes së Shën Stefanit, në pikat e veriut, në Nariman, me ç’rast qyteti i Oltit i mbetet Rusisë. Nga aty, pika kufitare vazhdon në lindje, deri në Tebrenec, i cili do t‘i mbetet Rusisë dhe vazhdon deri në Pennek Tschai. Përshkohet përgjatë lumit deri në Barduz, në drejtim jugor deri në Jonikoiy, të cilat i mbesin Rusisë. Nga ajo pikë vazhdohet në fshatrat Karaugan dhe drejt Medjingert vazhdon në vijën e drejtë, nga bjeshkët e Kassadagh dhe përgjatë vijës lumore, deri në kryqëzimin e lumenjve me Araksesin, në veri, dhe Murad Su, në jug, deri në kufirin e vjetër rus.

Artikulli 59.

Qëllimi i kësaj ndarjeje është që Batumi të bëhet qendër tregtare e mallrave dhe port i lirë për tregti.

Artikulli 60.

Lugu i Alaschkerdit dhe qyteti Bayazid, të cilët sipas Nenit XIX të Marrëveshjes së Shen Stefanit do t’i takojnë Rusisë, i kthehen përsëri Turqisë. Porta e Lartë do t’ia lë Persisë qytetin dhe tokat rreth Khoturit, si dhe kalatë, të cilat janë të vendosura përgjatë kufirit turko-persian, të mbikëqyrura dhe të menaxhuara nga Komisioni Ruso-Anglez.

Artikulli 61.

Porta e Lartë obligohet që pa humbur kohë, të vë në funksion reformat dhe ndryshimet e nevojshme për të ndihmuar popullatën armene, në vend dhe në të gjitha territoret e banuara nga ta. Gjithashtu, duhet t‘u sigurojë atyre mbrojtjen nga tçerkesset dhe kurdët, që jetojnë përreth. Ajo do t‘iu raportoje fuqive të mëdha në lidhje me këto ndryshime të nevojshme, në periudha të caktuara kohore.

Artikulli 62.

Pasi që Porta e Lartë të marrë vendim për të mundësuar lirinë fetare dhe lirinë e shprehjes së besimeve të ndryshme, të gjitha nenet tjera të kësaj marrëveshjeje do të hyjnë në fuqi. Në asnjë pjesë të Perandorisë Osmane nuk bën të diskriminohet ndokush sipas fesë apo besimit të vet.

Ai nuk ka të drejtë të diskriminohet nga jeta publike, financiare dhe juridike e vendit apo t‘i pamundësohet të punësohet apo punojë kudo në Perandorinë Osmane. Secili ka të drejtë, pavarësisht bindjeve të veta fetare të jetë dëshmitar në gjykimet e realizuara në Perandorinë Osmane.

Liria e shprehjes dhe e kultit do t‘i garantohet secilit dhe askush nuk guxon të diskriminohet nga ndonjë aktivitet, pavarësisht bindjeve të tij fetare. Të gjithë besimtarët, të cilët udhëtojnë në vendet evropiane ose në Turqinë Aziatike, do të gëzojnë të njëjtat të drejta, sikurse të gjithë popujt tjerë. Mbrojtja dhe privilegjet e diplomatëve turq do të siguroh

Priftërinjtë e bjeshkëve të Athosit, nga cilido vend që vijnë, do t‘i gëzojnë të drejtat e tyre pronësore dhe shpirtërore, sikurse që i kanë pasur deri më tani, pa ndonjë dallim apo përjashtim eventual.

Artikulli 63.

Marrëveshja e Parisit e datës 30 Mars 1856, si dhe Marrëveshja e Londrës e 13 Mars 1871, do të mbesin në fuqi në të gjitha pikat e tyre, të cilat nuk bien ndesh me këtë marrëveshje të re, apo të cilat nuk janë revokuar më parë.

Artikulli 64.

Kjo marrëveshje do të ratifikohet në Berlin dhe kopjet origjinale do t’u dërgohen të gjitha palëve, në një afat 3-javor ose me herët. Për të vërtetuar dhe pranuar këtë marrëveshje, të gjitha palët pjesëmarrëse, me nënshkrimin e tyre e kanë pranuar si të tillë.

E mbajtur në Berlin, në Njëmië e Tetëqind e Shtatëdhjetë e Tetë.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera