Lajme

Konjufca priti në takim një delegacion parlamentar nga Maqedonia e Veriut

Autori: Gazeta inFokus 17:40 | 27 February 2023

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga deputetët Ganimete Musliu dhe Avni Dehari, ka pritur sot në takim një delegacion të deputetëve nga Grupi i Miqësisë i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të kryesuar nga kryetari Afrim Gashi.

Në këtë takim u diskutua për aktualitetin politik, zhvillimet rajonale, mbështetjen e ndërsjellë në rrugën e integrimit evropian dhe euroatlantik, si dhe për mundësitë e zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërparlamentar përmes grupeve të miqësisë, njofton Klankosova.tv.

Konjufca i vlerësoi shumë të mira marrëdhëniet e deritashme dypalëshe, duke thënë se popujt tanë kanë lidhje historike dhe ne duhet t’i kultivojmë edhe më shumë këto lidhje.

-Advertisement-

Tutje, ai nënvizoi se për Republikën e Kosovës është interes vital orientimi auroatlantik i Maqedonisë së Veriut dhe vlerësoi se bashkëpunimi i ngushtë në mes të dyja shteteve i kontribuon zhvillimit të gjithmbarshëm dhe stabilitetit rajonal.

Ai po ashtu kërkoi mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për proceset nëpër të cilat i ka përpara Kosova.

Ndërsa, Afrim Gashi, kryetar i Grupit të Miqësisë nga Maqedonia e Veriut, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe theksoi se takimet e tilla i shërbejnë fuqizimit të raporteve të ndërsjella, që janë të shkëlqyera, dhe se ka shumë fusha bashkëpunimi me interes për qytetarët dhe të shtetet tona në të cilat do të punojmë.

Në takim, u ritheksua gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera