Konfirmohet përbërja e re e Komisionit Evropian, mandati 5-vjeçar me në krye Ursula von der Leyen nis më 1 dhjetor
Autori: Gazeta inFokus 13:48 | 27 November 2024
Parlamenti Evropian me shumicë votash ka konfirmuar të mërkurën përbërjen e re të Komisionit Evropian, që në pesë vjetët e ardhshëm përsëri do të drejtohet nga Ursula von der Leyen.
Para votimit në seancë plenare u zhvillua një debat, në të cilin Ursula von der Leyen paraqiti edhe një herë përbërjen e Komisionit në mandatin e saj të dytë si presidente e ekzekutivit të BE-së.
Gjatë fjalimit, Von der Leyen premtoi se Komisioni do të angazhohet për një Evropë më të fortë, më të sigurt, e cila do të rrisë investimet për mbrojtje dhe do të vazhdojë punën drejt uljes së niveleve të ndotjes së ambientit, si dhe digjitalizimin dhe rritjen e konkurrencës së ekonomisë evropiane në skenën globale.
Parlamenti Evropian e kishte caktuar votimin për këtë seancë plenare pasi mes grupimeve kryesore politike ishte arritur pajtim për konfirmimin e të 26 komisionarëve të propozuar, ndërkohë që Von der Leyen ishte konfirmuar gjatë verës.
Të gjithë komisionarët më parë kaluan përmes seancave dëgjimore në komisionet përkatëse të PE-së dhe secili prej tyre ka marrë mbështetjen për të ushtruar postin e komisionarit në fushën që i është caktuar. Për herë të parë pas 25 vjetësh asnjë kandidat për anëtar të Komisionit Evropian nuk u refuzua nga komisionet e Parlamentit Evropian.
Mospajtimet ishin tejkaluar mes tri grupeve proevropiane, Partisë Popullore Evropiane (EPP) që është grupi më i madh, Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) që është grupi i dytë për nga madhësia dhe grupit të liberalëve, i cili ka shënuar rënie dhe është grupi i pestë për nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Këto tri grupe së bashku kishin shumicën e mjaftueshme për ta votuar në seancë plenare Komisionin e ri Evropian. Por, pavarësisht kësaj pati deputetë edhe nga këto grupime që votuan kundër konfirmimit të Komisionit Evropian. Ato vota pastaj u kompensuan me vota nga disa grupime të tjera politike si të gjelbrit, por edhe disa nga radhët e grupimeve të së djathtës ekstreme.
Me rajonin e Ballkanit Perëndimor në pesë vitet e ardhshme pritet që më së shumti të merret komisionarja e ardhshme për zgjerim, Marta Kos, nga Sllovenia, dhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas. Që të dyja, gjatë seancave dëgjimore, kanë premtuar se do të angazhohen që në pesë vjetët e ardhshëm zgjerimi i Bashkimit Evropian të bëhet realitet.
Ursula von der Leyen në fjalimin e saj tha se vendet kandidate, si ato nga Ballkani Perëndimor, ashtu edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, e kanë vendin në BE. Shefja e Komisionit Evropian përsëriti se pret nga komisionarja për zgjerim, Marta Kos, që të punojë për ta përgatitur BE-në për zgjerim dhe për t’i ndihmuar vendet kandidate që të avancojnë në procesin e integrimeve evropiane.
Von der Leyen tha se procesi i zgjerimit do të vazhdojë duke respektuar parimin e meritave individuale të vendeve kandidate në procesin e reformave.
Përbërja e re e Komisionit Evropian ka 14 anëtarë nga Partia Popullore Evropiane (EPP) që është edhe grupi më i madh politikë në Parlamentin Evropian. Ndërsa liberalët do të kenë 5 anëtarë në Komisionin Evropian, edhe pse kanë shënuar rënie të madhe në zgjedhjet e fundit evropiane duke dalë në pozitën e pestë për nga numri i deputetëve në PE.
Socialistët dhe Demokratët, që mbeten grupi i dytë për nga madhësia në Parlamentin Evropian, kësaj radhe do të kenë vetëm 4 anëtarë në Komisionin Evropian.
Dy komisionarë vijnë nga radhët e partive të ekstremit të djathtë ndërsa një, Marosh Shefçoviq nga Sllovakia, nuk i takon asnjë grupimi pasi partia e kryeministrit sllovak është përjashtuar nga grupimi i Socialistëve dhe Demokratëve për shkak të mospajtimeve në qëndrimet ndaj Rusisë dhe bashkëpunimit me të djathtën ekstreme.
Konfirmimi i përbërjes së re të Komisionit Evropian në seancën plenare të së mërkurës ka hapur mundësinë që mandati i ri pesëvjeçarë të nisë të dielën më 1 dhjetor. Ky mandat do të zgjasë deri në vjeshtën e vitit 2029. Po atë ditë, më 1 dhjetor, do të nisë edhe mandati i presidentit të ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. /rel
Të tjera
-
Osmani uron Ditën e Forcës: Heronjve dhe dëshmorëve që hodhën themelet e Ushtrisë, u takon lavdia e përjetshme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila aktualisht po qëndron për vizitë ...
-
Ish-ministrat Shala e Krasniqi deklarohen të pafajshëm lidhur me akuzat për korrupsion
Dy ish-ministrat e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe Vesel Krasniqi, ...
-
Skandaloze: Mësuesi në Prishtinë nuk e lë nxënësen të hyjë në shkollë për shkak të veshjes kombëtare
Erdhi në shkollë për të vijuar mësimin sikurse çdo ditë tjetër. Mirëpo, të...
-
Shërohet trevjeçarja nga Prishtina e cila ishte diagnostikuar me tumor
Trevjeçarja Nina Dragusha, është shëruar plotësisht. Ajo qëndroi për trajt...
-
Abdixhiku takon ambasadorin Sprecher, flasin për zgjedhjet e 9 shkurtit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvillua...
-
Qeveria australiane miraton projektligjin, fëmijëve u ndalohet përdorimi i rrjeteve sociale
Dhoma e Përfaqësuesve në Australi miratoi të mërkurën një projektligj që do t...
-
“Dita e Forcës”, me fotografi të Adem Jasharit e me uniformë të UÇK-së, pamje të mrekullueshme të fëmijëve në kazermën e FSK-së në Prishtinë
Në ditën e forcës kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë ka hapur dyert për qyte...
-
Çadraku në Hagë: Thaçi dhe Veseli nuk kishin aktivitet ushtarak e operacional
Dëshmitari Halil Çadraku tha në Hagë se asnjëherë nuk ka parë në ndonjë shkri...
-
Regjistrohet tërmet në Maqedoninë e Veriut
Rrjeti telemetrik sizmologjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në stacio...
-
Shqipëria 2030 në BE, Rama: Plotësisht e mundur
Shqipëria ka të gjithë shanset për të plotësuar në kohë detyrat e kërkuara ng...
-
Arben Krasniqi emërohet sekretar i Përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit
Arben Krasniqi është emëruar sekretari i përgjithshëm në Zyrën e Kryeministri...
-
Sulmuesi kuqezi Jasir Asani shënon sërish me fanellën e Guangjusë
Duket se Champions League e Azisë është kthyer në kompeticionin e preferuar t...