Lajme

Konferenca përgatitore e ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët, Prokuroria thotë se ka 312 dëshmitarë

Autori: Gazeta inFokus 11:06 | 15 February 2023

Në Hagë ka nisur konferenca përgatitore e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), për gjykimin në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Në këtë konferencë po diskutohet agjenda e përpiluar nga turpi gjykues, ku ndër pyetjet që trupi gjykues ka parashtruar për Prokurorinë është: se pse besojnë se duhen mbi 700 orë dëshmi të drejtpërdrejta në pyetje në këtë çështje, kur kjo shifër tejkalon kohën e caktuar për Prokurorinë në çështjet e mëparshme komplekse pranë gjykatave të ndryshme penale ndërkombëtare dhe gjykatave speciale?

Gjykatësi Charles L Smith ka pyetur Prokurorinë se sa do të jetë numri i saktë i dëshmitarëve që do të paraqesin dëshmitë e tyre lidhur me krimet e pretenduara dhe strukturën e UÇK-së.

-Advertisement-

Prokuroria ka bërë të ditur se do të jenë më shumë se 312 dëshmitarë, dëshmitë e të cilëve mund të jenë përputhëse dhe përsëritëse.

Smith tha se me sa duket Prokuroria ka ndërmend të paraqes prova për çdo viktimë të pretenduar dhe çdo vend krimi dhe se pa minimizuar natyrën e rëndë të këtyre pretendimeve, gjykata vëren se strategjia e paraqitjes së provave për çdo vend krimi mund të marrë shumë kohë dhe jo domosdoshmërisht ka peshë.

“Çdo përpjekje e ZPS për të qenë shteruese do të kalojë kufirin kohor që kemi caktuar për paraqitjen e provave. Ne e lusim Prokurorinë që të vazhdojë me rishikimin e këtyre vendeve të krimit në mënyrë që të bëhet zvogëlimi i numrit të tyre dhe sa i përket strukturës së çështjes se ZPS nuk është e domosdoshme që për shembull provat lidhur me zinxhirin komandues të UÇK-së duhet të paraqiten në mënyrë të strukturuar, koherente dhe logjike. E kemi kërkuar këtë nga ZPS, por nuk kemi pasur shumë sukses dhe më tej kërkojmë qasje të tillë prej Prokurorisë”, tha ai.

Më tej gjykatësi ka deklaruar se kanë paraqitur shqetësimin lidhur me numrin e orëve që do ti jepen dëshmitarëve pas paraqitjes së dëshmive. Ai ka pyetur sërish prokuroren e ZPS-së se a kanë bërë diçka për të zvogëluar numrin e orëve, transemton Telegrafi.

Prokurorja ka thënë se kanë paraqitur planin për zvogëlimin e orëve për dëshmitarët sipas rregullës 154.

Më tej në këtë konferencë përgatitore, gjykatësi Smith ka pyetur se sa vende të krimit do të referohen në çështjen e Prokurorit të Specializuar dhe sa prej tyre zbatohen drejtpërdrejt për akuzat?

Prokuroja ka thënë se janë 42 vendndodhje në 17 komuna të ndryshme në lidhje me pikën e aktakuzës së ndalimit arbitrar, ndërkaq sa i përket pikës 8 dhe 9 të aktakuzës përmenden 15 komuna.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Telegrafi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera