Sport

Kombëtarja nisi përgatitjet për miqësoren me Suedinë

Autori: Gazeta inFokus 21:41 | 09 January 2020

Kombëtarja e Kosovës i ka nisur sot përgatitjet për miqësoren kundër Suedisë në Doha të Katarit. Gjatë paradites Dardanët kanë zhvilluar seancë stërvitore, ku përzgjedhësi Bernard Challandes  u ka dhënë këshillat e tij futbollistëve dhe u ka shpjeguar rëndësinë e tranzicionit gjatë lojës, si dhe ka kërkuar lojë me presion sa më të madh ndaj kundërshtarit. Ndërkohë, në mbrëmje Challandes ka vendosur ta shohë nga afër formën e secilit futbollistë, duke e zhvilluar një ndeshje të ndarë në dy ekipe me tri pjesë nga 25 minuta. Gjatë 115 minutave lojë futbollistët kanë shfaqur ritëm të mirë të lojës, por edhe aksione të rrjedhshme, ndonëse për shumicën prej tyre ka qenë hera e parë që luajnë së bashku. Nga afër përgatitjet e Kombëtares i ka ndjekur edhe presidenti Agim Ademi, së bashku me anëtarët e KE-së dhe ambasadorin e Kosovës në Katar, Amir Ahmeti. Dardanët nesër do ta zhvillojnë një stërvitje në orët e mbrëmjes.

Deklaruan

Herolind Shala: Stërvitja e paradites, por edhe loja që e zhvilluam në mbrëmje shkuan shumë mirë. Personalisht e ndjej veten jashtëzakonisht mirë që jam rikthyer pas lëndimit dhe që sërish jam pjesë e Kombëtares. Çdo herë kur grumbullohem me ekipin ndjehem krenar dhe i lumtur. Kësaj radhe ka edhe shumë lojtarë të ri dhe më vjen mirë që iu ka dhënë mundësia ta përfaqësojnë Kosovën në këtë miqësore. Mendoj se kemi kohë të mjaftueshme deri të dielën për ta përgatitur lojën tonë sa më mirë dhe pres një lojë cilësore. Natyrisht se miqësorja me Suedinë është një test i mirë, por edhe një mundësi për futbollistët e rinj që t’i tregojnë cilësitë e tyre para përzgjedhësit Challandes.

-Advertisement-

Rron Broja: Është ndjenë e veçantë të jesh pjesë e Kombëtares. Ashtu sikurse shumica e futbollistëve tjerë në këtë grumbullim edhe unë ndjehem shumë i lumtur që jam ftuar për këtë miqësore. Loja e sotme, por edhe stërvitjet që do t’i kemi në ditët në vazhdim do të na ndihmojnë që të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e së dielës. Shpresoj që kundër Suedisë do të tregojmë lojë të mirë dhe nuk do të zhgënjejmë as me rezultat. Gjithsesi, duhet vlerësuar organizimin e kësaj miqësoreje, e cila na ka dhënë mundësi neve si futbollist që t’i tregojmë vlerat tona në një ndeshje të nivelit të tillë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera