Sport

Kombëtarja mbajti stërvitjen e dytë e kompletuar (Video)

Autori: Gazeta inFokus 10:20 | 14 November 2018

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur mbrëmë në orët e pasdites stërvitjen e dytë në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Maltës, që zhvillohet të shtunën në Valeta, të cilën nga afër e ka ndjekur edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, derisa interesim të madh ka pasur nga mediat, por edhe nga një numër i tifozëve, shkruan GazetainFokus.

Për dallim nga stërvitja e djeshme, sot ekipi ka qenë i kompletuar, ku përzgjedhësi Bernard Challandes ka pasur në dispozicion të gjithë lojtarët, duke përfshirë edhe tri prurjet e reja, Arijanet Muric, Mirlind Kryeziu dhe Shkëlqim Demhasaj.

Edhe në këtë stërvitje përkundër temperaturave të ulta “Dardanët” treguan përkushtim të madh, derisa atmosfera në ekip është mjaft e mirë, ku të gjithë po punojnë me zell dhe me padurim po e presin duelin kundër maltezëve. Gjatë seancës së sotme trajneri zviceran punoi në shumë aspekte, sidomos në pasime në hapësira të shkurtra, por edhe në shpejtësi të aksioneve, derisa ripërsëriti kërkesën e tij ndaj lojtarëve që të luajnë sa më thjeshtë.

-Advertisement-

Për shkak të lëndimeve në seancën e sotme Mërgim Vojvoda dhe Herolind Shala u stërvitën të diferencuar, por stafi mjekësor po punon në riaftësimin e tyre të plotë. Ndërkohë, kombëtarja nesër do ta mbajë vetëm stërvitjen e pasdites.

Deklaruan pas stërvitjes

Valon Berisha: Kemi lojtarë shumë të mirë dhe po përgatitemi mirë, mirëpo sigurisht se kemi dy ndeshje shumë të vështira para vetes, sidomos kjo kundër Maltës. Shumëçka do të varet nga mentaliteti ynë në këto dy ndeshje. Ne kemi cilësi si ekip dhe me individë shumë të mirë dhe do të shkojmë me synimin për të dhënë 100 përqindshin për njëri-tjetrin dhe për Kosovën.

Shkëlqim Demhasaj: Pardje më kanë telefonuar nga federata dhe menjëherë e kam shprehur gatishmërinë për të ardhur. Këtu më kanë pritur shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kosovës. Tash më rëndësi është që ekipi të përgatitet sa më mirë dhe t’i fitojmë 6 pikë, nuk ka fare rëndësi se kush luan, por nëse me jepet rasti si çdo lojtar do ta jap maksimumin. I kam shikuar të gjitha ndeshjet e Kosovës dhe djemtë kanë luajtur shumë mirë. /GazetainFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera