Fokus

Kjo është deklarata e plotë në Polici e gruas së Akil Gjakovës: “Kam fotografi të dhúnës së ushtruar ndaj meje” (Dokumente)

Autori: Gazeta inFokus 16:00 | 18 April 2024

Në një deklaratë të dhënë më 13 prill në stacionin e policisë në Pejë, S.Gj e raportoi bashkëshortin e saj, Akil Gjakovën, për dhunë në familje.

Këtë veprim ajo e bëri, pasi Gjakova ia kishte mbyllur derën e shtëpisë dhe ia kishte dërguar një mesazh në telefon, duke i thënë se “Derën e kam mshel dhe jam ka ti boj teshat gati dhe po ti bij tek shtëpia jote”.

Gazeta Infokus ka siguruar deklaratën e plotë në polici të viktimës, si dhe kërkesën e Prokurorisë Themelore të Pejës që Gjakovës t’i caktohet masa e paraburgimit.

-Advertisement-

Në deklaratën e saj të dhënë më 13 prill në stacionin policor në Pejë, S.Gj ka thënë se bashkëshorti i saj që nga viti 2023 ushtron dhunë psiqike ndaj saj. E gjatë vitit 2023, ajo ka thënë se Akil Gjakova e ka goditur disa herë me grushta në pjesë të ndryshme të trupit.

“Po, Akili më ka rrahur ku edhe më ka shkaktuar lëndime në fytyrë, trup, dorë, këmbë. Po ashtu ka ushtruar edhe dhunë psiqike vazhdimisht duke më thënë se kam me ta nxi jetën, kom me të ba me fol vet me veti, psikopate, si dhe më ka kërcënuar duke më thënë kom met mbyt budallicë. Përpos Akilit edhe familjarët e tij kanë ushtruar dhunë psiqike ndaj meje” ka deklaruar ajo.

 

 

S.Gj u ka treguar gjithashtu zyrtarëve policor se në disa raste kur është ushtruar dhunë ndaj saj kanë qenë të pranishëm edhe prindërit e Gjakovës.

Dua të shtoj se unë posedoj edhe foto ku më vërehen lëndimet që mi ka shkaktuar Akili. Dhunën fizike dhe lëndimet që mi ka shkaktuar Akili kanë qenë vitin e kaluar 2023” ka thënë viktima.

Menjëherë pas kësaj deklarate, shteti u vu në ndjekje të Akil Gjakovës.

Në kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit theksohet se përkundër që iu dërguan disa ftesa në shtëpi, Gjakova refuzoi të paraqitet në stacionin policor.

“Duke parë se i pandehuri i është shmangur organeve të ndjekjes për disa ditë, duke mos treguar vendndodhjen, duke gënjyer se do të paraqitet me avokat dy herë, të cilën gjë nuk e ka bërë, derisa i njëjti është zënë nga ana e policisë, vijmë në përfundim se ekziston rreziku real që me gjetjen e tij në liri, i njëjti të arratiset sërish dhe të bëhet e pamundur zhvillimi i procedurës penale”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

 

 

Madje, aty theksohet se Gjakova u paralajmërua se mund t’i publikohet fotografia nga ana e policisë, mirëpo ai përsëri nuk u dorëzua.

Gazeta Infokus ka siguruar edhe të kaluarën kriminale të Akil Gjakovës, mirëpo përveç disa kundërvajtjeve në komunikacion, aty nuk figuron ndonjë vepër tjetër penale.

 

 

Seanca për caktim të masës së paraburgimit do të mbahet gjatë pasdites në Pejë. /Gazeta Infokus

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera