Fokus

Kërcënimet e vazhdueshme për bomba në institucionet publike, a po përballet Kosova me luftë kibernetike?

Autori: Samire Jaha 16:10 | 18 May 2022

Dy ditë rresht në vend pati kërcënime se në institucionet shtetërore mund të ketë shpërthim të bombave, shkruan Gazeta Infokus.

Rasti i parë ndodhi të martën, ku Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ishte paralajmëruar për mundësinë e shpërthimit të një bombe përmes një emaili.

Ndërsa rasti i dytë është raportuar sot në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

-Advertisement-

Të dyja këto raste pas hetimeve të Policisë së Kosovës kanë rezultuar që të jenë të rrejshme. Këto lajmërime për shpërthim të bombave në këto dy institucione të arsimit, kanë ardhur përmes postës elektronike dhe për këtë janë përdorur dy lloje të platformave online.

Në shkollën “Xhevdet Doda” emaili erdhi nga adresa [email protected], ndërsa në rektoratin e UP-së, email ishte nga [email protected].

E pse këto të dyja konsiderohen ose mund të jenë edhe sulme kibernetike, e shpjegon njohësi i çështjeve kibernetike, Halil Berisha.

Ai në një prononcim për Gazetën Infokus ka thënë se këto kërcënime kanë disa elemente të këtyre lloj sulmeve.

“Rastet e fundit, ku përmes emaileve po kërcënohen institucionet e ndryshme për bomba, sikurse rasti tek Rektorati i Universitetit të Prishtinës, kanë elemente të sulmeve kibernetike. Email në këtë rast është dërguar nga një adrese [email protected] dhe me gjasë për të dërguar këtë email është shfrytëzuar një platformë online https://www.5ymail.com/ e cila mundëson që në mënyrë anonime dhe pa jap asnjë informatë personale të dërgosh emaile të ndryshme”, ka deklaruar Berisha për Infokus.

Berisha po ashtu tregon edhe për një ndërlidhje të çuditshme të këtyre sulmeve me disa paralajmërime të ngjashme edhe në disa shkolla në Rusi e që vinin nga e njëjta platformë dhe email.

“Ajo çka është goxha interesant, por edhe shqetësuese, se me gjasë e njëjta platformë është përdorë edhe për kërcënime me bombë në disa shkolla edhe në Rusi, më 21 janar të këtij viti. Email iu është dërguar në Rusi, agjencisë sekrete FSB-së, me një kërcënim të ngjashëm, dhe pas evakuimit të shkollave nuk u gjet asnjë lëndë eksplozive. Njëjtë, në St.Petersburg është evakuuar edhe konsullata e Kazakistanit, për të njëjtat dyshime”, ka treguar Berisha për Infokus.

Për lajmërimin e kësaj ndërlidhjeje të këtyre kërcënimeve kanë raportuar edhe mediat ruse në janar të po këtij viti.

Ky është raportimi i mediave ruse për këtë rast: KLIKO KËTU

Ndryshe në vendin tonë, paralajmërime për bomba pati edhe tre raste në stacionin e autobusëve në Prishtinë, por ndryshe nga rastet më lartë, këto ishin paralajmëruar përmes telefonatave.

E që vlen të theksohet se pas hetimeve të policisë edhe këto raste dolën se ishin të rrejshme.

Kërcënime të ngjashme për shpërthime të bombave në shkolla, javët e kaluara kanë ndodhur edhe në Serbi, ku disa shkolla janë detyruar të evakuohen.

Ndërsa Gazeta Infokus, ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për të marrë një përgjigje në lidhje me këto kërcënime dhe formën se si ato po bëhen, por që deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë asnjë përgjigje./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera