Fokus

KEK-u u gjobit 3.2 milionë €, këto janë faktet e pazareve 8.3 milionë € me kompaninë sllovene të pa licencuar

Autori: Hateme Smajli 16:58 | 08 May 2023

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e fundit vendosi gjobë në vlerë prej 3.2 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës. Kjo gjobë i është shqiptuar KEK-ut për shkak të tregtimit të energjisë elektrike, shit-blerjes së rrymës me një kompani e cila nuk ka qenë fare e licencuar në shtetin e Kosovës. Gazeta Infokus një vit me parë kishte zbuluar këtë skandal ku ishte përfshirë KEK-u dhe krejtësisht në mënyrë të fshehur e të kundërligjshme po bënte pazare me kompaninë “Holding Slovenske Elektrarne” (HSE) e cila nuk ishte e licencuar fare në tregun e Kosovës.

Në nëntor të vitit të kaluar, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu e kishte konfirmuar lajmin e  gazetës Infokus duke thënë madje se i është tërhequr vërejtja KEK-ut, por këta të fundit nuk i ishin bindur për të ndalur pazaret me këtë operator.

Pëveç kësaj, Gazeta Infokus kishte zbuluar edhe fakte të tjera qe dëshmonin se sa miliona euro energji elektrike po i shiteshin kësaj kompani me bazë në Lubljanë të Sllovenisë, aty ku kishte shpërthyer skandali i ambasadorit, Martin Berishaj për lidhjet e tij me një kompani tjetër të energjisë GEN, me seli në Beograd e disa vende të tjera.

-Advertisement-

Vlera e pazarit të KEK-ut vetëm me eksport me kompaninë HSE për 7 muaj, për periudhën 1 qershor deri me 31 dhjetor 2021, kapte vlerën prej 8.3 milionë euro. Vlera e importit nuk dihet as sot e kësaj dite.

Këto dokumente u zbuluan nga Gazeta Infokus pasi u ngritën dyshimet e përfshirjes se ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj me kompaninë GEN me seli në Beograd e qe lidhnin dyshimet edhe me kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin. Ky i fundit i arrestuar muajin e kaluar pikërisht për dyshime për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare e konflikt interesi.

Në të njëjtën periudhë, pazaret e KEK-ut në eksport me kompaninë GEN kapnin shifrën prej 11.8 milionë euro.

       

LEXO EDHE: SKANDALOZE: Ymer Fejzullahu konfirmon se KEK-u kundërligjshëm po blen energji elektrike nga një kompani e pa licencuar në Kosovë

Korporata Energjetike e Kosovës që nga viti 2020 po vazhdon të blejë energji elektrike në mënyrë të kundërligjshme nga një kompani e cila nuk është e licencuar në Kosovë. E kjo, pavarësisht se KEK-u është njoftuar e paralajmëruar disa herë zyrtarisht nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë e cila ka kompetenca dhe për licensim dhe mbikëqyrjen e operatorëve energjetik në tregun e Kosovës. Kompania për të cilën KEK-u po vepron në kundërshtim me ligjin dhe nuk po përfillë rekomandimet e ZRrE-së është “Holding Slovenske Elektrarne” (HSE).

Këtë skandal e ka konfirmuar vetë kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar Hetimor për Energjinë 2006 – 2022. Ai ka thënë se në momentin që Kosova ka filluar të jetë zonë rregulluese për energjinë me Shqipërinë, ZRrE-ja dhe KOSST-i kanë bërë thirrje që të gjitha kompanitë që kanë operuar në bllokun e atëhershëm Serbi – Maqedoni të licencohen nga ZRrE-ja.

Mirëpo skandali i KEK-ut për të vazhduar tregtimin me kompaninë në fjalë nuk mbaron me kaq

Pas licencimit të disa kompanive nga ZRRE-ja, bordi i këtij rregullatori përmes një emaili zyrtar i ka njoftuar, Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSST) dhe Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), me listën zyrtare të kompanive që i ka licencuar, ku HSE-ja nuk ka qenë në këtë listë.

 “Është kërkuar që palët të vinë dhe deri në atë moment meqenëse Kosova ka qenë lot rregullës me Serbinë meqë në që kemi qenë në fazën finale KOSTT-i ka kërkuar që të gjitha palët që kanë operuar në atë kohë në bllokun Serbi – Maqedoni meqenëse ne u shkëputëm nga importi i Serbisë iu është kërkuar që të vine dhe të licencohen dhe të dorëzojnë licencën te ana e operatorit të tregut. Në 2021 kemi vërejt që njeri prej këtyre tregtarëve nuk ka qenë e licencuar nga ana e ZRRE-së”, ka thënë Zjenullahu.

Por pavarësisht kësaj KEK-u përsëri ka vazhduar tregtinë me kompaninë e cila nuk ka përfillur kërkesat e shtetit për t’u pajisur me licencë. Edhe këtë e ka konfirmuar kreu i ZRrE-së, Ymer Fejzullahut, duke treguar po ashtu se KEK-u nuk po përfill rekomandimet e tyre duke u thirrur në parimin e reciprocitetit.

“Në momentin që stafi i ZRRE-së e ka vërejtur dhe konstatuar që nuk është e licencuar (HSE) ka reaguar menjëherë dhe i ka dërguar shkresën jo vetëm KOSST-it por edhe KEK-ut dhe KESCO-s dhe vetë KOSST-it që të ndërpritet menjëherë tregtia me këtë kompani. Herën e kaluar e kam thënë që edhe KOSST-i dhe KESCO edhe KEDS-i e kanë ndërprerë tregtimin me këtë tregtar, ndërsa KEK-u ka vazhduar tutje me tregtimin HSE-në. Ata pretendojnë që kanë të drejtë ligjore me tregtuar se ligji ua mundëson në bazë të parimit të reciprocitetit”, ka shtuar kryesuesi i bordit të ZRRE-së.

KEK-u nuk i bindet as Bordit për të bërë pazare me operator të pa licencuar

E KEK-u si duket për të përfituar në kohë ose për të gjetur një instancë qe i lejon tregtimin me këtë kompani ka venë në dyshim rekomandimet e menaxhmentit të ZRrE-së, duke kërkuar qe një gjë e tillë t’i rikonfirmohet nga bordi i këtij institucioni.

Por megjithatë, edhe pasi i është dërguar email zyrtarisht nga bordi i ZRRE-së, KEK-u nuk i ka ndalur pazaret e blerjes së energjisë elektrike nga ky operator ekonomik i cili nuk posedon licence nga shteti i Kosovës.

“Ne kemi një vlerësim edhe nga ana e zyrës ligjore, ne i kemi dërguar edhe përgjigje nga departamenti për licencim dhe ligjore e ZRRE-së që të ndërpritet kjo çështje. Ka kërkuar konfirmim nga ana e bordit të ZRRE-së, ne i kemi  kërkuar prapë me një shkresë të veçantë, mund të jetë në qershor ndoshta. Mund ti kem edhe saktë këto shkresa por me rëndësi si proces ata kanë kërkuar që të kemi shkresë të veçantë, jo nga stafi i ZRRE-së por të kemi shkresë nga ana e Bordit të ZRRE-së. Ne e kemi përsërit dhe i kemi dërguar një shkresë të veçantë që nuk është e mundur të tregtohet me këtë tregtar meqenëse nuk është i licencuar nga ana e ZRRE-së. Ata kanë vazhduar me tregtimin”, ka thënë Zejnullahu.

Aktualisht ZRRE-ja është duke pritur komentet e KEK-ut në lidhje me këtë çështje në mënyrë që të ndërmarrë masa ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Jemi në proces të monitorimit edhe të kësaj çështje dhe besoj që me sa kuptoj unë sot është prapë drafti final, stafi e kanë dërgu të cilët ne jemi duke e shqyrtuar dhe besojmë që javën e ardhshme do të ia dërgojmë edhe KEK-ut për komentim në rast se në gjetjen në të cilën ne pretendojmë të konstatohet a janë apo s’janë. Ata kanë të drejtë të dërgojnë komentet e tyre në lidhje me raportin e ZRRE-së, ka thënë ai.

Derisa nuk dihet ende se kur do të përfundojë ky proces e çfarë masa do të ndërmarr ZRRE ndaj KEK-ut, që aktualisht po vazhdon të blejë energji nga kjo kompani.

Kush është “HSE-ja”, qe mori nga KEK-u mbi 8.3 milionë euro për 7 muaj?

“Holding Slovenske Elektrarne (HSE)”, ka bazën në Lubljanë të Sllovenisë.

Sipas faqes së tyre zyrtare, selia e kësaj kompanie është në Lubljanë derisa ka edhe disa degë të tjera në tre qytete të Sllovenisë.

Derisa nuk dihet ende se pse KEK-u po këmbëngul që të vazhdojë blerjen e energjisë nga kjo kompani duke mos qenë e licencuar në Kosovë, kujtojmë se Gazeta Infokus kishte raportuar në prill se Korporata Energjetike e Kosovës, sipas raporteve të shkëmbimit të energjisë elektrike që kishte siguruar Gazeta Infokus, për shtatë muaj kishte blerë energji elektrike në vlerë 11.8 milionë euro nga një kompani tjetër e quajtur GEN me bazë në Beograd e një tjetër në Lubljanë.

LEXO EDHE: Zbulohen fakte të reja, kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn për 7 muaj bëri pazare 11.8 milionë me Kosovën

Kurse kjo kompani, qe po ashtu ka selinë në Lubliajnë, vendin ku shpërtheu skandali i ambasadorit, Martin berishaj, e panjohur deri me tani së është duke tregtuar me Kosovën pa qenë e pajisur me licencë, sipas atyre dokumenteve qe kishte siguruar muaj me parë Infokusi po del se ka përfituar hiq me pak se 8.4 milionë euro vetëm për shtat muaj.

LEXO EDHE: Skandal: Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milion€ nga Kosova për dy muaj

As kompania ‘GEN’ me seli në Beograd e në Lubljanë nuk është e licencuar në Kosovë

Kryesuesi i bordit të ZRRE-së ka konfirmuar se as kompania GEN për të cilën ka raportuar Gazeta Infokus se i mori shtetit hiq më pak se 4 milionë euro nuk ishte dhe vazhdon të mos jetë e licencuar në Kosovë.

Megjithatë ai ka sqaruar se pse tregtia me këtë kompani sipas tij nuk konsiderohet e jashtëligjshme, ndryshe nga ajo me kompaninë “HSE”.

“Përbesë nuk e di që mund të kenë licencë, GEN-i e di që është operon ka pasë tregtim por më duket e ka licencën e lëshuar nga Rregullatori i Shqipërisë e meqenëse kemi një momerandum mirëkuptimi edhe me Shqipërinë licencat e tyre janë të lëshuara nga rregullatori i Shqipërisë në bazë të atij parimi të reciprocitetit janë të njohura edhe në ZRRE, dhe konsiderohen se kanë licencë edhe për me operu në tregun e Kosovës. Sipas informatave që unë kam GEN-i është i licencuar. Mund edhe të jem gabim por të dhënat janë saktë është regjistri publik mund të shihni në ëeb faqen e ZRRE-së të gjithë të licencuarit që janë të licencuar nga ana e ZRRE-së e gjithashtu ata që janë të pranuara licencat sipas parimit të reciprocitetit me Shqipërinë janë të listuar në faqen e ZRRE-së me emër të biznesit dhe me numër”, ka thënë Zejnullahu.

 

GEN-I është njëra ndër kompanitë për të cilën u raportua se është e lidhur me ambasadorin, Martin Berishaj,  që po ashtu ka marrë miliona nga KEK-u për furnizim me energji elektrike./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera