Lajme

Kapen 75 kg marihuanë gjatë operacionit “Bardhoshi”

Autori: Gazeta inFokus 15:07 | 11 November 2021

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë njoftuar se pas operacionit të quajtur “Bardhoshi”, janë kapur 75 kilogramë drogë, të llojit marihuanë.

Sipas Reshat Murselit, Drejtoria e Hetimit dhe Trafikimit për Narkotikë, droga që është gjetur gjatë këtij aksioni ka ardhur nga vendet fqinje dhe ka qenë e destinuar për vendet e Bashkimit Evropian.

“Në ndjekje e sipër policia ka arritur ta kapë të dyshuarin, i cili i ka sulmuar fizikisht policët duke u munduar t’i shmangë. Pas kontrollit të veturës së tij janë gjetur 20 kilogramë marihuanë në bagazh. Gjatë bastisjes në shtëpi në Mitrovicë nuk është gjetur asgjë, pastaj policia është nisur në shtëpinë e të dyshuarit të dytë në Bardhosh, ku në lokalet e tij u gjetën 55 kilogramë me marihuanë, 193 fishekë, pjesë përbërëse të revoles, fotrolle e revoles, vetura, gjashtë telefona, 1600 euro para dhe 2700 dinarë të Serbisë. Në Prishtinë janë arrestuar edhe tre persona, një kosovar e dy serbë që dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal dhe ndaj të njëjtëve i është caktuar masa e ndalimit prej 24 orë, në Ferizaj është arrestuar i dyshuari i pestë. Droga dyshohet të ketë qenë nga vendet fqinje dhe ka qenë e destinuar për vendet e BE-së“, ka thënë Murseli.

Të tjera