Lajme

Ka ndërruar jetë Prof. Dr. Liman Rushiti, punonjës shumëvjeçarë në Institutin e Historisë, autorë i mbi 200 punimeve shkencore e i shumë librave të tjerë

Autori: Gazeta inFokus 12:18 | 30 September 2024

Në orët e vona të së dielës, në moshën 82 vjeçare, ka ndërruar jetë Prof. Dr. Liman Rushiti.

Rushiti u lind më 25 qershor të vitit 1942 të fshatin Sazli, komuna e Ferizajt.

Ai Studioi për histori në Universitetin e Prishtinës dhe diplomoi në vitin 1967.

-Advertisement-

Në vitin 1975 magjistroi me temën “Rregullimi territorial dhe administrativ i Kosovës 1918-1941” në Universitetin e Prishtinës. Në po të njëjtin Universitet ai edhe mbrojti temën e doktoraturës “Lëvizja Kaçake në Kosovë 1918-1928”, më 25 janar 1980.

Prof. Dr. Liman Rushiti ka botuar pesë libra si dhe ishte bashkautor i disa librave tjerë historik e enciklopedik dhe i disa teksteve shkollore. Gjithashtu ai ishte pjesëmarrës në shumë kongrese dhe simpoziume në Prishtinë, Tiranë si dhe në shumë vende të ish-Jugosllavisë, si në Beograd, Zagreb, Sarajevë etj, si dhe autor i mbi 200 punimeve shkencore.

Rushiti, në vitin 1981, është avancuar në titullin e lartë shkencor, “Profesor Inordinar”, dhe në vitin 1987 është avancuar në titullin ”Profesor Ordinar”.

Familjarët kanë njoftuar se Ceremonia e varrimit do të mbahet të mërkurën në fshatin e lindjes, Sazli (lagjia Ratkocer), komuna e Ferizajt, në orën 15:30. Ndërsa pritja për ngushëllime do të jetë 3 ditë në hotel Grand, nga data 03 tetor e Enjte, deri të Shtunën me 05 Tetor, nga ora 10.00 deri në orën 17.00.

Kontributin e Rushitit e ka vlerësuar lartë Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.

”Me ndarjen nga jeta të profesor Limanit, Instituti humbi kolegun dhe punonjësin shkencorë i cili për dekada të tëra kontribuoi në ndriçimin e ngjarjeve dhe personaliteteve të rëndësishme nga historia e popullit shqiptar, duke dhënë kontribut të çmueshëm në historiografinë shqiptare. Profesor Limani do të kujtohet dhe mbahet mend për kontributin e tij në studimin e Lëvizjes Kaçake në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Institutin e Historisë “Ali Hadri”.

Edhe kryetari i komuës së Ferizajt Agim Aliu e ka vlerësuar lartë kontributin e profesor Liman Rushitit.

Sipas Aliut, Profesori Liman, me jetën e përkushtimin e tij shkencor, mishëron vlerat e virtytet më të kristalta të atdhetarizmit e të shkencës së historisë, duke lënë pas vetes, një pasuri të jashtëzakonshme shkencore, për brezat e studiuesve.

“Profesori Liman, me jetën e veprën e tij, ngjiti piedestalin më të lartë të ndershmërisë, intelektuali tetit e si historian, la gjurmë të pashlyeshme shkencore, duke u bërë edhe vet pjesë e saj, në historinë e shkencës e historisë shqiptare.

Emri e vepra e tij, paraqet emblemë e referencë shkencore, krenari e historiografisë shqiptare, krenari për ne ferizajasit e mbarë kombin shqiptar.

Përpjekja e puna e tij shkencore, nuk u ndal as në moshë të shtyer, duke i dhënë shkencës, burime e studime të reja që ndriçojnë historinë tonë kombëtare.

Lamtumirë profesor Liman, ty që të pata mik të rrallë, të veçantë”, ka shkruar kryetari i Ferizajt, Agim Aliu i cili kohë më parë i ka dhënë titullin e “Nderit të Qytetit”.

Njoftimi i plotë i Institutit të Historisë “Ali Hadri”

Këtë hënë ka ndrruar jetë profesor Liman Rushiti, punonjës shumëvjeçarë në Institutin e Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë.

Me ndarjen nga jeta të profesor Limanit, Instituti humbi kolegun dhe punonjësin shkencorë i cili për dekada të tëra kontribuoi në ndriçimin e ngjarjeve dhe personaliteteve të rëndësishme nga historia e popullit shqiptar, duke dhënë kontribut të çmueshëm në historiografinë shqiptare. Profesor Limani do të kujtohet dhe mbahet mend për kontributin e tij në studimin e Lëvizjes Kaçake në Kosovë.

Prof. Dr. Liman Rushiti u lind më 25 qershor 1942 në fshatin Sazli të komunës së Ferizajt. Shkollën fillore dhe të mesme ekonomike, i kreu në Ferizaj. Studimet i vazhdoi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Dega e Historisë, të cilat i mbaroi më 18 shtator 1968. Më 1975 mbrojti tezën e magjistraturës me titull: “Rregullimi administrativ dhe territorial i Kosovës 1918-1941”, kurse, tezën e doktoratës me titull: “Lëvizja Kaçake në Kosovë 1918-1928”, e mbrojti më 25 janar 1980. Në marrëdhënie të rregullt pune në Institut ishte nga 1 dhjetori i vitit 1967 deri në vitin 2007. Profesor Limani mori pjesë në organe të ndryshme profesionale dhe në redaksi të ndryshme shkencore. Ka hartuar shumë recensione, disa monografi e punime shkencore dhe tekste shkollore. Po ashtu mori pjesë në disa Konferenca, Simpoziume e Kongrese brenda dhe jashtë vendit. Nga viti 2007 është në pension. Prof. Dr. Liman Rushiti botoi këto monografi:

Lëvizja Kaçake në Kosovë (1918-1928), Prishtinë: Instituti i Historisë, 1981 dhe ribotuar me plotësime më 2016;

Rrethanat politiko-shoqërore në Kosovë 1912-1918, Prishtinë: Rilindja, 1986;

Kujtime për Lëvizjen Kaçake, Prishtinë, 2003;

Ndarja territoriale dhe rregullimi administrativ i Kosovës 1878-1941, Prishtinë: Instituti i Historisë, 2004.

Gjithashtu, Prof. Dr. Liman Rushiti ka dhënë kontribut të çmuar edhe në revistën shkencore “Kosova”. Shpirti i tij u prehtë në paqe!

Pusho i qetë profesori i nderuar, prof.dr. Liman Rushiti!

Telegram ngushëllimi i Kryetarit të Ferizajt Agim Aliu

Me dhembje të thellë e pikëllim, mora lajmin për ndarjen nga jeta të ndër të parëve doktor të shkencave nga Ferizaj, historianit të papërsëritshëm, personaliteti që aq shumë i dha shkencës e Ferizajt, “Nderit të Qytetit” të Ferizajt, bashkëqytetarit tonë shembullor, Prof.Dr. Liman Rushiti.

Profesori Liman, me jetën e përkushtimin e tij shkencor, mishëron vlerat e virtytet më të kristalta të atdhetarizmit e të shkencës së historisë, duke lënë pas vetes, një pasuri të jashtëzakonshme shkencore, për brezat e studiuesve.

Profesori Liman, me jetën e veprën e tij, ngjiti piedestalin më të lartë të ndershmërisë, intelektualitetit e si historian, la gjurmë të pashlyeshme shkencore, duke u bërë edhe vet pjesë e saj, në historinë e shkencës e historisë shqiptare.

Emri e vepra e tij, paraqet emblemë e referencë shkencore, krenari e historiografisë shqiptare, krenari për ne ferizajasit e mbarë kombin shqiptar.

Përpjekja e puna e tij shkencore, nuk u ndal as në moshë të shtyrë, duke i dhënë shkencës, burime e studime të reja që ndriçojnë historinë tonë kombëtare.

Lamtumirë profesor Liman, ty që të pata mik të rrallë, të veçantë.

Personaliteti yt dijeplotë, me dashurinë më fisnike për atdheun, me pasionin e devocionin e jashtëzakonshëm për të ndriçuar historinë e kombit tonë, janë skalitur përjetësisht në veprën tënde, emblemë e historisë në gjithë gjeografinë shqiptare.

Pusho në paqen e parajsës së paskaj, Profesor!

Ngushëllime familjes Rushiti, kolegëve, miqve e të njohurve të të ndjerit!

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera