Fokus

“Jo strehim vetëm trajtim”: Si do të funksionojë qendra afro 300 mijë euro e Ramës për qentë endacakë

Autori: Gazeta inFokus 16:42 | 14 November 2022

Deri në fund të vitit pritet të përfundojë projekti për ndërtimin e Qendrës për Trajtimin e qenve endacakë në Prishtinë i cili i kushtoi buxhetit të komunës 239 mijë e 425 euro.

Këtë për Gazetën Infokus e kanë konfirmuar nga kabineti i të parit të Prishtinës, Përparim Rama, shkruan Gazeta Infokus.

“Punët ndërtimore në objektin Qendra për trajtimin e qeneve endacakë planifikohen të realizohen deri në fund të vitit’, kanë deklaruar zyra për informim e kabinetit të kryetarit.

-Advertisement-

Mirëpo kjo qendër nuk do të zgjidh edhe problemin për strehimin e qenve endacakë. Nga kabineti i Ramës kanë sqaruar edhe një herë se kjo qendër do të bëjë vetëm trajtimin e tyre dhe pastaj ti lirojë përsëri në vendet ku do ti marrin.

“Ky objekt është projektuar të bëhet trajtimi i qeneve endacakë jo strehimi, pas trajtimit qentë qëndrojnë 5 ditë hospitalizim ku natyrisht që gjatë periudhës së qëndrimit edhe ushqehen”, kanë deklaruar nga Komuna për Infokus.

E hapësira e vogël në këtë qendër sipas kabinetit ka pamundësuar që qentë aty edhe të strehohen. Mirëpo këto janë tre trajtimet që do tu bëhen qenve në qendër.

“Objekti nuk është strehimore, ngase strehimorja duhet të ketë hapësirë të madhe për numër të madhe të qeneve endacak, si dhe kushte për qëndrim afatgjatë, kurse këtu bëhet trajtimi i tyre me metodën KSVL (kastrim, sterilizim, vaksinim dhe lëshim). Nga kjo shohim se qentë pas trajtimit sikurse edhe tani lirohen prapa në vendin ku janë marrë”, kanë deklaruar nga komuna.

Derisa sipas tyre do të punësohet një staf profesional që do të merret me trajtimin e qenve dhe komuna do të ndajë buxhet për funksionimin e saj.

“Stafi i cili do të angazhohet në Qendrën për trajtimin e qeneve endacakë do të jetë staf profesional sipas kushteve që përcaktohen me udhëzim administrativ, po ashtu edhe trajtimi bëhet sipas udhëzimit administrativ dhe ligjit për kujdesin ndaj kafshëve.  Buxheti planifikohet varësisht nga kushtet që kërkohet të jetë kjo qendër funksionale.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kishte deklaruar se për herë të parë në Kosovës po ndërtohet një qendër e tillë.

“Për herë të parë në Kosovë ndërtohet një qendër e tillë, e cila kryesisht fokusin do ta ketë në trajtimin e qenve endacakë. Kryeqyteti është zotuar të zgjidhë këtë çështje, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha komunave dhe veçanërisht me institucionet qendrore. Siguria e qytetarëve tanë është prioritet”, pati thënë Rama kur u vu themeli i kësaj qendre në muajin tetor.

Derisa ende pothuajse çdo ditë raportohet se si qentë endacakë po sulmojnë qytetarët. Këto raste janë edhe më të shpeshta tani që jemi afër stinës së dimrit.

E sa do të jetë funksionale kjo qendër dhe a do të ndikojë në uljen e rrezikut të sulmeve nga qentë endacakë mbetet të shihet./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera