Sport

Javë historike për hendbollin kosovar

Autori: Gazeta inFokus 16:22 | 10 April 2019

Prej sot hendbolli në Kosovë do të jetë arenë e shumë garave ndërkombëtare, që do të zhvillohen në Prishtinë.

Federata e Hendbollit e Kosovës do të organizojë dy gara ndërkombëtare për U19 dhe U21, derisa  Kombëtarja A nis fazën e dytë të kualifikimeve për EURO 2020.

Kombëtarja A takohet me Izraelin, në ndeshjen që luhet sot në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, duke filluar prej orës 19:15.

-Advertisement-

Sot  nis edhe gara e rëndësishme, IHF Trophy Intercontinental, fituesi i së cilës garë do të kualifikohet në kampionatin botëror të juniorëve. Kjo garë zhvillohet për grupmoshën U-21 dhe U-19, derisa marrin pjesë kombëtare të ndryshme të botës. Kosova U21, ka mundësi të artë të bëhet pjesë e historisë, duke prerë biletën e fundit për botërorin, që zhvillohet në verë në Spanjë.

“Jemi me fat që po e organizojmë këtë ngjarje të IHF-së. Ka pasur konkurrencë mjaft të madhe për të fituar të drejtën e organizimit të kësaj ngjarje dhe fatmirësisht ne e kemi marrë mbi vete këtë organizim”, ka thënë presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraqini, në konferencën e organizuar për shtyp.

Përzgjedhësi i Kombëtares A, Taip Ramadani ka folur për përgatitjet e po ashtu për kundërshtarin e së mërkurës, Izraelin. Ka thënë se Izraeli ka ekip cilësor, të përgatitur fizikisht dhe me përvojë.

“Është ekip i përsosur, i kompletuar dhe luan me një sistem. Shumë pak i devijojnë sistemit të trajnerit, pra janë të disiplinuar dhe serioz. Izraeli në tetor ka befasuar me Poloninë. Ne kemi pasur katër ditë përgatitje në Turqi, luajtëm dy miqësore dhe pata rastin të shoh formën e lojtarëve të mi. Jam shumë i kënaqur me shumicën e lojtarëve që janë të përgatitur mirë”, ka thënë Ramadani.

Kryetrajneri i kombëtares U21, Fatmir Muhaxheri ka folur për atmosferën e mirë te juniorët.

“Atmosfera është e mirë, përgatitjet kanë shkuar mirë. Kemi skuadër cilësore , ndërsa kemi bërë disa përforcime me lojtarë që luajnë jashtë. Nëse zëmë vendin e parë kualifikohemi për në botëror dhe do të shkruajmë historinë. Mendoj se do të kualifikohemi”, ka thënë Muhaxheri.

Në kuadër të grupit A, Kosova sot luan me Taipein Kinez, nga ora 15:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ndërsa të premten luan me Nigerinë. Ndërkohë, Kosova U19 është në grupin B së bashku me Kanadanë e Zelandën e Re. Nesër (e enjte) luajnë ndeshjen e parë me Zelandën e Re.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera