Fokus

Javë me aksione intensive për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në Kosovë

Autori: Elvira Haxhiu 17:32 | 16 January 2022

Që nga vendimi për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, Policia e Kosovës, ka ndërmarrë tetë aksione për ndalimin e prodhimit të tyre, shkruan Gazeta Infokus.

Vendimi i Ministrisë së Ekonomisë është marrë me 4 janar të këtij viti, kurse aksioni i konfiskimit ka nisur me datën 6, fillimisht me një aksion në fshatin Surkish të Podujevës, ku janë konfiskuar tre aparate për prodhimin e kriptovalutave.

“Stacioni Policor i Podujevës së bashku me Njësitin e Reagimit të Shpejtë, kanë mbështetur ekipe të KEDS në Fsh. Surkish ku janë gjetur dhe sekuestruar tre aparate për prodhimin e kriptovalutave”, thuhej në njoftimin e policisë.

-Advertisement-

Po në këtë datë, Policia e Kosovës në Mitrovicën e Jugut pati sekuestruar 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

“Gjatë bastisjes për veprimtari të kundërligjshme janë gjetur dhe sekuestruar 67 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave”, njoftoi policia.

Aksion tjetër u zhvillua në pjesën veriore të Mitrovicës të shtunën e 8 janarit, ku policia arriti të konfiskojë 272 pajisje të ndryshme ANTMINER që shërbejnë për prodhimin e BITCOIN-it.

Pajisjet të cilat u sekuestruan në këtë aksion janë:

Antminer S9i 14.0T-128 copë,

Antminer S9 13.5T-117 copë,

Antminer S9 13.0T- 5 copë,

Antminer S9i 14.5T- 19 copë,

Antminer S9 10.5T- 3 copë.

Gjithashtu, më datën 8 policia kishte vazhduar aksionin tjetër në Prishtinë ku ishin gjetur dhe sekuestruar 39 mjete për prodhimin e kriptovalutave.

“Stacioni Policor Veriu në Prishtinë, kanë mbështetur ekipe të KEDS në rrugën “Dëshmorët e Prapashticës”, ku janë gjetur dhe sekuestruar 39 mjete për prodhimin e kriptovalutave, 35 prej të cilave në kohën kur po kryhej kontrolli ishin në funksion”, thuhej në raportin e policisë.

Po në këtë datë ishin konfiskuar edhe 6 aparate me 42 kartela për prodhimin e kriptovalutave në fshatin Druar të Vushtrrisë.

Ndërkaq, të hënën e 10 janarit, Policia e Kosovës në Drenas sekuestroi 116 kartela grafike, 17 pllaka me procesor, 50 siguresa të energjisë elektrike, 21 USB dhe 2 procesorë të përdorur.

Kurse më datën 12, në Shtime u konfiskuan 58 kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave.

Edhe të enjten e datës 13 janar, ka vazhduar aksioni i policisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ku në Fushë Kosovë, u sekuestruan 3 aparate për prodhimin e kriptovalutave dhe 16 kartela grafike.

“Njësitet policore të Fushë Kosovës, në bashkëpunim me ekipin e KEDS dhe zyrtarët e Doganës së Kosovës, në rrugën “Fahri Fazliu” në Fushë Kosovë, kanë gjetur dhe sekuestruar 3 aparate për prodhimin e kriptovalutave dhe 16 kartela grafike”, njoftonte policia.

Kurse të shtunën e 15 janarit, Policia e Kosovës ka sekuestruar 46 kartela grafike dhe 28 aparate për prodhimin e kriptovalutave në fshatin Bllac të Suharekës.

Sipas PK-së, KEDS ka konstatuar se edhe rryma ka qenë kyçje ilegalen dhe se Dogana e Kosovës do të jetë ajo që do të merret me veprimet e mëtejme lidhur me këtë rast.

Nga Ministria e Ekonomisë për Gazetën Infokus, patën thënë se vendimi për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, është marrë për shkak të krizës me energjinë elektrike në Kosovë.

“Një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit, ku për shkak të mospagesës së energjisë elektrike, prodhimi i kriptovalutave konsiderohet të jetë më i larti në vend”, kanë thënë nga ministria.

Ndërkaq, nga kjo ministri kanë bërë të ditur se aksionet për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave do të vazhdojnë edhe më tutje./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday në Comodita Home: Përfito 100€ extra zbritje në dyshekë
-Advertisement-

Të tjera