Sport

Ja çfarë thanë trajnerët e kombëtarëve rivale të Kosovës për kualifikimet EURO 2020

Autori: Gazeta inFokus 10:26 | 03 December 2018

Kombëtarja e Kosovës është pjesë e Grupit A për kualifikime në Kampionatin Evropian EURO 2020 me Anglinë, Republikën e Çekisë, Bullgarinë dhe Malin e Zi pas hedhjes së shortit të djeshëm në Dublin.

Kosova do të merr pjesë për herë të parë në kualifikimet për Evropianin e vitit 2020, pas një viti të suksesshëm që pati, sidomos në Ligën e Kombeve, duke përfunduar e para në grup, dhe duke mos pësuar asnjë humbje që nga nëntori i vitit 2017.

Më poshtë mund t’i lexoni reagimet e trajnerëve të kombëtareve që janë në të njëjtin grup me Kosovën: Gareth Southgate, trajner i Anglisë

-Advertisement-

“Ne qartë se kemi evituar disa skuadra të mëdha, kështu që duhet të sigurohemi që përgatitjet për këto ndeshje që na presin të jenë në nivelin e duhur. Kur luan ndaj shteteve më pak të njohura, motivimi i tyre për të luajtur kundër Anglisë është shumë i madh dhe në disa ndeshje që luhen jashtë shtëpisë sonë atmosfera pritet të jetë shumë e nxehtë. Nuk ka arsyetime për ne, duhet të sigurohemi që të jemi të përgatitur për çdo ndeshje dhe të kryejmë punën në fushë”.

Jaroslav Silhavy, trajner i Republikës së Çekisë

“Anglia natyrisht se është favoritja më e madh në grup dhe skuadrat e tjera janë të balancuara. Por, ne natyrisht nuk mund të zgjedhim kundërshtarët. Lojtarët janë të vendosur të shkojnë në Evropian dhe duan të japin më të mirën. Anglia e dimë se është skuadër e fortë. Për momentin nuk mund të flasim shumë për skuadrat e tjera, pasi nuk kemi shumë informata për to. Në ish-Jugosllavi gjithmonë janë lindur lojtarë të mëdhenj, kanë tifozë shumë kërkues, kështu që nuk pres të jetë e lehtë. Kosova është skuadër e vazos së pestë, por rezultatet e saj tregojnë se është skuadër e fortë dhe po ashtu dëshmon për sa i fortë është grupi ynë”.

Petar Hubchev, trajner i Bullgarisë

“Ne kemi tri skuadra nga Ballkani në grup dhe, siç e dimë, në ato ndeshje mund të ndodhë çdo gjë, kështu që, pse të mos luftojmë për vendin e parë. Është ende herët për të parashikuar ndonjë gjë. Secilin kundërshtar do ta trajtojmë me respekt. Jemi paraqitur mirë në tre muajt e fundit, por kjo nuk do të thotë asgjë. Ne do të shohim ku jemi në mars, kur nisin eliminatoret”.

Lubisha Tumbakoviq, trajner i Malit të Zi

“Një grup interesant, me një Angli të jashtëzakonshme që është favorite absolute. Përfaqësueset e tjera do të kërkojnë rastin e tyre. E kemi këtë rast edhe ne dhe në fushë të blertë do të tregohet se sa kam të drejtë. Do të mundohemi të mobilizohemi, të bëjmë një hap para për stabilizim të skuadrës. Shpresojmë që nuk do të kemi probleme çfarë kemi pasur së fundi dhe të luajmë me përbërjen më të fortë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera