Lajme

Ish-krerët e UÇK-së vizitohen në Hagë nga familjarët, Specialja jep detaje rreth lejimit të vizitave

Autori: Gazeta inFokus 09:33 | 22 July 2021

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, si dhe ish-pjesëtarë tjerë të kësaj ushtrie janë duke vazhduar të mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale, e ku pas rreth tetë muajsh ata kanë filluar të takojnë familjarët e tyre në qendrat e paraburgimit.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë filluar lejimin e vizitave nga data 15 korrik, ku i pari që ka takuar familjarët e tij ishte Jakup Krasniqi.

Michael Doyle, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka bërë të ditur se vizitat kanë filluar të lejohen pas fushatës së suksesshme të vaksinimit.

Gjithashtu, Doyle bëri të ditur se vizitat me anëtarët tjerë të familjes do të rinisin në gusht-shtator.

“Të gjithë të paraburgosurve u sigurohen ‘mënyra të arsyeshme’ për të mbajtur marrëdhënie personale, përfshirë edhe vizitat nga anëtarët e familjes. Në përputhje me këshillat mjekësore dhe pas një fushate të suksesshme vaksinimi në Qendrat e Paraburgimit, masat COVID-19 të aplikuara në Qendrat e Paraburgimit po hiqen gradualisht dhe në mënyrë progresive. Vizitat familjare personale për bashkëshortët ose partnerët, prindërit, fëmijët dhe vëllezërit e motrat e të burgosurve kanë qenë të mundshme duke filluar nga 15 korrik 2021. Vizitat me anëtarët e tjerë të familjes pritet të rinisin në gusht-shtator, nëse vlerësimi i fazës së parë, bazuar në azhurnimet mjekësore ditore është pozitiv”, ka thënë Doyle për Telegrafin.

Doyle ka shtuar tutje se, të paraburgosurit dhe anëtarët e tyre të ngushtë të familjes kanë marrë informacion të hollësishëm për caktimin e vizitave. Ndërsa, për arsye të privatësisë, ai tha se dhomat e Specializuara nuk japin informacion mbi kërkesat për vizita në Qendrat e Paraburgimit.

Ndryshe, sipas përkufizimit në Rregulloren e Paraburgimit, në të afërm të ngushtë përfshihen bashkëshortja/bashkëshorti, partnerja/partneri, prindërit, fëmija, nipi/mbesa, vëllai, motra (ku përfshihen edhe vëllezër e motra vetëm prej nënës ose babait dhe vëllezër e motra të gjetura), gjyshërit, dhëndri dhe nusja.

Të gjithë këta do të lejohen të kalojnë kohë me të afërmit e tyre në paraburgimin e Speciales, pa u vëzhguar nga punëtorët e Scheveningen, vendit ku po mbahen ish-krerët e UÇK-së.
Specialja i ka kushtuar kujdes të veçantë organizimit të vizitave prej familjes në bazë të një procedure të thjeshtuar.

Takimet personale ndërmjet të paraburgosurit dhe bashkëshortes/bashkëshortit dhe fëmijëve të të paraburgosurve realizohen në një vend të përshtatshëm brenda objektit të paraburgimit ku lejohet kontakt fizik. Ambienti është jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit.

Ndërkaq, shefi i paraburgimit mund të vendosë kufizime për vizitat dhe komunikimet, përfshirë edhe kufizime kohore, duke u bazuar në planin ditor të punës të objektit të paraburgimit dhe disponueshmërinë e personelit. Orari i vizitave mund të ndryshojë në rast se të paraburgosurit apo vizitorit nuk i përshtatet, thuhet në këtë rregullore.

Sipas të njëjtës rregullore, çdo send i marrë nga jashtë objektit të paraburgimit, përfshirë çdo send të sjellë nga një vizitor, i nënshtrohet kontrolleve të sigurisë së objektit të paraburgimit dhe, sipas rastit, mund të kontrollohet me përdorimin e aparateve me rreze Rëntgen dhe të pajisjeve të tjera kontrolluese.

Ndryshe, në tetor të vitit 2020, Gjykata Speciale për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999.

Të tjera