Ish-deputeti Ivan Todosijeviq deklarohet i pafajshëm për nxitje të urrejtjes

Autori: Gazeta inFokus
15:11 | 29 July 2022
Ish-deputeti nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, i akuzuar për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos-durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.
Këtë deklarim, i akuzuari Todosijeviq e bëri në seancën e së premtes pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, mbrojtësi i Ivan Todosijeviq kishte kërkuar përjashtimin e trupit gjykues nga trajtimi i çështjes penale, përjashtimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, përjashtimin e u.d kryetarit të Gjykatës së Apelit të Kosovës nga vendosja për kërkesën e tyre, si dhe ndërrimin e kompetencës së gjykatës, mirëpo të gjitha këto kërkesa ishin refuzuar.
Kërkesat e lartpërmendura, mbrojtja e Todosijeviqit i kishte paraqitur në seancën e 11 shkurtit, në të cilën pritej të nis rigjykimi ndaj tij.
Ndryshe, Kolegji i Gjykatës Supreme, vitin e kaluar e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, ku Todosijeviq ishte dënuar me dy vite burgim nga gjykata e shkallës së parë, vendim të cilin e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit.
Njoftimin për këtë e kishte bërë Gjykata Supreme përmes një komunikate për medie.
“Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit I.T., dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.20/2019 i datës 05.12.2019, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, APS.nr.7/2020 i datës 24.06.2021, dhe çështjen e ka kthyer në gjykatën e shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në komunikatë
Ish-ministrit Ivan Todosijeviq i është ngritur aktakuza në korrik të 2019-ës pasi më 2018 kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut, ku në janar të vitit 1999 ishin vrarë 45 civilë nga ushtria e shtetit serb.
Ndryshe, Todosejviq ishte dënuar me dy vite burgim nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.
Ky dënim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit në gusht të këtij vitit të kaluar.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhej se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se në dispozitivin e aktgjykimit janë përshkuar në tërësi veprimet inkriminuese të cilat formojnë elementet e veprës penale për të cilin ishte shpallur fajtor i akuzuari.
Apeli kishte vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është i qartë dhe i kuptueshëm, e se në arsyetim janë dhënë arsye të qarta për faktet vendimtare dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje juridike, për të cilat arsye edhe kjo gjykatë i aprovon si të drejta dhe ligjore.
Ndryshe, Todosjeviq kishte qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.
Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.
Sipas akuzës, më 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës.

Të tjera
-
Ukraina godet Rusinë, një nga sulmet më të fuqishme që nga fillimi i luftës
Rusia është goditur nga një prej sulmeve më të mëdha ajrore me dronë që nga f...
-
Sekretari i Kuvendit: Kërcënimi për bombë erdhi në gjuhën angleze, u kërkua të qëndrojmë 50 metra larg objektit
Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi, ka dhënë detaje lidhur me kërcë...
-
Kuvendi vazhdon punimet në orën 20:00
Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë punimet sonte në orën 20:00. Kështu tha n...
-
Bahtiri pas alarmit për bombë: Në mbrëmje do të jetë seanca
Deputeti i betuar, Agim Bahtiri ka folur pas kërcënimit për bombë në Kuvendin...
-
Kuvendi jep detaje për alarmin për bombë brenda objektit
Policia e Kosovës u ka kërkuar deputetëve që ta lirojnë objektin e Kuvendit t...
-
Policia jep detaje për alarmin me bo*mbë në Kuvend: Kërcënimi erdhi përmes mesazhit
Paraditen e së shtunës, Kuvendi i Kosovës u kërcënua përmes një mesazhi se në...
-
Abdixhiku për alarmin në Kuvend: S’mu duk diçka serioze
Pasi Kuvendi i Kosovës u njoftua për një kërcënim me telefon, pak para nisjes...
-
Njësia e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës arrijnë afër Kuvendit e Qeverisë
Pjesëtarë të Njësisë së Reagimit të Shpejt të Policisë së Kosovës kanë arritu...
-
Evakuimi i deputetëve, Duda Balje: S’besoj që ka me ndodhë diçka, mundet me qenë ‘fake’
Deputetja Duda Balje është deklaruar pas urdhrit për evakuim të deputetëve ng...
-
Kadrijaj: E pakuptimtë situata, s’ka njeri normal që e sulmon Kuvendin
Deputetja e betuar e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka quajtur të pakuptimtë situat...
-
Konjufca: Kërcënimi ka qenë i qartë
Deputeti i betuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka folur rreth kër...
-
“Dilni, dilni se ka diçka edhe dolëm”, Ganimete Musliu kritikon gjendjen e sigurisë në Kuvend
Deputetëve të Kuvendit iu është kërkuar ta lëshojnë sallën e Kuvendit për shk...