Lajme

Industria e drurit ka mungesë të fuqisë punëtore të profilizuar

Autori: Gazeta inFokus 21:54 | 03 January 2023

Industria e drurit ka filluar ta ndiejë me të madhe mungesën e fuqisë punëtore. Profilizimet në këtë fushë sa kërkon kjo industri nuk po mjaftojnë për t’i plotësuar nevojat që ka tregu. Nga shoqata që përfaqëson këtë industri thonë se kërkesat janë për 700 profile, ndërsa aftësohen vetëm 100 në vit. Nga MASHTI nuk premtojnë ndonjë zgjidhje.

Industria e drurit ka marrë hov në Kosovë. Por mungesa e fuqisë së profilizuar punëtore bën që të mos përmbushen kërkesat e mëdha që ka tregu.

“Punëtorët duhet të kenë shkollë adekuate të zdrukthëtarisë dhe mobilierisë, prandaj duhet të jenë të shkolluar në mënyrë ekzakte. Kemi nevojë edhe për punëtorë të thjeshtë për t’i plotësuar nevojat për makinerinë”, ka thënë Naman Gashi, pronar i një punëtorie.

-Advertisement-

Ai thotë se Komuna e Prishtinës duhet të shtojë drejtimet profesionale që e mbështetin këtë industri.

Në Shoqatën e Përpunimit të Drurit theksojnë nevojën e madhe për staf të aftësuar që dalin nga shkollat profesionale.

“Industria e drurit ka kaluar nëpër epoka të ndryshme. Prej një zdrukthëtarie të thjeshtë sot janë nivel industrial. Këtë shpejtësi të zhvillimit të industrisë në Kosovë, sistemi arsimor nuk ka arritur ta përcjellë. Edhe interesimi i të rinjve për t’u aftësuar në shkolla profesionale ka qenë jashtëzakonisht i vogël, duke qenë se vetëm 100 të rinj në vit përfundojnë shkollën, ndërsa në vit minimum 700 punëtorë i duhen këtij sektori”, ka thënë për RTK-në, Arieta Vula Pozhegu, nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës.

Në Shkollën e Mesme të Lartë të Agrobiznesit dhe Teknologjisë ‘Zenel Hajdini’ në Ferizaj, zv/drejtori Heset Vranovci tha se kanë bërë marrëveshje me fabrikat që të punësojnë nxënësit e tyre pas përfundimit të shkollimit.

“Kemi dy profile që kanë të bëjnë me përpunimin e drurit. Është dizajni i enterierit dhe teknologjia e drurit. Çdo vit kemi rritje të interesimit të nxënësve në këto drejtime . Sivjet ka qenë viti më i mirë sa i përket dizajnit të enterierit dhe teknologjisë së drurit. Në këtë drejtim janë regjistruar edhe vajza. Është bashkëpunimi i mirë mes shkollës dhe bizneseve. Kemi diku rreth 120 marrëveshje me biznese të ndryshme të komunës tonë. Një pjesë e madhe e marrëveshjeve është në industrinë e drurit”, ka theksuar Vranovci.

Nga Ministria e Arsimit e kanë konfirmuar për RTK-në se kërkesa në profilin e përpunimit të drurit është rritur dukshëm kohët e fundit, por nuk kanë dhënë ndonjë zgjidhje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera