Lajme

Ilir Kulla: Serbia ka blerë avionët që bombạrduan Beogradin

Autori: Gazeta inFokus 14:41 | 04 September 2024

Eksperti i Politikave të Sigurisë dhe Gjeopolitikës, Ilir Kulla, vlerëson se blerja e avionëve të Francës nga Serbia është një lëvizje strategjike për Serbinë jo vetëm se janë më të mirët por edhe se janë të NATO-s.

Sipas Kullës, Serbia i ka marr në vendin e vet avionët të cilët para 25 vitesh e kanë bombarduar Beogradin dhe gjithë Serbinë.

“Dihet që Serbia ka pasur gjithmonë një industri ushtarake konkurrente në rajon dhe është një lëvizje shumë e rëndësishme strategjike për ta, sepse avionët “Rafale”, jo vetëm që janë avionët më të mirë në botë, por janë edhe avionë të NATO-s dhe kjo e bën Serbinë, që për herë të parë që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë të pajiset me teknologji të lartë ushtarake NATO, e të marri në vendin e vet ata avionë që 25 vite më parë e kanë bombarduar Beogradin dhe gjithë Serbinë”, ka thënë ai në emisionin në Tëvë1.

-Advertisement-

Megjithatë, Kulla, nuk konsideron se në rajonin e Ballkanit, kjo blerje e bën Serbinë të pakonkurrentë në aspektin ushtarak, pasi avionët kontrollohen nga satelitë dhe Serbia nuk mund t’i përdorë si të dëshirojë.

“Edhe po edhe jo, se duhet ta shpjegojmë që është një blerje me qera dhe deri në momentin e pagesës së plotë janë avionë francezë. Këta avionë janë të një gjenerate dhe teknologjie shumë të lartë dhe kontrollohen nga satelitët që edhe sikur të dojë avioni të vijë e të bombardojë Prishtinën, nëse ata në Paris nuk janë dakord, ia bllokojnë të gjithë mekanizmat nëpërmjet satelitëve”, është shprehur Kulla.

Më tej, Kulla, ka thënë se Vuqiq përmes këtyre marrëveshjeve ekonomike po mundohet të kthejë Serbinë në një vend tërheqës për investuesit e huaj.

Ndërsa, sipas tij, perëndimi pavarësisht tentativave për afrimin e Serbisë me ata, nga Serbia do të marrin gjithmonë përgjigjen e njëjtë ‘Serbia do t’i thotë edhe Perëndimit ke të drejtë edhe Rusisë ke të drejtë’.

“Unë e kam thënë gjithmonë që Vuçiç me serbët dhe rusët flet serbisht dhe rusisht, me të huajt anglisht e në rastin me Macron përveq anglishtes, ka futur edhe ca miliarda euro në tryezë. Ai po mundohet që të bëjë një përzierje mes asaj që ka qenë Tito, pra për ta kthyer Serbinë në një vend të pranishëm e të këndshëm për investimet e huaja, por edhe për të luajtur gjeopolitikë me këtë gjë. Me sa duket ia ka dalë, duke pasur parasysh se është një moment i vështirë ekonomik dhe politik edhe për Gjermaninë, edhe për Francën, si rrjedhojë e luftës në Ukrainë, dhe këtë gjë e ka bërë përmes këtyre marrëveshjeve ekonomike. Por është e qartë që çdo tentativë që vjen nga Perëndimi për afrimin e Serbisë me Perëndimin, do të ketë gjithmonë të njëjtën përgjigje, Serbia do t’i thotë edhe Perëndimit ke të drejtë edhe Rusisë ke të drejtë”, ka shtuar ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera