Lajme

Hyrja me pagesë në Prishtinë, Behgjet Pacolli i reagon Shpend Ahmetit

Autori: Gazeta inFokus 12:00 | 21 October 2020

Edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj idesë së të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti për vendosjen e taksës ndaj qytetarëve të komunave të tjera për hyrje në kryeqytet.

Pacolli thotë të mos ketë reaguar ndaj kësaj, meqë kishte menduar se është një shaka e sezonit.

Ai është shprehur se vendosja hyrja në Prishtinë e qytetarëve nga komunat tjera të Kosovës është e padrejtë, ku ka theksuar se komunarët nuk guxojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

-Advertisement-

“Në propozimin e Komunës së Prishtinës për hyrjen me pagesë, deri më tani kam heshtur duke menduar se është një shaka e sezonit. Është e padrejtë ndaj qytetarëve, vetëm të mendojnë për një gjë të tillë. Komunat nuk mund të prekin gjithmonë xhepat e qytetarëve për të justifikuar “punën” e tyre ose më saktë “përshtatshmërinë e tyre të modus operandit”. Ju Komunarët nuk guxoni ta bëni atë”, ka shkruar Pacolli në ‘facebook’.

Ndërsa, Pacolli ka ripërsëritur idenë e tij për zgjidhjen e problemit të trafikut.

“Zgjidhja e problemit të trafikut në qytet ishte propozimi im i hershëm….bartjen e administratës dhe zyrave të tjera civile dhe të biznesit nga qyteti në periferi, së bashku me kampuset universitare në mënyrë që qyteti aktual t’u lihet banorëve. Kjo ka qenë, mbetet dhe do të jetë zgjidhja e vetme. E them nga viti 2006. Kur isha në qeveri u përpoqa më gjithë qenjën për ta bërë të mundur këtë (edhe duke financuar një pjesë të madhe nga logjistika ime) por isha i vetmuar në këtë ide dhe kjo u banalizua nga kolegët e mi në qeveri. Për këtë, unë kisha prezantuar një projekt i cili madje ishte “humbur” në mjediset e Kryeministrisë. Nëse ata do të më kishin dëgjuar mua, sot do të kishim pjesën më të madhe të “Qytetit Administrativ” në Hajvali dhe ajo hapësirë nuk do të ishte shkatërruar siç po ndodh tani. Kështu do të dukej Prishtina e Re”, ka shkruar Pacolli derisa ka publikuar dhe fotografi se si do të dukej “Prishtina e Re”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Black Friday ne Artmotion

Të tjera