Lajme

Hoxhaj: E shoh të pamundur bashkëpunimin me LVV-në

Autori: Gazeta inFokus 19:21 | 13 July 2024

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se diskursi për luftë i kryeministrit Albin Kurti dhe të tjerëve është për qëllime elektorale. Ai thekson se luftë klasike sikurse në vitin 1999, nuk mund të ketë në Kosovë, andaj deklaratat e shpeshta të krerëve të shtetit për rrezikun për luftë nga Serbia kanë dëme politike, diplomatike dhe ekonomike.

Hoxhaj, në një intervistë për KosovaPress, akuzon kreun qeveritar se ka degraduar dialogun me Serbinë dhe se ka pranuar një marrëveshje të dëmshme për Kosovën, ku në thelb ka autonominë për serbët në Kosovës përmes Asociacionit. Mirëpo, ai e sheh si të mundshme që të formohet Asociacionit, gjithmonë në përputhje me Kushtetutën si kundërvlerë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Sipas tij, vendet perëndimore nuk i besojnë më kryeministrit Albin Kurti, andaj dyshon se do të përmbushen edhe tri kushtet e tij të paraqitura rishtazi në dialog.

-Advertisement-

Ish-ministri i Jashtëm, thotë se kryeministri Albin Kurti është dashur që gjatë diskutimeve për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të kërkojë nënshkrimin e tyre dhe jo tash pas një viti.

Ai deklaron se Kurti po i ik tavolinës së dialogut pasi nuk pajtohet me planin e sekuencimit që i është dorëzuar nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në vizitën e tij të fundit në Kosovë.

Sipas tij, ky plan i zbatimit të marrëveshjes është më i keq se ata paraprak, andaj kryeministri Kurti ka paraqitur kushte për takim të nivelit të lartë në dialog.

Deputeti opozitar deklaron se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga Bashkimi Evropian e kërcënon rendin kushtetues të Kosovës dhe rrezikon ndarjen e brendshme të vendit.

Sipas tij, për këtë temë duhet të tentohet të shkohet përpara në koordinim me aleatët ndërkombëtar. Ai shton se themelimi i Asociacionit duhet të ndodh si kundërvlerë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, thotë se e sheh të pamundur bashkëpunimin në të ardhmen me Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas tij, dallimet me kryeministrin Kurti janë të mëdha dhe vështirë të tejkalueshme.

“Nuk është problemi i vijave të kuqe. Problemi është i asaj se çka beson zotëri Kurti dhe çka besojmë ne. PDK-ja është parti e cila ka histori dhe është në themeli të shtetit të Kosovës. Edhe si UÇK dhe si PDK dhe një pjesë e jona si individë që kemi qenë ditët e para prej themelimit të këtij shteti dhe jemi krenarë. Ne nuk mund të bëjmë që s’po dina kur e shohim se në udhëheqjen e zotëri Kurtit është duke u shpërbërë shteti i Kosovës brenda dhe jashtë”.

“Në udhëheqjen e Kurtit është kah shpërbëhet demografia e Kosovës. Ky vend ka sa problem me orientimin e gabuar të politikës së jashtme, po aq ka me krizën e besimit që e kanë qytetarët në raport me qeverinë dhe krizën e besimit që e ka Kurti si lider për të marrë vendime. Në këtë drejtim unë e shoh si të pamundur një bashkëpunim me zotëri Kurtin në mënyrën sesi ka qeverisur deri tash”, deklaroi Hoxhaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera