Lajme

Hoti për Lajçakun: Nuk e kuptoj ndërmjetësin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, çfarë po ndërmjetëson?

Autori: Gazeta inFokus 10:53 | 10 March 2022

Ish-kryeministri i Kosovës, tash deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur lidhur me dialogun e ngecur mes Kosovës dhe Serbisë. Një fjalim e ka mbajtur në Komisionin Parlamentar për Stabilizim Asocim në Parlamentin Evropian në Strasburg, Francë.

Hoti tha se Serbia nuk ka ndryshuar qasje. Shtoi se deklarimet e palës serbe janë shqetësuese për paqen afatgjatë në rajon.

“Po vazhdon interferimi i Serbisë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë. Strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë janë ri-aktivizuar”, tha Hoti.

-Advertisement-

Tutje Hoti kritikoi edhe Bashkimin Evropian. Ai tha se Bashkimi Evropian po vazhdon me qasjen e “ambiguitetit konstruktiv” sa i përket dialogut.

“Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës e ka trashëguar një proces të dialogut të definuar qartë, me platformë të përgatitur në një proces gjithëpërfshirës brenda Kosovës dhe të dakorduar me partnerët, e cila i kishte përcaktuar qartë parimet dhe objektivat e dialogut. Qasja e qeverisë paraprake e kishte kthyer dialogun në binarë pas dy vitesh bllokimi, në binarë që çonin vetëm në një përfundim – njohje reciproke. Si përfaqësues i opozitës, unë i kam kërkuar vazhdimisht Qeverisë së Kosovës që dialogu të mbahet në ata binarë”, tha Hoti.

Në fund, ka kritikuar edhe të dërguarin e Posaqëm të BE-së, për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Ne nuk e kuptojmë ndërmjetësin e BE se çfarë po ndërmjetëson në këtë dialog. Me gjithë respektin për Z. Lajçak, ai nuk është aty për të hapur zyrat në Bruksel kur palët dakordohen që të takohen. Ai nuk është aty për të bartur mesazhe nga njëra palë tek tjetra. Ai është aty për t’u siguruar se po bëhet progres drejt marrëveshjes finale për njohje reciproke”, tha Hoti.

Fjala e plotë e Hotit:

Fjala ime lidhur me dialogun në takimin e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asocim Kosovë-BE

Strasburg, Francë, Parlamenti Evropian

9-10 mars 2021

Të nderuar kolegë deputetë nga Parlamenti Evropian dhe bashkë kryesues të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asocim,

Më vjen mirë që po takohemi sot këtu në Strasburg. Sot takohemi në rrethana të veçanta. Agresioni rus në Ukrainë e ka ndërruar perceptimin tonë për mënyrën se si duhet ruajtur paqja në Evropë dhe përtej. Kjo lidhet edhe me pikën e agjendës që po e diskutojmë tani – dialogu Kosovë-Serbi.

Dëshiroj të falënderoj Parlamentin Evropian për qartësinë që ka në mbështetje të rrugës së Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian para 6 vitesh, të gjitha Qeveritë në Kosovë e kanë marrë shumë seriozisht këtë marrëveshje. Vit pas viti është përgatitur Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së. Siç parashihet edhe në MSA, fqinjësia e mirë është element qenësor për paqe, stabilitet dhe integrim evropian të Ballkanit Perëndimor.

2.

Por, të nderuar kolegë nga Parlamenti Evropian, në funksion të paqes afatgjate, rajoni ka nevojë për qartësi dhe progres konkret në integrimin evropian. Vetëm kështu vuloset paqja afatgjatë në rajon. Besoj se të gjithë pajtohemi se kjo mund të arrihen vetëm përmes normalizimit të plotë të marrëdhënieve fqinjësore, i cili proces nënkupton njohjen e realitetit dhe marrjen e përgjegjësisë për të kaluarën.

Në këtë kontekst, dialogu Kosovë-Serbi është mekanizmi i vetëm për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Për Kosovën nuk ka rrugë tjetër për normalizim të marrëdhënieve. Por nuk mund ta themi këtë edhe për palën serbe. Deklaratat e kohëpaskohshme të zyrtarëve serbë tregojnë se Serbia nuk është liruar nga e kaluara.

3.

Më lejoni të ofrojë disa observime për dinamikën aktuale të dialogut.

Gjatë vitit 2021 nuk ka pasur asnjë progres substancial në dialog. Mendoj se janë dy arsye kryesore për këtë vendnumërim të dialogut.

E para, Serbia nuk ka ndryshuar qasje. Deklarimet e palës serbe janë shqetësuese për paqen afatgjatë në rajon. Po vazhdon interferimi i Serbisë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë. Strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë janë ri-aktivizuar. Me vendime të shtetit serb janë emëruar bartës të këtyre strukturave ilegale në Kosovë. Kjo qasje po e pengon integrimin e komunitetit serb në jetën institucionale, shoqërore dhe ekonomike në Kosovës.

E dyta, Bashkimi Evropian po vazhdon me qasjen e “ambiguitetit konstruktiv” sa i përket dialogut. Ndërmjetësi i dialogut, z. Lajçak, kujdeset që të mos e përmend qartë, hapur dhe pa ekuivokë “njohjen reciproke”, që është qëllimi kryesor dhe i vetëm i dialogut.

Si e shohim si opozitë sjelljen e palës kosovare në dialog?

Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës e ka trashëguar një proces të dialogut të definuar qartë, me platformë të përgatitur në një proces gjithëpërfshirës brenda Kosovës dhe të dakorduar me partnerët, e cila i kishte përcaktuar qartë parimet dhe objektivat e dialogut.

Qasja e qeverisë paraprake e kishte kthyer dialogun në binarë pas dy vitesh bllokimi, në binarë që çonin vetëm në një përfundim – njohje reciproke. Si përfaqësues i opozitës, unë i kam kërkuar vazhdimisht Qeverisë së Kosovës që dialogu të mbahet në ata binarë.

Fokusi i dialogut tani është zhvendosur në çështje teknike, që janë jo substanciale për normalizimin e marrëdhënieve afatgjata mes dy vendeve. Nuk them se çështjet teknike nuk janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve të të dyja vendeve. Por, këto probleme teknike janë derivat i mungesës së njohje reciproke. Sapo të arrihet marrëveshja për njohje reciproke, problemet teknike zgjidhen natyrshëm duke zbatuar standardet evropiane në marrëdhëniet fqinjësore.

Është i pa kuptim dialogu për marrëveshje parciale për mos-sulmim, pasi marrëveshje të tilla nuk sigurojnë asgjë në afat të gjatë. Shihni historinë e vjetër dhe të re, siç është rasti i Ukrainës, se si përfundojnë marrëveshjet e tilla. Është gjithashtu e papranueshme mungesa e transparencës në dialog.

Ne nuk e kuptojmë ndërmjetësin e BE se çfarë po ndërmjetëson në këtë dialog. Me gjithë respektin për Z. Lajçak, ai nuk është aty për të hapur zyrat në Bruksel kur palët dakordohen që të takohen. Ai nuk është aty për të bartur mesazhe nga njëra palë tek tjetra. Ai është aty për tu siguruar se po bëhet progres drejt marrëveshjes finale për njohje reciproke. Mendoj se nuk është detyrë e ndërmjetësit të mbajë gjallë dialogun si qëllim në vetvete. Detyrë e tij është të afrojë palët drejt marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

Më vjen keq të shoh se si lidershipi i Bashkimit Evropian e lejon degradimin e këtij procesi, nga takimet e nivelit të lartë për marrëveshje përfundimtare, në takime teknike. Kjo tregon mungesën e vendosmërisë së e BE-së për të përmbyllur dialogun.

Duhet thënë se besimi i opinionit kosovar sa i përket procesit të dialogut është lëkundur para një kohe. Tani, me këtë qasje, ky mosbesim po thellohet.

Të nderuar kolegë të Parlamentit Evropian, unë dua të sjell në vëmendjen e juaj problemin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sot, Serbia shkel të drejtat e shqiptarëve atje, duke i fshirë ata nga regjistri civil në kundërshtim me konventat ndërkombëtare. Unë ju bëj thirrje juve që të angazhoheni për ndaljen e menjëhershme të këtij diskriminimi, fillimisht duke miratuar një rezolutë në Parlamentin Evropian. Bashkimi Evropian duhet të merret me këtë çështje sa më parë si çështje e të drejtave elementare njerëzore. Askush nuk mund ta tejkalojë këtë çështje si një problem administrativ. Qeveria e Kosovës duhet ta shtrojë këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Si përfaqësues i opozitës, unë shpreh mbështetjen tonë ndaj procesit të dialogut. Ne do të jemi në krah të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila është bartëse e këtij procesi sipas Kushtetutës së Kosovës.

Por, insistojmë që dialogu të fokusohet vetëm në arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Ne nuk e mbështesim dialogun teknik, i cili vetëm e prolongon arritjen e marrëveshjes finale dhe, rrjedhimisht, e lë mundësinë e hapur për jo stabilitet në rajon.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Të tjera