Lajme

Haxhiu publikon Draft-Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale: Synohet dokumentimi i krimeve të luftës

Autori: Gazeta inFokus 17:33 | 15 May 2023

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se nga dita e sotme, është proceduar në konsultim publik Draft Strategjia për Drejtësi Tranzicionale.

“Strategjia për Drejtësi Tranzicionale dhe themelimi i Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë janë objektivat kryesore në kuadër të ballafaqimit me të kaluarën tonë të cilat si Ministri e Drejtësisë po i realizojmë gjatë këtij mandati qeverisës”, ka shkruar e para e drejtësisë në Facebook.

Sipas Haxhiut, qëllimi i Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale është krijimi i një platforme strategjike nëpërmjet së cilës Kosova synon realizimin e të drejtave të viktimave për gjetjen e së vërtetës për të kaluarën, drejtësinë, reparacionet, dhe garantimin e mos-përsëritjes të krimeve nga e kaluara.

-Advertisement-

Ajo ka thënë se Draft Strategjia është hartuar nëpërmjet konsultimeve publike me grupet e viktimave të luftës, institucionet relevante dhe grupet e tjera të interesit.

“Në bashkëpunim me Integra dhe NSI, janë organizuar 30 fokus grupe me viktimat dhe përfaqësuesit e tyre nga të gjitha komunitetet, gratë, të rinjtë dhe studentët, punonjësit e sektorit privat, aktivistët e të drejtave të njeriut, punonjësit e arsimit, intelektualët, gazetarët, komunitetet fetare në Kosovë, profesionistët ligjor, sektori i sigurisë, dhe punëtorët social”, tha Haxhiu.

Sipas saj, numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në fokus grupe është 465, me pjesëmarrje të barabartë mes grave dhe burrave.

Sipas Haxhiut, ky proces është mbështetur nga Ambasada Holandeze dhe përveç kontributit të Grupit Punues, drafti është konsultuar edhe me ekspertë ndërkombëtar të drejtësisë tranzicionale, mbështetur nga Ambasada Zvicerane.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera