Haskuka reagon pas ngritjes së aktakuzës ndaj drejtorëve të tij
Autori: Gazeta inFokus 19:38 | 03 December 2019
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se që nga marrja e mandatit Komuna e Prizrenit është bllokuar nga institucionet të cilat është dashur të jenë lehtësuese të punës së komunës.
Sipas Haskuka tentativë e tillë për bllokimin e punës së komunës është edheaktakuza e fundit e ngritur ndaj drejtorëve komunal, shkruan gazeta inFokus.
Sipas tij kjo aktakuzë është bërë për ta pamundësuar punën e Komunës së Prizrenit.
“Kjo na bën të qartë që kjo aktakuzë është bërë për ta pamundësuar punën e Komunës së Prizrenit. Tani e tutje çdo anëtar i komisioneve do të jetë i rrezikuar për vlerësimet që i bën sipas kritereve. Pra paradoksi i veçantë është që anëtarët e një komisioni akuzohen pa asnjë provë që kanë respektuar kriteret e shpallura të ankandit publik. Nëse kjo aktakuzë merret si e bazuar, tani e tutje asnjë person nuk do të pranojë të jetë anëtar i komisioneve dhe kjo nënkupton që në të ardhmen jo vetëm Komuna e Prizrenit por të gjitha institucionet e Kosovës do të bllokohen në punën e tyre”, është shprehur Haskuka.
Postimi i plotë:
Që nga marrja e mandatit të Kryetarit, Komuna e Prizrenit është bllokuar nga institucionet të cilat janë dashur të jenë lehtësues të punës së Komunës.
Tentativë e tillë për bllokimin e punës së Komunës është edhe rasti i fundit i cili sot ka dalur në media.
Pas shikimit të rastit na del që një proces “ADMINISTRATIV” i cili ka qenë sipas Ligjit nr. 04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, me kritere të shpallura publike, në afatet kohore të parapara, me kritere transparente të vlerësimit, me anëtarë të Komisionit të cilët janë votuar nga Asambleja Komunale, pa asnjë provë për keqpërdorim, ngrihet aktakuzë ngase kanë bërë vlerësimet e tyre në komision.
Kjo na bën të qartë që kjo aktakuzë është bërë për ta pamundësuar punën e Komunës së Prizrenit. Tani e tutje çdo anëtar i komisioneve do të jetë i rrezikuar për vlerësimet që i bën sipas kritereve. Pra paradoksi i veçantë është që anëtarët e një komisioni akuzohen pa asnjë provë që kanë respektuar kriteret e shpallura të ankandit publik. Nëse kjo aktakuzë merret si e bazuar, tani e tutje asnjë person nuk do të pranojë të jetë anëtar i komisioneve dhe kjo nënkupton që në të ardhmen jo vetëm Komuna e Prizrenit por të gjitha institucionet e Kosovës do të bllokohen në punën e tyre.
Për më tepër aktakuza pos gabimeve bazike logjike ka edhe gabime konceptuale. Komisioni për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës Publike për çështje “transparence” është votuar nga Asambleja dhe aty pos drejtorëve, janë edhe asamblistët dhe anëtar i shoqërisë civile. Pra, ju vihet në dije gjithë atyre që bashkëpunojnë me Komunën që mund të jenë target potencial për punën e tyre.
Në rastin në fjalë prokurori me qëllim apo pa qëllim nuk e thekson që neni 3 paragrafi 11 i Ligjit nr. 04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme parasheh që “fituesi të zgjedhet në bazë të çmimit dhe në raste specifike kritereve të tjera të përcaktuara në ankand”. Prandaj, Komuna e Prizrenit duke marrë parasysh faktin se lokalet, të cilat janë dhënë në shfrytëzim gjenden në Qendrën Historike të Prizrenit ka bërë disa kritere ashtu siç parashihet sipas ligjit.
Në bazë të vlerësimit të kritereve dhe të çmimit janë përzgjedhur fituesit. Në rastin në fjalë nuk ka asnjë vërejtje lidhur me procesin e vlerësimit. Pra, komisioni ka bërë punën sipas kritereve.
Sikur këto kritere të ishin vendosur gabimisht, palët të cilët pretendojnë se Komuna i ka shkelur të drejtat dhe nuk ka zbatuar drejtë Ligjin dhe udhëzimet administrative, kanë pasur mundësi ligjore që të drejtat e tyre t’i mbrojnë në procedura administrative dhe gjyqësore, pa pasur fare nevojë që kjo çështje të jetë objekt shqyrtimi nga ana e Prokurorisë së Shtetit.
Pala e pakënaqur nuk ka përdorur të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj për mbrojtjen e të drejtave të tij në procedura administrative, e veçanërisht nuk ka hapur konfliktin administrativ, por i është drejtuar Prokurorisë.
Prokuroria nuk është organ kompetent i cili vlerëson se a janë zbatuar drejtë këto procedura dhe a janë vlerësuar drejtë ofertat. Prokuroria është që të vlerësojë se në këtë rast cilido nga anëtarët e komisionit eventualisht ka kryer vepër penale, ku fillimisht do të duhej të ofrojë prova bindëse se ndonjëri nga anëtarët e komisionit ose të afërmit e tyre kanë përfituar nga veprimet e tyre si anëtarë të komisionit.
Meqenëse Prokuroria as nuk ka theksuar se ndonjëri nga anëtarët e komisionit ka përfituar, atëherë si mund të vihet në përfundim se të njëjtit kanë kryer vepër penale.
Pra këtu një çështje administrative po trajtohet si vepër penale. Por në Prizren nuk është hera e parë që Prokuroria ndalon veprimet administrative të Komunës me veprime jashtëligjore. Tek ne, inspektorët persekutohen sepse implementojnë ligjin dhe rrënojnë objektet pa leje, derisa policët pa vendime të shkruara ndalojnë inspektorët në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, dhe pas 24 orëve nuk dorëzojnë vendimet me të cilat kanë bllokuar Komunën. Dhe në vend të kësaj, dalin në konferenca për shtyp. Në anën tjetër, Gjykata e Krimeve të Rënda intervenon në vendimet e Gjykatës, seancat për paditë që i dorëzon Komuna nuk mbahen me vite, ndërsa paditë e palëve kundër Komunës përfundojnë në afate rekorde.
Me siguri edhe ata që kanë shkruar kushtetutën kanë menduar që mund të ketë individë të tillë që mund të abuzojnë me sistemin e drejtësisë, prandaj edhe kanë paraparë në nenin 3 që “Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin”.
Me shpresë që ka pak dinjitet në këto institucione që në vend të drejtësisë kryejnë rolin e opozitës joparimore politike në Prizren.
Përndryshe në njërën nga intervistat që isha i thirrur në hetuesi, njëri nga hetuesit më pat kërkuar falje duke u arsyetuar që janë në presion të vazhdueshëm që të ngrisin padi ndaj meje, prandaj çdo vendim i imi hetohet. Plani i tyre ishte që në një afat sa më të shkurtë të ngrihet padi ndaj meje, ashtu që të jap dorëheqje dhe që Prizreni t’i kthehet atyre që e kanë ngulfatur qytetin.
Fatkeqësisht, derisa ata që i kam përpara nuk më frikësojnë, shumë më me dhimbje janë goditjet që vijnë nga prapa nga ata të cilëve iu kam besuar shpinën.
Të tjera
-
Kurti: Kur vendet autoritare po kërcënojnë me largim, Kosova me meritë kërkon anëtarësimin në KiE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka fol...
-
Ndërron jetë Bojan Tonçiq, gazetari serb që kundërshtoi Millosheviqin për luftën e Kosovës
Në moshën 57 vjeçare ka ndërruar jetë gazetari serb Bojan Tonçiq. Tonçiq d...
-
Abdixhiku në Hamburg këtë fundjavë, paralajmëron dy tubime
Kryetari I LDK-së, Lumir Abdixiku ka njoftuar për agjendën që do ta ketë gjat...
-
Sandulloviq-Hillit: “Duhet t’ju vijë turp nga vetja”
Politikani serb, Nikolla Sandulloviq, e ka postuar një fotografi në platformë...
-
Mbahet ceremonia e lidhjes me internet të shkollës së 100-të në Republikën e Kosovës
Ministria e Ekonomisë, përmes Projektit të Kosovës për Ekonomi Digjitale (KOD...
-
Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit
Pretendimi i ngritur nga Vudi [Vedat] Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari...
-
Hoxhaj: Qytetarët që menduan se me Kurtin vjen ndryshimi, ta korrigjojnë atë – ta shohin PDK-në si adresë politike
Nënkryetari i kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se nëse qy...
-
Gjeneral Jashari: FSK mbështet Ukrainën në përballje me agresionin e Rusisë
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari...
-
Kurti pritet nga Baerbock, kërkon mbështetjen gjermane deri në anëtarësimin e Kosovës në KiE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Ministrja e Ja...
-
Dalja e shqiptarëve në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut shënon rënie
Dalja e shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit në Maqedoninë e ...
-
Tejkaloi shpejtësinë e lëvizjes, gjobitet me 300 euro
Policia e Kosovës njofton se njësia për kontroll të autostradave, në zonën ku...
-
Gjermania e bindur se Brukseli do të ecën drejt heqjes së sanksioneve pas votimeve në veri
Me organizimin e procesit të votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve aktual...