Lajme

Haradinaj rikthehet në vendin ku ishte vrarë Luani, ja çfarë kishte rrëfyer për atë moment para 3 vitesh

Autori: Gazeta inFokus 16:53 | 30 April 2022

Ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me dajlin e Shkëlzenit ka vizituar sot vendin e quajtur “Qafmullar”, vend në të cilin kishte rënë heroikisht vëllai i tij Luani, shkruan Gazeta Express. Për këtë vizitë atje Haradinaj ka njoftuar përmes një video të publikuar në profilin e tij, duke shprehur nderim për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.

“Jemi në Qafmullar. Është vendi ku është vra Luani. Sot është dita kur është e ramjes së Ilaz Kodra, nderime për Ilazin, Luanin, Fehminë, Xhevën, e gjithë që kanë ra për liri, nderime”, dëgjohet tek thotë Haradinaj në video.

Por cila është historia e “Qafmullarit” dhe çfarë kishte rrëfyer Ramush Haradinaj 3 vite më në Pressing të T7 për vrasjen e të vëllait Luanit…

-Advertisement-

“Ka qenë pak para territ, unë kisha qejf me e pa pak drejtimin, u dashke me e pa orientimin. Unë për planifikim kisha nevojë. Më kujtohet në hyrje, kemi qenë rresht një për një, Luani ka qenë i pari.. afër pritës së armikut, vetëm tuj hecë. Luani ka pri, rreshti, dhe unë si pararojë në drejtim të pozicioneve potenciale të Serbisë, se ishte e mundshme me pas pozicion, sepse u shihke që është rrugë e përdorme”, kishte rrëfyer Haradinaj në Pressing të T7 teksa tregonte përpjekjen për të hyrë në territorin e Kosovës.

Më pas kishte treguar se si kishte filluar sulmi nga ushtria serbe, dhe se kishin reaguar shpejt duke shpëtuar nga plumbat e parë të serbëve.

Haradinaj kishte rrëfyer se si kishte arritur t’iu shmangej plumbave si rezultat i relievit, dhe si i kishte bërë me shenjë Luanit që të kthehej mbrapa në territorin e Shqipërisë.

“Luani ishte kthyer deri në territor të Shqipërisë. Mirëpo kur unë jam vonuar me Rafetin, se Rafeti i plaguar, jam detyru të ndalem me të, ai ka mendu që jam plagu unë, se u hapë atje fjala që u plagu dikush, dhe Luani është kthyer kshtu në këmbë, hiç pa u ruajt, ka qenë shumë trim, në këmbë vrapë.. e kishte kapur një kalibër i madh 7.9 këtu”, kishte rrëfyer Haradinaj për momentin kur Luani ishte qëlluar nga forcat serbe në pjesën më të ngritur.

Haradinaj më pas kishte treguar se si e kishte vendosur Rafetin e plagosur në një pozitë të sigurtë për të mos e kapur plumbat.

Ish-komandnati i UÇK-së, thotë se menjëherë pasi e kishte rehatuar Rafetin, kishte dëgjuar se “është plaguar Adriani”, nofka me të cilin e kishin thirrur Luanin.

“Tani taman e kam rahatu këto, e kam ni një za, Ramizi, ka thënë është plagu Adriani, sepse Luani e ka pas niknamen Adriani emrin e luftës”, ka treguar Haradinaj për momentin kur ishte njoftuar se Luani ishte qëlluar.

Në Pressing tutje Haradinaj ka rrëfyer për momentin kur ishte arritur tek trupi i Luanit dhe pamundësinë që t’i afrohej, meqë në atë pjesë ku ishte, forcat serbe kishin vazhduar të shtënat.

“Ai ish kanë ne vend të ekspozum, s’mujsha me iu afrue. E mbushke pluma. Më është dashtë me dalë si mbrapa prej territorit të Shqipërisë, e me i shku mbrapa tij, dmth unë trupin e tij e kisha mburojë. Jam mundu me e ngreh, e kam kap në rryp, sepse me u afru te kryt e tij, sepse është logjike që kur të bjen dikush, mendojnë që është i plagum e s’ja qkoqin masanej..ideja me e kry punën. E tash unë e kam kap në rrymë, e ka pas një “opasaq” të Jugosllavisë, cfarë rrypi i fortë. Po aty ishin kanë do gur shumë të thepisun, me maje. Kur e kam kapë unë , bre ngreh… se lshojke.. ju kish kap rrypi përfundi në guri. E ka pre guri rrypin, tu e ngreh, me ka mbet rrypi në dorë”, kishte vazhduar rrëfimin Haradinaj për momentin kur ishte afruar tek trupi i Luanit.

Ai thotë se pas këtij momenti e kishte thirrur “o mashkull”, meqë kishte menduar se është vetëm i plagosur.

“Kur i jam afruar afër, e kam parë që ishte një kalibër i madh, që e kishte kapur në gojë, ishte kalibër i madh, sepse plaga dalëse kishte qenë shumë e madhe. Më shumë se kallashnikov’, kishte vazhduar tutje rrëfimin Haradinaj.

Thotë se pasi e kishte parë që Luani kishte vdekur, kishte bërë përpjekje për ta tërhequr në pozitë më poshtë.

Më pas ka treguar për organizimin që kishin bërë për ta bartur Rafetin e plagosur dhe Luanin e vdekur.

“Luanin e kam kap e kam qitë në krah”, kishte shtuar tutje Haradinaj teksa tregonte për vështirësitë për ta bartur Luanin e vdekur për 3-4 orë rrugë.

Pas vrasjes së Luanit dhe plagosjes së Rafetit, Haradinaj kishte treguar se si grupi kishte rënë në kllapi nga lodhja, dhe se si e kishte kërsitur një bombë për t’i këndellur ushtarët.

Pastaj kishte treguar për varrosjen e Luanit në një vend në Shqipëri, dhe se si ishte kthyer përsëri në vendin ku ishte vrarë Luani për t’ia marrë pistoletën që i kishte rënë.

Haradinaj në Pressing kishte rrëfyer se pasi kishte shkuar atje, nuk e kishte gjetur armën e Luanit dhe se si kishte marrë vesh që e kishte gjetur atë një banor i asaj zone të Shqipërisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?

Të tjera