Lajme

Haradinaj i bindur: Kosova do ta forcojë partneritetin me NATO-n

Autori: Gazeta inFokus 15:33 | 31 January 2019

Kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i bindur se Kosova do ta forcojë partneritetin me NATO-n.

Në takimin e tij me admiralin James Foggo lll, me gjeneralin Major Lorenzo D’Addario, Haradinaj falënderoi NATO-n për mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset.

“U jemi mirënjohës përjetësisht për angazhimin dhe rolin tuaj dhe të gjithë ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë për të krijuar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj, duke e siguruar atë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim me KFOR-in në forcimin e stabilitetit dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

-Advertisement-

Duke konfirmuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve të sigurisë të Kosovës me KFOR-in, kryeministri Haradinaj tha se Kosova do të ruajë dhe forcojë partneritetin me NATO-n.

“Ne jemi popull që i takojmë popujve të lirë, të udhëhequr nga ShBA-të, në shërbim të paqes në vend, rajon dhe botë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj në takim, duke shtuar se Kosova është e gatshme t’i bashkohet NATO-së në misionet paqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, Haradinaj e ka njoftuar admiralin Foggo për periudhën e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke thënë se kjo forcë do të jetë multietnike, profesionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, në të cilën do të jenë të përfshira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Nga ana e tij, admirali Foggo tha se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera