Lajme

Hapet për qarkullim pika kufitare në Bërnjak

Autori: Gazeta inFokus 09:59 | 04 October 2023

Pika kufitare në Bërnjak është hapur për qarkullim nga mëngjesi i sotëm,

Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Elshani ka thënë se kjo pikë është hapur për qarkullim që nga ora 08:00.Në anën tjetër pika kufitare në Jarinjë vazhdon të jetë e bllokuar.

-Advertisement-

Këto dy pika kufitare u mbyllën për qarkullim pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në mëngjesin e 24 shtatorit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre terroristë.

Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Dy ditë më pas Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla publikoi pamje nga droni, e ku shihej Radoçiqi në krye të grupit terrorist.

Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori edhe vetë Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Ka pasur raportime për tërheqje, por ende s’ka zyrtarizim.

Në anën tjetër, NATO-ja ka shtuar forcat në veri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera