Lajme

Haley: SHBA do të punojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së

Autori: Gazeta inFokus 10:08 | 20 December 2017

Nën organizimin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, me përkrahje të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Asociacionit të Agjencive Rajonale Zhvillimore (ARDA), në Nju Jork janë promovuar verërat, djathërat, uji dhe çokollatat e prodhuara në Kosovë.
Në pritjen e fundvitit në të cilën ishin të ftuar ambasadorë të akredituar në Kombet e Bashkuara, përfaqësues të diasporës shqiptare, përfaqësues të bizneseve amerikane, mori pjesë edhe Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley.

Gjatë fjalimit të saj, Haley tha se SHBA do të punojë që Kosova të njihet si shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara, sepse “Kosova dhe SHBA respektojnë njëra tjetrën, besojnë në njërën tjetrën dhe kanë të njëjtat vlera demokratike”, duke shtuar se kjo lloj lidhje nuk mund të ndërpritet.

Duke folur për sfidat që të gjitha shtetet i kanë në momente të caktuara, ajo përmendi edhe faktin që Kosova ka ndihmuar Shtetet e Bashkuara gjatë stuhisë së fundit që goditi Teksasin.

-Advertisement-

Konsullja e Përgjithshme e Kosovës, Tetuta Sahatqija tha se festat e fundvitit janë mundësi e mirë për të promovuar para miqve të Kosovës, verërat e Kosovës dhe produktet e tjera.

Ajo falënderoi për praninë e saj, posaçërisht Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Nikki Haley, për të cilën tha se është mbështetëse e madhe e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të Amerikës.

Sahatqija po ashtu falënderoi edhe Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës për iniciativën dhe sjelljen e produkteve kosovare në SHBA, derisa përmendi edhe faktin që vera e prodhuar në Kosovë është vera e parë e cila është sjellë ndonjëherë në tryezat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe atë nga ana e ambasadorit të Japonisë.

Në anën tjetër, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka tha se Kosova, përveç që prodhon verë të mirë e që duhet promovuar më shumë, tashmë ka krijuar edhe një mjedis të mirë për të bërë biznes, duke u bërë më atraktive për investitorët e huaj. E kjo, sipas tij, është konfirmuar edhe në raportin e të bërit biznes të Bankës Botërore, ku Kosova është ranguar në vendin e 40-të nga 190 shtete të botës.

Në këtë pritje të organizuar në Nju Jork, janë promovuar 36 lloje të ndryshme të verërave nga gjashtë prodhues të verërave kosovare StoneCastle, Bodruimi i Vjetër, AgroKosova, Eko, Kosova Wine dhe Sefa Wine, djathrat e prodhuesve Rugove, Sharri dhe Magic Ice, uji i prodhuesit Rugove, si dhe çokollatat Amël.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera