Lajme

Goditet grupi i Radojiçiqit

Autori: Gazeta inFokus 09:13 | 24 November 2018

Policia e Kosovës ka arrestuar të premten 4 qytetarë serbë në veri të Kosovës si të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, derisa në kërkim është edhe personi i pestë, Millan Radojiçiq. Në komunikatën për medie të Policisë së Kosovës thuhet se personat e arrestuar janë: Dragisha Markoviq polic i Kosovës, Nedelko Spasojeviq polic i Kosovës dhe Sasha Gjuriq e Marko Roshiq.

Ata kanë gjetur një fluturake (dron) me teledirigjues dhe bateri të llojit “Rohs”, një telefon “IPhone”, një telefon “Microsoft”, dy telefona mobilë të llojit “Nokia” dhe “Samsung”, një llap top “Lenovo”, dy “Ipad” të llojeve “Spide” dhe “Samsung SM-T 280”, një radiolidhje (motorolë) jozyrtare me mbushës, një këllëf për armë-revole, dy jelekë ushtarakë, një armë automatike (AK 47) prodhim jugosllav me një karikator të zbrazët, katër karikatorë të “AK-47” me 106 (njëqind e gjashtë) fishekë, një karikator me 10 (dhjetë) fishekë të kalibrit 9 mm, një granatë dore “M-75”, dy karikatorë të zbrazët, njëri i armës automatike “AK 47” dhe një i revoles, një karikator i armës automatike me 26 (njëzetegjashtë) fishekë të kalibrit 7.62 mm, tre fishekë të kalibrit 7.62 mm X39, një tytë e tromblonit, një shufër gome, substancë e dyshuar narkotike me sasi prej 76 gramësh, dokumente të ndryshme dhe dy blloqe xhepi, shtëpizë kompjuteri “Asus”, si dhe një sprej jozyrtar.

Sipas një komunikate të Policisë së Kosovës, me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej dyzetetetë (48) orëve.

-Advertisement-

Protestojnë serbët

Serbët e veriut të Kosovës kanë protestuar rreth një orë në disa vende në veri të Kosovës kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind në produktet serbe që hyjnë në Kosovës. Serbët e veriut, por siç kanë raportuar mediet serbe edhe të vendeve të tjera të Kosovës, të pezmatuar edhe me aksionin e Forcave Speciale të Policisë së Kosovës ROSU në veri të Mitrovicës, me ç’rast janë arrestuar katër persona (serbë), në mesin e të cilëve dy policë të Kosovës, të dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e liderit të SDP-së Oliver Ivanoviq në janarin e këtij viti, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që menjëherë ta heqë masën e ndalimit të hyrjes në Kosovë të mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si dhe që menjëherë t’i lirojë të arrestuarit.

Rreth 3 mijë serbë të komunave veriore kanë protestuar qetë në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, te kryqi në Rudarë të Zveçanit, kanë bllokuar për rreth një orë pikën kufitare në Bërnjakë, si dhe rrugën rajonale në Zupçë të Zubin Potokut.

Në protestën në Rudarë, ku merrnin pjesë rreth 2500 serbë, lideri i Listës Serbe dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, tha se shkak i protestës është vendimi i pakuptimtë i Prishtinës për taksën 100 për qind në produktet serbe. Ai ka kritikuar gjithashtu edhe, siç ka thënë ai, “ndërhyrjen brutale të ROSU-së në veri dhe arrestimin e katër qytetarëve serbë”.

“Ajo çfarë ne gjithmonë kërkojmë është që t’i zbulojnë autorët e vrasjes së Ivanoviqit, ndërsa ata përherë heshtin. E shfrytëzuan këtë rast për të ndërhyrë brutalisht në banesat e qytetarëve, t’i rrahin dhe t’i maltretojnë. Ata janë përpjekur ta arrestojnë edhe nënkryetarin e Listës Serbe Millan Radojiçiq me të njëjtin arsyetim, për vrasje të Ivanoviqit. Ne kërkojmë dëshmi për këtë e jo të ndërhyjnë në këtë mënyrë, sepse nesër të njëjtën mund të na e bëjnë edhe neve. Situata është alarmante, sepse pas vendosjes së taksës 100 për qind në produktet serbe mund të mbesin pa artikujt kryesorë jetësorë”, ka thënë Rakiq.

Simiq: Ftojmë Prishtinën t’i lirojë menjëherë të arrestuarit

Ndërkaq nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka ftuar Prishtinën që t’i lirojë menjëherë të arrestuarit serbë dhe që menjëherë ta heqë taksën 100 për qind në produktet serbe. Ai gjithashtu ka kërkuar nga KFOR-i që ta parandalojë eskalimin e situatës. Ai ka tërhequr vërejtjen se nëse Prishtina nuk e heq vendimin për masat që ka marrë serbët do të jenë të detyruar të vazhdojnë me protesta, sepse, siç tha ai, “të hënën dhe të martën do të ketë më pak ushqim”.

“Dërgojmë mesazh të qartë, sot ka pasur 1 orë protestë, nëse masat nuk tërhiqen ne do të detyrohemi të vazhdojmë me protesta. Nëse sot ka mundur të gjendet pak qumësht, pak bukë, nuk do të mundë të gjendet nesër ose pasnesër”, ka thënë Simiq, i cili ka kërkuar nga organet e sigurisë që të jenë në nivel të punës dhe detyrës së tyre për të mos lejuar eskalimin e dhunës.

Në protestën tek kryqi në Rudarë të Zveçanit ka folur edhe kryetari i Organit të Përkohshëm të Zveçanit, Ivan Teodosijeviq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera