Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të lartë të institucioneve amerikane të mbrojtjes dhe të Gardës Kombëtare të Ajovës.
Në fokus të vizitës janë modernizimi i FSK-së, forcimi i bashkëpunimit dypalësh dhe zhvillimi i kapaciteteve operacionale.
Gjatë qëndrimit në SHBA, delegacioni i FSK-së, i udhëhequr nga gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në panairin vjetor të industrisë së mbrojtjes “AUSA Annual Meeting & Exposition”, i mbajtur në Uashington, D.C.
Ky aktivitet, i cili mbledh qindra ekspozues dhe përfaqësues nga shumë shtete të botës, u mundësoi përfaqësuesve të FSK-së të njihen nga afër me zhvillimet dhe teknologjitë më të fundit në industrinë e mbrojtjes, me synim avancimin e procesit të modernizimit dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të forcës.
Në kuadër të vizitës, komandanti Jashari zhvilloi një takim në Pentagon me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Luftës për Luftën Jokonvencionale, Colby C. Jenkins. Gjatë takimit u diskutuan çështje me rëndësi për sigurinë dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, me theks të veçantë në fushën e operacioneve speciale dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi u riafirmua mbështetja e Shteteve të Bashkuara për planin e tranzicionit të FSK-së, zhvillimin e saj profesional dhe kontributin e saj në sigurinë globale.
Një tjetër takim i rëndësishëm gjatë vizitës u zhvillua me delegacionin e Gardës Kombëtare të Ajovës, të udhëhequr nga gjeneral brigade Charles H. Lampe.
Palët diskutuan për rezultatet e arritura deri më tani në bashkëpunimin ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, si dhe për planin e bashkëpunimit dypalësh për pesë vitet e ardhshme.
Vizita e gjenerallejtënant Bashkim Jasharit në SHBA synon forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara, thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale e operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.





































