Lajme

Gërvalla thotë se MPJD-ja s’ka informacion nëse zëvendësdrejtori i Policisë është liruar nga Serbia

Autori: Gazeta inFokus 19:20 | 17 April 2024

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se ende nuk kanë informacione të konfirmuara se është liruar zëvendësdrejtori i Policisë, Dejan Jankoviq, për të cilin është raportuar se është ndaluar nga autoritetet serbe të mërkurën.

Në konferencën për media të mbajtur nga Gërvalla dhe zëvendësi i saj, Kreshnik Ahmeti, kryediplomatja e ka pranuar se Jankoviqi është ndaluar nga Serbia.

“Ende nuk kemi informacionin e konfirmuar që zëvendësdrejtori i Policisë është liruar, andaj ju lus edhe pak durim për t’ua dhënë informacionin e saktë atëherë kur ta kemi të konfirmuar”, ka thënë ajo.

-Advertisement-

Gërvalla tutje ka folur edhe për ndalimin e autobusëve me udhëtarë nga Kosova në pikat kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë, duke thënë se është shkelur Marrëveshja e Brukselit e vitit 2023.

“Jo vetëm që është shkelur marrëveshja e vitit 2023 në vazhdimësi, por është shkelur edhe marrëveshja për mobilitetin që për një periudhë të caktuar kohore i ka garantuar qytetarët tanë që mund të kalojnë me pak rreziqe në Serbi”, ka thënë ajo.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq, është ndaluar nga autoritetet serbe të mërkurën, njoftoi në rrjetet sociale Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Jankoviq – i cili vjen nga komuna e Shtërpcës – është ndaluar në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë, në veri të Kosovës, dhe është dërguar për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera